RCCOLA

VV prezanton listën e kandidatëve për këshilltar komunal

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Qendra e Lëvizjes VV në Gjilan para shumë pjesëmarrësve ka prezantuar listën e saj për asamblenë komunale të 3 nëntorit. Ismajl Kurteshi duke mbajtur fjalën kryesore ka theksuar se kandidatët për ekzekutivin dhe legjislativin e komunës së Gjilanit janë kandidatët që do t’i prijnë ndryshimeve të mëdha në Gjilan, duke marrë parasysh ndershmërinë e tyre, orientimin profesional, vullnetin për të mirën e përbashkët dhe sfondin e tyre patriotik dhe të formimit familjar e të atdhedashurisë.

“Jemi tubuar këtu t’i prezantojmë këto personalitete të vullnetit të mirë, që kanë shpreh vullnetin të zotohen para qytetarëve që do t’i përfaqësojnë, se do të punojnë me tërë kapacitetet e tyre njerëzore e intelektuale për ta krye me nder punën që do t’ua besojnë qytetarët. Të vetëdijshëm për punën që na pret si përfaqësues dhe si ekzekutiv ne solemnisht deklarojmë se për as një çast, në as një situatë dhe për asnjë rast nuk do t’i ngatërrojmë interesat e përgjithshme me ato personale” – ka thënë Kurteshi, duke shprehur besimin se këtyre pushtetarëve do t’ia marrin pushtetin, për t’ia rikthyer pushtetin vetë qytetarëve dhe për të bashkëqeverisur bashkë me sovranin.

Nevzad Isufi, bartës i listës, ka deklaruar në fjalën e tij se, do të punojmë të gjithë së bashku për ta ndryshuar qeverisjen lokale dhe do të përfaqësojmë interesat e qytetarëve, pa dallime gjeografike, pa dallime partiake dhe pa asnjë diskriminim. “Decentralizimi ka copëzuar komunën e Gjilanit, ndërsa pushteti komunal po shkon drejt centralizmit apo diktatit. Dhe këto janë dy dëme të mëdha që i janë shkaktuar Gjilanit, dëme të cilat vështirë se mund të rregullohen shpejtë. Njerëzit që kemi në Listën e Lëvizjes VV janë njerëzit më të mirë, duke udhëhequr me ndershmëri, profesionalizëm dhe efikasitet, të cilën moto do ta shpeshtojmë edhe më shumë për ta vënë në praktikë pas 3 nëntorit” – ka thënë Isufi.

Besa Baftiu, duke folur për rolin e gruas dhe duke treguar për konceptin e Lëvizjes VV! rreth rolit të pakontestueshëm të gruas në shoqëri, ka shprehur kritika të mëdha ndaj qeverisjes maskuliniste të subjekteve politike. “Te ne nuk kemi forume të gruas sikur në subjektet e tjera partiake. Te ne nuk ndodh që gratë të jenë në forume partiake dhe t’u themi se ju jeni në forume partiake dhe duhet të merreni vetëm me çështjen e gruas. Në Lëvizjen VV!, gratë merren me të gjitha çështjet dhe problemet e përgjithshme shoqërore, politike dhe aspektet e tjera të komunës e të shtetit. Ato nuk mbajnë poste publike vetëm pse janë gra, por se i meritojnë këto vende” – ka thënë Baftiu, raporton rajonipress.

Fundamenti

I pranishëm në takim ka qenë edhe nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se sa e kam lexuar listën për Gjilanin, është një përzgjedhje e shkëlqyer, në bazë të profilit dhe të biografisë së tyre. “Ismajl Kurteshi është njeriu i duhur i komunës. Ka cilësi të jashtëzakonshme, formim atdhetar. Kurteshi nuk është kandidat që duhet ta provojmë, ngase ai është provuar dhe ka treguar se është i pathyeshëm në qeverisje. Prandaj, Kurteshi i duhet Gjilanit, i duhet ndryshimit të madh, dhe unë që sot ia uroj fitoren e 3 nëntorit, duke i njohur tiparet e tij të jashtëzakonshme” – ka thënë ndër të tjerash Konjufca.

Pas fjalës së Konjufcës, kryetari Kurteshi, kandidat për kryetar komune, ka prezantuar të gjithë kandidatët me emër e mbiemër, duke folur për secilin ngapak dhe duke treguar për pikat e forta që kanë personalitetet në listë.

Lista e kandidatëve të Lëvizjes VV për Kuvendin Komunal të Gjilanit: Nevzad Isufi, Avni Rudaku, Besa Baftiu, Luan Aliu, Remzi Kqiku, Arijeta Rexhepi, Sami Shabani, Xhelal Hajrullahu, Mirvete Kurteshi, Saud Rrahmani, Fehmi Sylejmani, Krenare Latifi-Kqiku, Nebi Latifi, Besim Shabani, Kaltrina Zeka, Ramiz Murseli, Nexhmedin Bllaca, Lumnije Avdiu, Shaban Ramadani, Agron Shurdhani, Suzana Selimi, Sadat Salihu, Nexhat Neziri, Nafije Mehmeti, Ragip Abazi, Fazli Behluli, Valentina Ajeti, Ardian Azemi, Adonis Tahiri, Elmaze Rexhepi, Migjen Fazliu, Alban Hyseni, Mirigona Emini, Ismajl Veliu, Musli Shabani, Albulena Shabani, Leonard Miftaraj, Nexhmedin Bislimi./rajonipress/