Vrasja e vëllezërve Saqipi, 26 vite dhimbje dhe krenari, pavdekësi në kujtesën kombëtare
Gjilan – Vrasja mizore e vëllezërve Isa dhe Shaip Saqipi, e ndodhur më 26 janar të vitit 2000, mbetet një nga ngjarjet më të rënda, por njëherësh më dinjitoze të historisë më të re shqiptare në Luginën e Preshevës. Një akt barbar i forcave serbe që tronditi Dobrosinin, por që u shndërrua në pikë kthese për mobilizimin kombëtar dhe daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).
Edhe sot, pas 26 vitesh, ajo ditë e acartë janari mbetet e skalitur thellë në ndërgjegjen e Dobrosinasve dhe të mbarë shqiptarëve, një ditë njëkohësisht e dhimbshme dhe krenare.
Vëllezërit Saqipi, të njohur për urtësinë, ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj jetës e punës, u shndërruan në simbol të sakrificës dhe rezistencës, duke hyrë përgjithmonë në panteonin e figurave të pavdekshme të kësaj treve.
Vrasja e tyre nuk e theu shpirtin e popullit, përkundrazi, e forcoi vendosmërinë për rezistencë dhe vetëmbrojtje. Ajo shërbeu si katalizator për një mobilizim më të gjerë rreth UÇPMB-së, duke i dhënë Dobrosinit një rol qendror në historinë e re shqiptare. Që nga ajo kohë, emri i vëllezërve Saqipi përmendet me nder, këndohet në këngë dhe rrëfehet si histori që nuk shuhet.
Përkujtimi i tyre jeton fuqishëm edhe në brezat pasues. Samire Saqipi, vajza e dëshmorit Isa Saqipi, shprehet se mungesa e babait dhe xhaxhait të saj është një plagë që nuk mbyllet kurrë, por edhe një burim krenarie të përhershme.
“Unë gjithmonë jam me ta, gjithmonë jam me veprat e tyre të mira që na kanë lënë. Ata janë të pavdekshëm dhe do të kujtohen e nderohen sa të ekzistojë historia shqiptare. Jam krenare që jam bija e dëshmorit dhe nuk do të ndalem kurrë së promovuari këtë histori, sa të dhimbshme aq edhe krenare,” shprehet ajo.
Në një mesazh emocional, Samirja thekson se burrëria, mençuria dhe drejtësia ishin tiparet themelore të personalitetit të tyre, vlera që sot shërbejnë si udhërrëfyes për jetën njerëzore dhe të ndershme. “Ju jetoni me ne dhe ne jetojmë me kujtimet për ju. Babush e xhaxhi im, pushoni të qetë”, shkruan ajo.
Ndërkohë, kryetari i Bashkësisë Lokale në Dobrosin, Reshat Salihu, thekson se rënia e vëllezërve Saqipi dhe organizimi i UÇPMB-së përbëjnë një ngjarje historike me peshë kombëtare.
Sipas tij, 26 janari i vitit 2000 e vendosi Dobrosinin në hartën e historisë së rezistencës shqiptare.
“Falë kësaj dite, Dobrosini hyri në historinë më të re shqiptare. Rënia e vëllezërve Saqipi u bë shkak që UÇPMB-ja të mobilizohej fuqishëm për mbrojtjen e popullatës së pambrojtur nga dhuna e ushtruar nga forcat serbe, të cilat, pas largimit nga Kosova, vazhdonin represionin në vendbanimet shqiptare të Luginës,” ka deklaruar Salihu.
Ai shton se për 18 muaj rresht, Dobrosini ishte strehë dhe mbështetje e palëkundur për UÇPMB-në, duke sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe bashkimin me trungun kombëtar.
Sipas tij, ky fshat legjendar meriton nderim të përhershëm dhe përkujdesje institucionale, pasi në zemrën e tij prehen përjetësisht martirët vëllezërit Saqipi dhe dëshmorët Daut Sulejmani, Artan Abazi dhe Berat Sinani.
Historia e vëllezërve Saqipi mbetet dëshmi se sakrifica për liri nuk harrohet kurrë. Ata janë më shumë se kujtim, janë ndërgjegje, janë frymëzim dhe janë pavdekësi.
Lavdi vëllezërve Saqipi dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri./rajonipress/





