RCCOLA

VV: Cernica i thotë po heqjes së këtij pushteti

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Fshati Cernicë është vendbanim mjaft i rëndësishëm në lidhjen që bën me fshatrat si Vrapçiq, Gumnishtë, Kravaricë e të ngjashme. Rruga që kalon kah fshatrat aq prodhuese dhe të njohura për pemëtari ka bërë rezistencën më të fuqishme kundër decentralizimit të atëhershëm me baza etnike dhe historikisht ka një formim tepër të veçantë ideo-patriotik.

Fshati i identifikuar me një prej ikonave më kombëtare si Ramiz Cernica, ballafaqohet me shumë pengesa të mënyrës së jetës së përditshme, infrastrukturë, mungesë të investimeve komunale, papunësi e të rinjve, e të tjera.

Gjatë një takimi mobilizues me banorët dhe aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VV, kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, Ismajl Kurteshi, ka shpaluar vizionin dhe modelin e tij për rregullimin e lagjes, fshatit dhe rrugëve brenda qytetit.
“Po e finalizojmë krejt programin e detajuar për zhvillimin lokal të lagjeve të qytetit dhe të fshatrave. Cernica do të jetë pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e participimit për prioritetet, si dhe nevojat e përshkruara nga ju, do të jenë pjesë e projekteve për fshatin tuaj. Më mirë se ju askush nuk e njeh fshatin, prandaj ne kemi marrë shumë shqetësime të juaja dhe sot kemi ardhur t’iu informojmë se deri ku kemi arritur në përfundimin e projektit zhvillimor. Prandaj, sonte po ju japim lajme të mira: projekti zhvillimor qeverisës lokal po bëhet gati të dal nga furra dhe është pjekur duke bashkëpunuar direkt me ju” – u shpreh Kurteshi.

Saud Rrahmani ka folur për mungesën e infrastrukturës adekuate, mungesën e kanalizimit, për nevojën e mjekut kujdestar në ambulancë që të respektojë orarin dhe të vjen me kohë, për nevojën e një stomatologu të ri që nuk ka aktualisht fare. “Cernica ka pakënaqësi të mëdha dhe të gjitha kanë arsyeshmërinë e plotë. Kemi rini të papunësuar, deficit të politikave zhvillimore bujqësore, probleme me infrastrukturë të rrugëve, keqmenaxhim në ambulancën e fshatit dhe probleme të këtij lloji. Cernica nuk është vetëm fshati Cernicë, por është një fshat si qendër koncetrimi e shumë nevojave të fshatrave përreth” – u shpreh Rrahmani, i cili në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, është kandidat për këshilltar komunal në Listën e Lëvizjes VV në Gjilan.

Mobi Casa

Arsim Miftari, kreu i pikës në Cernicë, ka folur më shumë rreth organizimit dhe mobilizimit për zgjedhjet e nëntorit. “Jemi të gjithë me vullnetin për ta ndryshuar keqqeverisjen. Nuk durohet kjo gjendje e tanishme me grumbullim të shumë problemeve, të cilat kanë adresë keqqeverisjen aktuale lokale në komunë. Prandaj, po ju ftojmë bashkëqytetarë të mi dhe ju aktivistë, që prej tash e tutje të jemi edhe më energjik në ritmin aq dinamik të punëve para fushatës. Kjo fushatë është më e veçantë sepse do të jetë fushatë e dënimit të ashpër të keqqeverisjes për dy mandate të komunës së Gjilanit dhe akti i çlirimit nga kjo keqqeverisje do të konsiderohet akt historik”- theksoi Miftari, i cili e përfundoi fjalën duke treguar për frymën aq disponuese për fitoren e Lëvizjes VV në Gjilan dhe kurorëzimin e ndryshimeve të vërteta.

Ndërsa Mirigona Emini, kandidate për këshilltare komunale nga fshati Vrapçiq, ka rrëfyer krejt historikun e ngecjes së investimeve në këtë fshat. “Vrapçiqi ka mbetur pa ujë edhe në shekullin 21 dhe furnizohet nga kroi sikur në kohërat e mesjetës. Nuk ka fare ndriçim publik. Është premtuar edhe një shkollë, ndërsa banorët e fshatit e patën ndarë edhe parcelën e tokës, por asnjëherë nuk është realizuar. Krejt fshatrat e Gjilanit janë të pakënaqura dhe në mesin e fshatrave që mbetën me intensitetin më maksimal të pakënaqësisë nga kjo keqqeverisje, është edhe fshati Vrapçiq” – ka thënë Emini.

Banorët e fshatit Cernicë dhe atyre përreth konsiderojnë se lokaliteti i tyre ka mbetur anash secilit investim komunal, madje disa prej banorëve përmendën edhe shumë defekte në politikat e zhvillimit të bujqësisë dhe të pemëtarisë, mungesën e mbështetjes komunale për këta sektorë aq të rëndësishëm për këtë anë thuhet në komunikatën e VV dega në Gjilan./rajonipress/