Fidanishtja

VV ka përkrahje masive në Cërrnicë

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Karvani i shpalimit të programit qeverisës lokal është ndalur kësaj radhe në fshatin Cërnicë, në bashkëpjesëmarrje edhe nga fshatrat përreth si: Gumnishtë, Vrapçiq dhe Kravaricë.

Kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi, bashkë me nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në radhët e VV!-s, Glauk Konjufca, shoqëruar edhe nga asambleistët e ardhshëm të këtyre fshatrave dhe zyrtarë tjerë të Lëvizjes, kanë shpaluar vizionin, programin dhe synimin për katër vitet e ardhshme të mandatit qeverisës lokal.

Kryetari i pikës në Cërnicë dhe njëherazi aktivisti i shquar i Lëvizjes, Arsim Miftari, pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka deklaruar: “Shpresoj që muajit të nëntorit, si muaj i datave historike, t’i bashkëngjitet edhe fitorja e Lëvizjes VV!”.

Më pas, Ismajl Kurteshi, pasi prezantoi një hyrje të shkurtër të programit qeverisës lokal për ekonominë e bazuar në investime në bujqësi dhe mbështetje të prodhimeve vendore, në fushën e shërbimeve publike, administratë, planifikim urban, kulturë e fusha të tjera të rëndësishme, ka thënë se ne nuk jemi për të ndërruar qeverisjen aktuale e për të sjellur njerëz me fytyra tjera, por jemi për të ndërruar fytyrën e komunës. “Ne kemi program dhe këtë ua shpaluam. Ne deri më tash më shumë kemi shpenzuar kohën duke shoqëruar kritikën me alternativën. Në këtë muaj, më shumë po ju shpalosim alternativën tonë, sepse tashmë fytyrën e keqqeverisjes së këtij pushteti komunal e keni parë të gjithë dhe që nga largësia mund ta identifikoni. Ne nuk do të ndërrojmë fytyrat e njerëzve që qeverisin, por do ta ndërrojmë fytyrën e komunës. E tani për tani, kemi komunë jo me fytyrë, por të shfytyruar nga pushtetarë të korruptuar” – ka theksuar Kurteshi.

Uji Dea

Ndërsa Glauk Konjufca nga Prishtina, ka folur për zhvillimet aktuale në nivel republikan dhe se si keqqeverisja në Qeveri manifeston keqqeverisjen edhe në komuna. Sipas tij, kur flasim për keqqeverisje në Qeveri, ne flasim edhe për keqqeverisjen komunale. Më pas, ai ka folur për ndryshimet që po ndodhin pikërisht me epiqendër Gjilanin. “Ndryshimet duhet të fillojnë nga Gjilani dhe të përfundojnë me fitoren e ndryshimeve të mëdha që priten të jenë shumë shpejtë. Ju si Gjilan, keni përgjegjësinë historike të suksesit të këtyre ndryshimeve. Ne jemi këtu në fshatin e tribunit popullor dhe njeriut të vendosur, patriotit të shquar Ramiz Cërnica. Ai ishte shumë i vendosur, duke i thënë “Jo me Serbinë, po me Shqipninë”, ndërsa ne sot po i themi “Jo negociatave me Serbinë, dhe i themi jo edhe të keqes që ka mbuluar vendin” – është shprehur Konjufca.

Saud Rrahmani, ka folur për virtytet e jashtëzakonshme të kandidatit për kryetar të komunës, Ismajl Kurteshit dhe për projektet e nevojshme të Cërnicës. “Kurteshi është njeriu i duhur, njeriu i vendosur dhe njeriu i drejtë. Ai e meriton qeverisjen komunale, sepse është dëshmuar se është i pakompromis me të keqen. Madje, jo vetëm që distancohet dhe largohet nga e keqja, por edhe e lufton atë me të gjitha mjetet. Ai po të shikonte fatin personal, do të kishte privilegje të pamatshme, por ai zgjodhi rrugën e sfidave për të mirën e përgjithshme. Kurteshi i duhet Gjilanit, e sidomos në këtë periudhë të krizës së madhe morale, politike dhe socio-ekonomike. Një komunë që po degradon, duhet t’i besohet vetëm një njeriut të drejtë, të vendosur e të guximshëm si Ismajl Kurteshi“ – ka thënë asamblesti i ardhshëm Rrahmani.

Ndërsa Mirigona Emini, kandidate për asamblenë komunale nga fshati Vrapçiq, ka përmendur vështirësitë me të cilat ballafaqohet fshati i saj dhe fshatrat përreth. Ajo ka treguar edhe arsyet pse duhet mbështetur Lëvizjen më 3 nëntor. “Vrapçiqi ka mbetur pa ujë edhe në shekullin 21 dhe furnizohet nga kroi sikur në kohërat e mesjetës. Nuk ka fare ndriçim publik. Është premtuar edhe një shkollë, ndërsa banorët e fshatit e patën ndarë edhe parcelën e tokës, por asnjëherë nuk është realizuar. E kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka thënë se Vrapçiqi ka shkollë! Kjo është humbje e realitetit nga kryetari i cili nuk e njeh as komunën e vet, ose e njeh, por dëshiron t’i fsheh faktet e keqqeverisjes së tij. Ne do të jemi një asambleiste aktive, e angazhuar e përkushtuar, e jo një asambleiste që shkon vetëm njëherë në muaj për seancë sa për të marrë pagën. Do të jemi të guximshme për të kritikuar proceset e dëmshme për vendin dhe fshatin. Do të marrim pjesë aktive në prioritetet dhe investimet që bëhen në komunë dhe fshatrat në përgjithësi, në mënyrë që Vrapçiqit, Gumnishtës, Cërnicës e të ngjashme, t’i jepen ato mjete që i meritojnë. Do të jemi pranë jush në shfaqjen e pakënaqësive dhe nuk do të lidhim aleancë me pushtetin dhe do të rreshtohemi gjithmonë në anën tuaj” – ka thënë zëshëm Emini.

Pjesëmarrjen në këtë takim, e nderuan sidomos edhe prezenca e familjarëve të patriotit të përmasave të mëdha kombëtare, Ramiz Cërnicës. Pas shpalimit të programit dhe fjalëve të zyrtarëve të VV-s, pasoi diskutimi me pjesëmarrësit thuhet në njoftimin e VV dega në Gjilan./rajonipress/