Eko Higjiena

VV: E vërteta e acarimit

/ 9 minuta lexim

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan reagon ndaj gazetarit dhe drejtuesit të portalit informativ rajonipress.com, përkatësisht gazetarit Musa Sabedini, pasi që ky i fundit ka hedhur një sërë deklarimesh dhe cilësimesh negative për kandidatin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Ismajl Kurteshin, duke mos e kontekstualizuar një relacion të personalizuar ndaj kryetarit.

Ismajl Kurteshi duke qenë një kryetar me tipar personaliteti që i thotë gjërat shumë troç dhe i vendosur për të folur drejtpërdrejtë në sy, ka kritikuar komunën e Gjilanit për subvencionimet e rregullta që ka dhënë në mënyrë asimetrike, duke mos i dhënë hapësirë të barabartë të gjitha portaleve informative, por ka dominuar financimin, reklamat dhe njoftimet e tjera nga komuna në këtë portal, të drejtuar nga Sabedini.

Ne konsiderojmë se portalet informative duhet të mbajnë reklamat e qeverisjes lokale apo qendrore, në mënyrë shumë transparente dhe duke respektuar të gjitha mediet, pavarësisht kush i drejton ato (me kriterin e vetëm të përgjegjësisë profesionale dhe kodit etik gazetaresk), sepse subvencionimi dhe dhënia e parave publike duke anuar kah një portal i vetëm, ndikon negativisht në pavarësinë e medieve dhe rrjedhimisht ndihmon pushtetin të plasojë dezinformata, t’i kontrollojë mediet dhe të shkallmojë transparencën.

Ne me portalin informativ rajonipress.com kemi bashkëpunuar vazhdimisht dhe nuk ka ngjarje që ka ndodhur e të mos i ketë komunikatat dhe shkrimet e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kushdo që dëshiron mund t’i shoh kronologjikisht të gjitha komunikatat tona në këtë portal. Prandaj, ne nuk do të dorëzohemi edhe atëherë kur vijnë këso lajmesh senzacionale dhe të krijimit të përshtypjeve të caktuara tek opinioni i gjerë publik, sepse kanë filluar të vijnë tendenca e sulme për ta ndalur hovin e mobilizimit të gjithmbarëshëm shoqëror dhe qytetar që po vjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Gjilan e gjetiu. Jo rastësisht në këtë javë e patëm edhe një gjuajtje vezësh në zyrën që gjendet në lokacionin “Arbëria”, ku kemi prurje të mëdha dhe masive të anëtarëve të rinj dhe kjo pa dyshim se ka krijuar shqetësime dhe ankth të fuqishëm në strukturat e pushtetit, por edhe tek ata e ato që janë të lidhur me këto struktura, ngase është fare pranë largimit nga qeverisja lokale dhe bashkë me pushtetin, do të humbin privilegjet edhe ndihmësit e mbajtjes së keqqeverisjes lokale. Po ashtu, në këtë kohë, sondazhi i një radiostacioni lokal radiostar.com, e ka ranguar Ismajl Kurteshin, si i pari kandidat pa konkurrencë, duke e lënë edhe kundërkandidatin tjetër që është në vendin e dytë, me 100 përqind mbrapa në numrin e klikimeve dhe të votave.

Po ashtu, me keqardhje mund të themi se si gazetari Sabedini e ka përmendur UDB-në lidhur me reagimin e Ismajl Kurteshit, pasi që e dimë kontekstin familjar dhe farefisnor të familjes Kurteshi, e cila gjithmonë është identifikuar si familje patriotike dhe shumë atdhetare. Madje, familja Kurteshi ka rol të pakontestueshëm në arsimimin kombëtar, siç ishte Mehmet Kurteshi – Pozhorani. Nëse një figurë nuk është kontestuar asnjëherë deri më tani dhe nuk është ngritur asnjëherë dyshim për patriotizmin e tij, atëherë mbetet Kurteshi dhe familja e tij. Po ashtu, as metodat të cilat i ka përdorur UDB-ja asnjëherë nuk mund të krahasohen me veprimet e Kurteshit ndaj Sabedinit, kur dihet se qyteti i njeh të gjithë se kush njeh metodat e këtij ish sigurimi famëkeq, prandaj për këtë nuk ka nevojë për asnjë leksion, sepse tashmë qytetarët e dinë saktë sa distancë të madhe kilometrike ka kandidati Kurteshi me ndonjë model sjelljeje të UDB-së. Përkundrazi, historikisht kjo familje dhe Kurteshi, kanë qenë të përndjekur nga UDB-ja dhe të burgosur.

Gazetari Sabedini njihet në qytet si “njeri i Qemajl Mustafës” (kryetarit të komunës së Gjilanit) dhe gjithmonë është me ata që fitojnë dhe kanë pushtetin. Prandaj, gjithçka që thotë ai, qytetarët e dinë dhe e njohin për së afërmi. Vetëm nëse marrim një shembull të animit të tij është se si lajmin “Gjuhet me vezë zyrja e VETËVENDOSJE!-s”, nuk e poston në faqen e parë, por e publikon në kolonën “Shoqërore”, ku ikën nga klikuesi dhe nuk është në faqen e parë posa të hapet portali nga klikuesi. Ai e bën këtë me qëllim, por ne kurrë nuk kemi reaguar për këtë gjë, pavarësisht operimit jo objektiv që ka realizuar, ndonëse kemi bashkëpunuar dhe nuk kemi ndërhyrë në mënyrën e menaxhimit të përmbajtjes së portalit.

Në anën tjetër, neve na vjen keq që portalet e tilla informative po shkelin kodin etik të gazetarisë dhe nuk po monitorohen nga organet e pavarura, lidhur me shkeljet etike të këtij profesioni aq të rëndësishëm për demokraci dhe zhvillim shoqëror.

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të gjitha mediet lokale dhe qendrore, sepse pa mbështetjen e medieve ne nuk do të mund kurrë të dërgonim mesazhin tonë drejt qytetarëve. Nuk do të kishim hapësirë për të shpaluar idetë, qëndrimet, kritikat dhe alternativat tona ndaj pushtetit aktual. Gazetarët gjithmonë janë pranë nesh dhe ne jemi pranë tyre, duke bashkëpunuar shkëlqyeshëm me të gjitha portalet informative lokale dhe qendrore, me të gjithë korrespodentët e gazetave të Kosovës dhe me të gjitha organizatat e shoqërisë civile. Prandaj, ndonëse ndodhi kjo akuzë pas një “ftese të gabuar” dhe hidhërimit të gazetarit ndaj kritikave që kemi bërë lidhur me subvencionet për portalin e tij dhe ‘lidhjet me pushtetin’, atëherë ne deshëm vetëm t’i sqarohemi opinionit të gjerë publik.

Në fakt, ka një acarim të kahmotshëm të Musa Sabedinit me kryetarin Ismajl Kurteshi dhe ne do ta mbyllim reagimin tonë me këtë komunikatë, duke mos harruar asnjëherë edhe kontekstin e personalizuar të gazetarit ndaj kryetarit dhe zemërimin e hedhur direkt ndaj tij, sepse kritiku më i madh i shokut të tij, Mustafës, është vetë Kurteshi.

Përndryshe, të gjitha mediet lokale dhe qendrore, i falënderojmë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi në plasimin e informatave dhe ngjarjeve për tërë opinionin e gjerë publik. Do të presim edhe shumë sulme të tjera gjersa të përfundon fushata, por nuk do të lëkundemi drejt ndryshimeve të mëdha që po vijnë për qytetin e Gjilanit. Ndërsa, për ne, mediet janë institucionet kryesore për zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe me to do të jemi gjithmonë bashkëpunuese. Pa mediet, nuk ekziston sot bash asgjë dhe jemi shumë të vetëdijshëm për këtë, por ne besojmë edhe në gazetari profesionale, ku respektohet kodi etik, e që fatkeqësisht, në këtë acarim, është thyer ky kod.

16 shtator 2013
Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Gjilan
___________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

Hidromorava

Rajonipress : Në vend të përgjigjes

Vërtet po na vije shumë keq për ta zënë hapësirën e agjencisë më të lexuar në rajon dhe po e shfrytëzojmë të njëjtin vend për të treguar se si po mundohet të manipulojë Ismajl Kurteshi me “parimet” e tija tashmë të tejdukshme.

Rajonipress mbetet ambasador i lajmit për Anamoravë dhe këtë e thonë të gjithë dhe s`kemi asnjë dilemë. Kur je më i mirë dhe më i forti kuptohet që ke edhe akuza nga më të ndryshmet. I tillë po del edhe ky reagim i Ismajl Kurteshit i cili mundohet të hedh tjetërkund atë inatin e tij ndaj suksesit që për pak kohë ka treguar Rajonipress.

Ne ju njoftojmë se Rajonipress merr më së paku reklama nga Komuna e Gjilanit. Bile do të befasoheni kur ta bëjmë publike listën e portaleve përfituese. Asnjëherë s`kemi marrë diçka që është e ndaluar me ligj. Njoftimet, reklamat, urimet janë të lejuara me ligj dhe aty jemi të barabartë me të gjithë.

Dua ta demantojë Ismajl Kurteshin se unë nuk varem as prej tij, as prej Qemajl Mustafës, të cilin e ka pasur kryetar. Rajonipress fatmirësisht është medium profesional që nuk ndikohet e as blihet. Neve na interesojnë argumentet, jo individët, jo politikat ditore. Dhe këtë e kemi dëshmuar disa herë deri tashti.

Kemi shumë klikime, kemi shumë urime për punën e mirë që po bëjmë dhe këto urime shyqyr zotit që nuk vijnë nga militantët politikë, por nga njerëz të profesionit të gazetarisë, dhe ky fakt na gëzon shumë.

Është tepër e ulët të merremi se kush me këndë është shok e mik. Kjo as donë koment sepse e dinë mirë historinë e tij Ismajl Kurteshi. Unë kurrë s`kam pasur dëshirë të vrapojë pas pushtetit, përkundrazi është e kundërta, sepse Ismajl Kurteshi me këtë moshë që ka po mundohet të vijë edhe njëherë në pushtet, dhe kjo s’është e ndaluar.

Unë të gjithë pushtetarët i njoh të të gjitha partive, por kurrë s`kam hyrë as në institucione e as në politikë. Emri im është i madh dhe ka domethënie për Gjilanin dhe qytetarët e saj dhe mundohem ta ruaj në maksimum këtë vlerë të mirë që e kam përfituar me vite të tëra.

VV do t`i ketë dyert e hapura për bashkëpunim dhe këtë se kemi vënë asnjëherë në dilemë. Nëse dikush e ka respektuar kodin etik në gazetari atëherë është Rajonipress sepse si themelues i saj i kam katër çmime të fituara pikërisht pse kam sulmuar pushtetarët dhe klasën politike të Ismajl Kurteshit.

Musa Sabedini – themelues