RCCOLA

VV: Kosova jashtë Kushtetutës së Serbisë

/ 2 minuta lexim

Kritikuesit më të mëdhenj të procesit të bisedimeve me Serbinë kanë shfaqur edhe një herë kundërshtimin e ashpër kundër negociatave që po mbahen në Bruksel.

Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se bisedave duhet t’u jepen fund, nëse paraprakisht nuk plotësohet kushti kryesor, që është heqja e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë.

“Nuk bën të bisedohet assesi me një vend që na e konteston subjektivitetin, aq më pak të bisedohet për territorin e brendshëm të Kosovës dhe rregullimin shtetëror, kushtetues e territorial”, ka thënë Vraniqi për Telegrafin, duke komentuar takimin e sotëm në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Fundamenti

Ndërkohë, sot ka përfunduar takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic.

Kreu i Ekzekutivit të Kosovës ka deklaruar se grupet profesionale do të qartësojnë më mirë dhe në detaje çështjet të cilat janë diskutuar. Ai ka thënë se strukturat paralele të Serbisë duhet të shpërbëhen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Por, Lëvizja Vetëvendosje kundërshton negociatat në Bruksel, duke u arsyetuar se kjo i shkon përshtati Serbisë për të plotësuar kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa Kosova, sipas tyre, del humbëse. /Telegrafi/