VV : Uglari i rreptë me politikanët që e mashtruan

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Qendra e Lëvizjes VV! në Gjilan ka vazhduar ecjen e saj nëpër fshatra të komunës, duke u njohur përfundimisht me kërkesat e banorëve dhe për t’i njoftuar edhe fshatrat me përgatitjet që po bëhen për shpalimin e programit qeverisës lokal.

Ismajl Kurteshi ka treguar për nevojën e domosdoshme të ndërrimit të qeverisjes lokale, në mënyrë që qytetarët të dalin nga ky zhgënjim dhe mosbesim ndaj komunës dhe shtetit. “Kur shteti dhe komuna keqpërdorin besimin tuaj, pa dyshim se krijohet ndjenja e zhgënjimit. Prandaj, ne jemi këtu jo vetëm për ta rikthyer besimin në komunë dhe në shtet, por për t’ju siguruar se besimi juaj për ne është përgjegjësi e madhe dhe obligim. Ne kemi besimin e palëkundur se programi jonë qeverisës lokal ofron zgjidhje të kënaqshme për problemet me të cilat aktualisht përballet komuna jonë” – ka thënë Kurteshi.

“Thuajse të gjitha fshatrat po kërkojnë qasje në kanalizim, ujë të pijshëm, eliminimin e ujërave të zeza, por ne nuk e kemi qëllim që të manipulojmë me nevojat themelore të qytetarëve. Këto kërkesa duhet zgjidhur detyrimisht dhe nuk do të duhej asnjë pushtetar të kërkojë as votë, dhe as falënderim për realizimin e këtyre kërkesave. Do të ju sigurojmë se ne s’jemi këtu për t’ju thënë se do të bëhet Zvicër, por kemi siguri të plotë se me buxhetin e njëjtë do të rrisim efikasitetin në punë, administratë, arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera, ndërsa duke punuar me efikasitet, do të rritet në anën tjetër edhe mundësia për ta përmirësuar menaxhimin e parasë publike” – ka thënë i bindur Kurteshi.

Mobi Casa

Musli Shabani, kryetar i pikës në Uglar dhe kandidat për këshilltar komunal, ka treguar për zhgënjimin e përgjithshëm të banorëve të fshatit me mënyrën se si ka qeverisur komuna e Gjilanit për këto vite. “Ne do të jemi shumë të rreptë me politikanët që mashtruan fshatin. Kësaj radhe, rreptësia më e madhe do të jetë në bashkëngjitjen me subjektin e ndryshimeve të mëdha. Ndonëse nuk premton shumë, Lëvizja VV!, na jep më shumë siguri, besim dhe shpresë. Prandaj, ne do të punojmë të gjithë që të ndërrohet kjo klasë e pushtetarëve, me të cilët shumica e banorëve të fshatit janë shumë të zhgënjyer” – ka theksuar Shabani.

Ndërsa Fehmi Sylejmani, duke shoqëruar kryetarin Kurteshi, ka përshëndetur takimin, duke shfaqur besimin e plotë se Uglari nga vetë atmosfera në këtë shkollë, tregon se është rreshtuar kah forca politike që do të sjellë ndryshimet e mëdha në komunën e Gjilanit. “Nuk besoj që ka më nevojë të flasim se si ka qeverisur PDK-ja me koalicionin, sepse po shkojmë në fshatra e lagje, dhe sadopak një zë nuk e gjejmë që është i kënaqur me qeverisjen lokale. E jona mbetet që të mbahemi me energjinë që kemi mbledhur dhe të mobilizohemi të gjithë për ta siguruar ndryshimin pozitiv të qasjes së komunës ndaj fshatrave dhe lagjeve të qytetit” – është shprehur Sylejmani.

Banorët e fshatit Uglar përmendën shumë probleme të cilat i preokupojnë, duke shprehur pakënaqësinë me situatën aktuale politike në komunë dhe në nivel vendi, por edhe duke qenë të bindur se politikanët që janë sjellur vërdallë fshatit me aq shumë premtime dhe nuk i kanë realizuar ato, gjithmonë nga fshati janë ndëshkuar me votë thuhet në njoftimin e degës së VV në Gjilan./rajonipress/