Fundamenti

VV: Lagje të Poneshit u diskriminuan politikisht

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi bashkë me nënkryetarin e Qendrës, Avni Rudakun, me kryetarët e pikave të Dheut të Bardhë dhe të Bresalcit, Murat Mustafën dhe Remzi Kçikun, si dhe me përgjegjësin për vullnetarët e rinj, Alban Hysenin, kanë zhvilluar një takim me banorët e fshatit Ponesh, për t’u njohur përfundimisht me prioritetet e fshatit, informimin për aktivitetet që do të organizohen gjatë muajit tetor dhe për të marrë qëndrimet aktuale të banorëve rreth zhvillimeve lokale në komunë.

Ismajl Kurteshi ka shprehur vendosmërinë e subjektit të Lëvizjes VV! për luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e efikasitetit në secilën drejtori komunale, qoftë edhe me buxhetin e njëjtë. “E dimë që nevojat e fshatrave dhe lagjeve të qytetit janë më të mëdha sesa mundësitë, por jemi të bindur se edhe me këtë buxhet mund të punohet më mirë, mund të ndalen disa shpenzime të panevojshme, mund të rriten donacionet duke krijuar mirëbesim dhe seriozitet te donatorët” – ka shpaluar para banorëve vizionin e tij zhvillimor të komunës, kandidati Kurteshi.

“Nuk do të ketë diskriminim politik në investimet komunale siç ka ndodhur. Do të trajtoheni barabarësisht nga komuna, pavarësisht që nuk do të mund t’i plotësojmë të gjitha nevojat dhe kërkesat e një vendbanimi brenda një viti. Do të vijmë në fshat e do të ju pyesim edhe njëherë se për çfarë keni nevojë më parësore dhe së bashku do të vendosim se ku do të investojmë paratë e ndara për Poneshin. Fshatit tjetër po ashtu do t’ia bëjmë njëjtë, duke bërë kështu një mënyrë tjetër të udhëheqjes me bazë parimin e drejtësisë, sepse dora jonë do të shtrihet në tërë gjeografinë e komunës, e jo diku të investojmë më shumë, e diku më pak, e diku hiç. E jo edhe aty ku investohet, të investohet pa cilësi dhe pa mbikëqyrje rigoroze të projektit, ashtu shkel e shko” – ka njoftuar banorët Kurteshi me parimet e tij të drejtimit të komunës.

UBT

Avni Rudaku duke folur për monitorimin e Kuvendit Komunal, ka treguar se si Kuvendi Komunal nuk e ka bërë punën si duhet, se si asambleja komunale ka qenë nën direktivat e kryetarit Mustafa, se si shumë asambleistë/e kanë qenë mjaft pasiv dhe pa ngritur ndonjë çështje me rëndësi për qytetarët. “Shumë asambleistë nuk e kanë kryer punën si duhet. Synojmë që asambleistët tanë të krijojnë një dinamikë të re brenda Kuvendit Komunal, të jenë më të zëshëm, më aktiv, më të guximshëm për të kritikuar propozimet apo raportet e punës së kryetarit të komunës. Jemi për ta fuqizuar rolin e asambleistit, i cili nuk shkon njëherë në muaj në seancë, vetëm të merr pagën dhe pas dy apo tri orë seancë në muaj, të hanë drekë me para të buxhetit komunal” – ka theksuar Rudaku, duke shtuar se 41 këshilltarë komunalë kanë shpenzuar para krejt panevojshëm për drekë, në një kohë kur komuna po ballafaqohet me krizë të rëndë financiare dhe sociale.

Banorët e disa lagjeve të Poneshit duke treguar për nevojat e fshatit janë shprehur të indinjuar thellë me qeverisjen lokale të Gjilanit. “Nëse shohim sjelljen e PDK-së në Gjilan edhe ndaj fshatit Ponesh, do të theksonim se është punuar diskriminueshëm. Veç këto lagje mbetën pa qasje në kanalizim, pa asfaltim, pa ndriçim etj. Kur ka reshje shiu, është vështirë për të gjithë, e veçanërisht për fëmijët dhe nxënësit, të cilët duhet të shkojnë me dy palë këpucë në shkollë ngase sapo të dalin jashtë oborrit të shtëpisë, u mbesin këpucët në baltë. Asfaltimi i rrugicave tona është nevojë urgjente dhe infrastruktura e tillë po na bën jetën e përditshme shumë të mërzitshme dhe plot me mllef. Rryma elektrike është problem tjetër i rëndë i fshatit dhe kemi probleme me elektrifikimin sidomos në sezonin vjeshtor e dimëror. Ka nevojë të domosdoshme për rinovimin e krejt sistemit elektrik në fshat” – tha Hikmet Shala, kryetar i pikës në Ponesh dhe banor në këtë vendbanim.

Një tjetër banor i cili me profesion ishte taksist ndonëse kishte mbaruar fakultetin, shprehu shumë brenga rreth vështirësive në punësim, alienimin në profesion, nepotizmin në komunë, paperspektivën e të rinjve, etj. “Ju Ismajl Kurteshi keni mbetur e vetmja shpresë e komunës dhe shpresojmë që të mos na zhgënjeni kurrë. Jemi shumë të brengosur se si po drejtohet komuna, se si po kryhen punimet me dallavere dhe se si kur është ndërtuar ura në fshat, i morën disa ‘traje’ të cilat kushtonin mjaft shtrenjtë, pa i pyetur banorët e fshatit dhe i dërguan diku tjetër për përfitim të dikujt. Patëm shprehur kundërshtimin tonë, por nuk e morën parasysh fare pakënaqësinë e manifestuar” – u shpreh ai thuhet në njoftimin e degës së VV në Gjilan./rajonipress/