RCCOLA

VV: Nuk ekziston “Zabeli i Sahit Agës” për PDK-në

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Lëvizja VV ka vazhduar agjendën e saj të takimeve mobilizuese me banorët e lagjeve të ndryshme të qytetit si: “Rruga e Kosovës” dhe “Zabeli i SahitAgës”.
Ismajl Kurteshi duke folur për situatën aktuale politike dhe alternativën që ka qyteti me Lëvizjen VV!, ka thënë para banorëve të lagjes së “ish Balecit” se nuk ka rrugë tjetër, pos heqjes nga pushteti të këtyre njerëzve që e kanë futur komunën e Gjilanit në borxhe deri në mbi 3.3 milion euro, të cilët kanë dëmtuar imazhin e komunës brenda dhe jashtë komunës, dhe kanë shpenzuar pa asnjë llogaridhënie.

“Komuna është në theqafje me këtë mënyrë të qeverisjes. Vetëm po të shohim se sa borxhe kemi hyrë ndaj furnitorëve, kompanive të ndryshme të ndërtimit dhe për mallra dhe shërbime, sa projekti ka mbetur pa përfunduar, sa fshatra kanë mbetur pa qasje në kanalizim, ujë të pijshëm, shërbime shëndetësore dhe me papunësi enorme, me detyrimin për të ikur jashtë vendit, mjafton të themi se kemi nevojë emergjente për ndryshimin e pushtetarëve dhe por edhe të mënyrës së udhëheqjes së komunës.Sot më nuk diskutohet se a kemi nevojë për ndryshime, por ato duhet të ndodhin si domosdoshmëri për të ndërruar drejtimin nga rruga e theqafjes në rrugën e mbarë, por edhe me sfida në fillimvitin e parë të qeverisjes dukë trashëguar një mal problemesh nga keqqeverisja e deritashme lokale e qendrore” – ka thënë Kurteshi.

Migjen Fazliu, kandidat për këshilltar komunal, ka thënë se kjo gjendje nuk duhet të komentohet, sepse po shihet nga të gjitha anët dhe nga të gjithë qytetarët. “Është gjendje e mjerueshme, shihet nga të gjitha anët keqqeverisja lokale dhe jemi sot këtu jo për të treguar të këqijat, por ne po bëhemi gati të dalim me projektin për zgjidhjen e këtyre problemeve të qytetarëve. Ne jemi të vendosur që ta duam e ta mirëmbajmë hapësirën publike dhe jo ta shkallmojmë atë siç ka ndodhur deri më tani” – u shpreh Fazliu.

Elmaze Rexhepi duke folur për lagjen rreth lumit “Mirusha”, ka thënë se kjo gjendje është brengosëse dhe po vazhdon projekti i ujërave të zeza të zvarritet jashtëzakonisht shumë. “Ne nuk mund të hapim asnjë dritare të shtëpive tona. Ka mungesë të ndriçimit publik, kundërmim, ujëra të zeza, rrugica të paasfaltuara, mungesë të hapësirave të gjelbërimit e shumë probleme të tjera që nuk lidhen me infrastrukturë, por me mungesë të deritashme të vizionit për zhvillimin ekonomik të komunës sonë”- ka theksuar Rexhepi.

Ismajl Veliu ka thënë se gjatë qeverisjes sonë lokale, do të insistojmë që asnjë vendim që bie në kundërshtim me interesin publik dhe ligjet në fuqi, të mos miratohet në Kuvendin Komunal. “Ne nuk do të lejojmë që të bëjmë pazare me interesin publik. E kemi guximin, ndershmërinë dhe vullnetin për ta zhvilluar qytetin dhe çdo cep të tij” – u shpreh Veliu.

Mobi Casa

Ndërsa në takimin me banorët e lagjes së Zabelit të SahitAgës, Ismajl Kurteshi, ua ka përkujtuar qytetarëve se si kjo lagje ka mbetur pa asnjë investim vetëm se nuk e kanë përkrahur kryetarin Qemajl Mustafa dhe PDK-në. “Ju keni mbetur pa asnjë investim për shkak se vullneti i juaj nuk ka qenë për ta votuar PDK-në dhe kryetari i komunës me disa nga bashkëpartiakët e tij posa e kanë marrë mandatin, kanë shikuar pasqyrën e votave dhe kur e kanë parë që kanë humbur tërësisht votën në lagjen tuaj të Zabelit të SahitAgës, nuk kanë bërë asnjë investim këtu. Kjo lagje dhe asnjë lagje tjetër apo fshat, nuk do të diskriminohet me baza të preferencave partiake dhe politike. Secila lagje dhe secili fshat është pjesë e komunës dhe kryetari i komunës gjithmonë duhet të jetë kryetar i të gjithëve e jo vetëm ortakëve të tij të biznesit” – u shpreh Kurteshi.

Mefail Ramadani, kryetar i pikës në këtë lagje, ka përkujtuar fjalët e thëna nga kryetari aktual i Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili kishte thënë: “Për mua, Zabeli i SahitAgës nuk ekziston”. “Është fatkeqësi që kryetari i komunës dhe ky pushtet na ka anashkaluar prej mandatit të parë e gjer në mandatin e dytë e të fundit. Të gjithë banorët e kësaj lagje e thonë këtë që ka thënë kryetari Mustafa dhe kjo nuk ka emër tjetër, përveç se është diskriminim politik dhe i papranueshëm për ne” – ka theksuar Ramadani.

Ndërsa pjesëmarrësit dhe banorët e tjerë të Zabelit të SahitAgës kanë shprehur zhgënjim dhe pakënaqësi deri në zemërim të skajshëm. Shumë prej tyre kanë shprehur mllefin ndaj diskriminimit politik të lagjes, duke përmendur shumë probleme: shumica e rrugicave të paasfaltuara fare, kanalizimi i parregulluar, problemet me ndriçim publik pasi përfshinë një pjesë kryesore edhe të ecjes së nxënësve nëpër errësirë teksa shkojnë nga shkolla në shtëpi dhe anasjelltas, sidomos gjatë zgjatjes së natës në sezonin dimëror. “Nuk kemi as kontinierë të mbeturinave” – u shpreh i mllefosur njëri ndër banorët.

Banorët kanë treguar për nevojën edhe të një shtëpie të shëndetit, problemin e qenve endacakë të cilët bredhin rreth thertores dhe shumë probleme të tjera të natyrës infrastrukturore, sociale, ekonomike e të ngjashme thuhet në një njoftim të degës së VV në Gjilan./rajonipress/