VV-ja e quan zhvillimor buxhetin e 2025-ës – AAK-ja me kritika për bartje të projekteve e tepricë buxheti
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e konsideron si buxhet të varfërisë buxhetin për vitin e ardhshëm, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e konsiderojnë si zhvillimor.
LVV e AAK kanë mendime të ndryshme edhe për suficitin buxhetor. E para ia lë fajin Ligjit të Prokurimit, ndërsa AAK-ja e quan paaftësi.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, thotë për Ekonomia Online se buxheti për vitin e ardhshëm do duhej të përkrahej nga të gjitha partitë, pasi sipas tij, ky buxhet është rekord.Konsideron se ky buxhet ndikon direkt në mirëqenien e qytetarëve dhe në realizimin e projekteve kapitale.
“Kështu që konsideroj që është një buxhet i cili ndikon direkt ë mirëqenien e qytetarëve, direkt në realizimin e projekteve kapitale por edhe dikund direkt edhe në mbështetje të masave që qeveria ka në plan të ndërmarrë sa i takon zhvillimit ekonomik respektivisht mbështetjes së ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës mendoj që në fund të fundit është qëndrim opozitar që meqë jemi në fund të mandatit të ketë një vlerësim le te themi hezitues sa i takon miratimit të buxhetit në Kuvend ju patë që nuk kishte gatishmëri nga asnjë deputet i opozitës që të votoj pro buxhetit mirëpo unë mendoj që ky është më shumë një qëndrim politik për shkak edhe të rrethanave në të cilët jem pra në fund të mandatit dhe zgjedhjeve në prag pra në fillim të vitit që vjen dhe jo një le të themi një qëndrim përmbajtësor i mbështetur shumë në fakte për arsye se e them edhe një herë që buxheti pothuajse në gjithë sektorët parasheh një rritje substanciale prej 15 deri në 20 për qind më shumë se sa në vitin që po e lëmë pas”, thotë Hyseni.
Deputeti i VV-së ia lë fajin Ligjit të Prokurimit për suficitin buxhetor, pasi ankesat e kompanisë në projekte po janë të mëdha.
Sipas tij, ky akumulim suficiti është ndihmuar nga ankesat “burokratike” të kompanive.“… shohim që do duhej të kemi edhe një azhurnim të Ligjit për Prokurim me qëllim që të shkurtohen këto afatet ligjore dhe projektet të cilat planifikohen nga ana e Qeverisë të mos jenë peng i disa procedurave burokratike që disa aspekte ligjore ende i përmbajnë. Unë konsideroj që vullneti i Qeverisë ka qenë maksimalisht që të shtyjë përpara projektet dhe unë besoj që edhe stërzgjatjen e një projekti vjen nga ky niveli i procedurave por nuk e përjashtojë mundësinë edhe të një nevoje për të rritur edhe masën e përkushtimit të secilit zyrtar në secilin dikaster që është me qëllim që projektet të realizohen në afatin e paraparë dhe ato të jenë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Hyseni.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, thotë për Ekonomia Online se ky buxhet nuk është zhvillimor po i fukarallëkut, pasi sipas tij nuk i mbulon kërkesat që i kanë qytetarët.
“Ky buxhet është buxhet i fukarallëkut për shkak se është buxhet i cili nuk i adreson dhe nuk i mbulon kërkesat e qytetarëve të vendit. Në vend vërejtjen kryesore kanë qenë për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, furnizimin me barna, sigurimet shëndetësore, trajtimet ndaj vendit dhe ky ligj nuk i adreson me 3.5 për qind të GTB-së të ndara për shëndetësi është më pak se çdo vend në rajon. Vendi më i varfër në rajon i cili ndanë për shëndetësi është 6.4 të GTP-së që është Mali i Zi”, thotë Dreshaj.
Ndonëse thotë se buxheti në shifra është i madh, Dreshaj konsideron se i njëjti është rritur për shkak të bartjes nga viti në vit. Shpreson që qeverisja e ardhshme të jetë pa Lëvizjen Vetëvendosje dhe “të punojë për të mirën e qytetarëve”.
“Ne i kthehemi problemit të shfrytëzueshmerisë së buxhetit dhe ekzekutivit në vitin paraprak ne kemi parë shumicën e projekteve që kanë qenë për infrastrukturë dhe për projektet madhore në të gjitha qendra e Kosovës. Ne realisht kemi një buxhet prej 3.6 miliardësh por një pjesë e këtij buxheti është bartur nga viti paraprak dhe nga ato projekte madhore me investime kapitale të cilat nuk janë përmbushur në vitet paraprake dhe tani është bartur dhe është krijuar i gjithë ky buxhet. Nëse vazhdon një shkallë e tillë e implementimit në vitin që vjen atëherë ky buxhet nuk do të shfrytëzohet në vitin që vjen në pjesën më të madhe, uroj që qeverisja e ardhshme të mos jetë me mazhorancën aktuale të vijnë njerëz që kanë guximin dhe dinë të punojnë dhe të veprojnë dhe t’i implemetojnë projektet madhore për të mirën e qytetarëve të vendit”, u shpreh Dreshaj.