KKGJILAN

VV: Udhëtim i qejfeve, zhvatje buxheti

/ 3 minuta lexim

Lëvizja Vetëvendosje, në aktivitetin e saj të radhës ka reaguar edhe njëherë rreth udhëtimit të delegacionit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në këtë rast paraqitën shpenzimet absurde të Qeverisë së Kosovës për, sipas Vetëvendosjes “ekskursionin” në New York.

Sipas tyre ajo shumë e harxhuar nga 50 përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës në SHBA, do të ketë mundur të shfrytëzohet për ndihma sociale, bursa, paga dhe pensione për invalid të UÇK-së.

Albana Gashi deputete nga kjo Lëvizje theksoi se llogaritjet janë bërë duke filluar nga shifra bazë e mëditjeve për çdo shtet, ku përveç asaj shifra do të mund të dilte edhe më e madhe se 200 mijë euro.

“Sipas përllogaritjeve të bëra, ky ekskursion buxhetit të Kosovës i kushtoi 200 mijë euro. Këto mjete kanë mundur të jenë, 5 mijë ndihma sociale në Kosovë, 4445 pensione minimale, 1176 paga minimale në Kosovë, 222 bursa për studentë të Universitetit të Prishtinës, 1110 pensione për invalid të UÇK-së”, u shpreh deputetja Albana Gashi.

Mobi Casa

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje edhe në këtë rast Kryeministri dhe Qeveria e tij tregoi se sa lehtë mund ti keqpërdorë mjetet e tatim paguesve.
“Pa fije turpi e ndërgjegje, pa e qarë kokën për hallet dhe mjerimi që po pllakosë çdo ditë popullin e Kosovës”, u shprehë Gashi.

Vetëvendosje ka reaguar edhe rreth prononcimit të Kryeministrit Thaçi, të para dy ditëve i cili tha se nuk i bëhet vonë për reagimin e opozitës dhe se kjo vizitë e tij ka pasur qëllim madhorë dhe se është një paraqitje e dinjitetshme për Kosovën.

“Ne i themi kryeministrit që Kosova ka nevojë për përfaqësim të dinjitetshëm, nga njerëz të dinjitetshëm, të pa korruptuar dhe kompetentë, e jo nga Ministra të korruptuar dhe anëtarë të tjerë të delegacionit të cilët as vet nuk e dinin qëllimin e kësaj vizite, apo më mirë të themi këtij ekskursioni, përveç zhvatjes së mëditjeve të majme”, u shpreh Gashi.

Ndryshe vetëvendosje vlerëson se ky udhëtim nuk është dashur të bëhej fare, duke e ditur që Kosova nuk ka pasur të drejtë të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme.