UBT

Welcome to the Republic of Congo!

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Enis Veliu – Dy të vrarë dhe dy të plagosur rëndë në një restorant në fshatin Milloshevë të Obiliqit, si dhe një fëmijë i masakruar në qytetin e Pejës, kishte qenë bilanci kriminal i së premtes gjatë javës që lamë pas.

Të shtunën në parkun e Gërmisë në Prishtinë, policia arrestoi një person derisa ai kishte sulmuar seksualisht një femër shqiptare, e cila ishte duke vrapuar.

E të dielën në shtëpinë e Shëndetit në Malishevë, një qytetar me mbiemër Jonuzaj derisa ishte i shtrirë duke marrë infuzion, mbi të kishte shtënë me armë zjarri ish-miku i tij, me mbiemër Bytyqi. Veprim i rëndë dhe në kushte normale i papërshkueshëm. Në vend të shërimit brenda një institucioni Publik Shëndetësor, personi në fjalë ka mundur të pësojë edhe me jetë. Në këtë rast Jonuzaj ka pasur fat në fatkeqësi.

Situatë pak më e rëndë se kjo para pak kohësh kishte ndodhur edhe brenda stacionit policor në Pejë, ku një person kishte arritur të hyjë brenda stacionit dhe të vrasë një qytetar me pranga në duar.

Në atë kohë shumëkujt skena në fjalë i është dukur si pjesë të pabesueshme te një filmi aksion, mirëpo, fatkeqësisht “storia” edhe pse e dhimbshme ishte e vërtetë.

Niveli i pasigurisë në vendin tonë, kohëve të fundit është rritur dukshëm. Vrasjet në rrugë, kafene, shtëpi, apo edhe shkolla thuajse janë bërë normalitet.

Nuk kaloi shumë kohë kur brenda oborreve të shkollave në Prishtinë e Pejë u vranë dy nxënës.

E një tjetër po ashtu u vra brenda nyjave sanitare në një shkollë të mesme në komunën e Mitrovicës.

ARKATANA

E për të lënduar lehtë, e rëndë s’po flasim hiç, pasi që numri i tyre në vazhdimësi po rritet. Tashmë si zakonisht policia thuajse po qëndron vetëm si spektator karshi skenave të ndryshme kriminale.

Në të gjitha vrasjet e fundit policia vetëm ka bërë rrethimin e vendit të ngjarjes pa ndodhjes së krimit, por nuk ka ndërmarrë asgjë për ta ndalur atë edhe pse shpeshherë ka pasur sinjale e informata nga palët e dëmtuara, pasi që të fortit gjithmonë kanë marrë ligjin në duar. Qëndrimi i policëve si spektator paraqet problem serioz për të ardhmen e vendit. Madje në disa raste edhe vetë policët janë të lidhur me krimin.

Numri i policëve që kanë abuzuar me uniformë, është duke u rritur dita ditës, sikurse edhe numri i qytetarëve që kanë rënë viktimë e tyre.

Por, në anën tjetër edhe më tutje mbetet shqetësuese indiferenca e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB) karshi masakrave të përgjakshme që po ndodhin çdo ditë nëpër rrugët e sheshet e Kosovës.

Që nga momenti kur e ka marrë pozitën e ministrit, Rexhepi është kujdesur për vetveten, por jo edhe për qytetarët e vendit.
Situata e sigurisë në vend disa herë është cenuar dukshëm nga struktura kriminale serbe.

Polici Enver Zymberi dhe Selver Haradinaj që të dy dyshohet se janë vrarë nga serbët lokalë të pjesës veriore të Mitrovicës.
Por, deri më tash thuajse asgjë konkrete nuk ka në këtë drejtim në zbardhjen e vrasjeve. E dhimbshme për shtetin e sidomos për familjet e të vrarëve.

Ministri, por edhe drejtori i Policisë deri më tash kanë hartuar strategji për të inkasuar sa më shumë gjoba në komunikacion, por nuk kanë hartuar ndonjë strategji për ta rritur nivelin e sigurisë në vendin tonë. Si duket për këta të fundit me më rëndësi është paraja, se jeta e qytetarëve të Kosovës.