Hidromorava

Vrasësit e qytetit

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Prishtina sot është larg asaj që e mendonte Rexhep Luci. Prishtina sot është larg asaj çfarë e dëshirojnë qytetarët e saj. Prishtina sot është e vrarë. E, nuk vret veç plumbi.

Rruga që mban emrin e tij gjithnjë është kaotike. Shoferë me makina që kërkojnë parking e nuk gjejnë, të tjera që janë parkuar në trotuarë, qytetarë që detyrohen të lëvizin nëpër rrugë, fëmijë që s’kanë ku të luajnë, tavolina kafeterish gjithandej, kontenjerë me mbeturina nga të cilët të zihet fryma, papastërti e zhurmë.

Rruga që mban emrin e tij gjendet në qendër të kryeqytetit dhe është vetëm një nga shumë të tjera, të cilat janë në të njëjtën derexhe.

Për ironi, rruga mban emrin e Rexhep Lucit, njeriut që u vra para 13 vjetësh nga “dikush” vetëm pse deshi të vejë rregull. Nga “dikush”, i cili me vrasjen e tij çoi mesazhin se në Prishtinë po fillonte epoka e degradimit dhe uzurpimit. Epoka e plaçkitjes – epoka e kaosit.

Njerëz të fortë, kushërinj e miq të njerëzve të fortë, komandantë, ndihmës të komandantëve, kushërinj të komandantëve, biznesmenë, soj i biznesmenëve e kriminelë nisën uzurpimet e zaptimet e gjithçkaje që mundën, e më së shumti të hapësirave publike.

Pa kurrfarë kriteresh, pa respektuar kurrfarë ligji a rregullore ata filluan ekspeditën e shkatërrimit të qytetit, duke e çuar atë drejt një anarkie totale urbane. Thua se Prishtina iu kishte faj pse ishin injorantë, pse e urrenin qytetin dhe gjithçka që lidhej me të, pse ishin maskarenj.

Qyteti po shkatërrohej, e qytetarët e ndërgjegjshëm nuk gjenin forcë të kundërshtonin. Ishte çmenduri madje edhe të mendoje të kundërshtoje, sepse mund të “shpërbleheshe” shumë lehtë me një plumb në kokë. Plumba kishte boll, e jetët e njerëzve kushtonin lirë.

Rexhep Luci po provonte të mbronte Prishtinën nga ata që donin ta gllabëronin. Donte të vinte rregull, të mos lejonte degradimin, shkatërrimin e saj. Por, urrejtësit e qytetit nuk e lanë.

Rexhep Luci u vra, sepse e deshi Prishtinën, e deshi Qytetin. Me vrasjen e tij u vra ëndrra për qytetin, u vra qytetaria, u vra qyteti. Me vrasjen e tij humbën qytetarët dhe fituan ata që nuk e durojnë qytetin, qytetarinë. Fituan maskarenjtë.

Sot, pasi kanë marrë gjithë çfarë kanë dashur, ata mund të pinë kafe çdo ditë në rrugën “Rexhep Luci”. Edhe vrasësit ka mundësi të sillen andejpari. Të lirë e pa frikë se do të marrin dënimin për krimin e kryer.

UBT

* * *

Në përvjetorin e 13’të të vrasjes, për Rexhep Lucin u kujtuan vetëm familjarët. Askush tjetër s’e përmendi, as i vuri lule mbi varr.

Në përvjetorin e 13’të të vrasjes, rruga që mban emrin e tij është fotografia e shëmtuar e kryeqytetit. “Mjerim e poshtërim jo vetëm për neve që gjallnojmë (se me jetu nuk jetohet aty), po edhe për emrin e kujtimin e të ndjerit”, kishte shkruar një qytetar në Facebook.

Po në Facebook kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, po i thurte lavde qeverisjes së tij. Po thoshte se bashkë me të punuan njerëzit që e duan Prishtinën – “punuan të gjithë me përkushtim e dashuri për Prishtinën, punuan me përgjegjësinë e tyre qytetare”.

“Juve që gëzoheni me të arriturat e Prishtinës do të vazhdoj t’ju informoj për projektet tona. E di që ju gezoheni, sepse Prishtinën e përjetoni si shtëpinë tuaj, jo si qiragjinj”, po shkruante Mustafa.

Por, në gjendjen çfarë është katandisur Prishtina, qiraxhinj kanë nisur të ndihen të gjithë. Në Prishtinën e udhëhequr nga Isa Mustafa është bërë vështirë të jetohet.

E di, përgjigjja e Mustafës mund të jetë arrogante, siç di të tregohet edhe ai shpeshherë. Mund të thotë se ata që nuk e pëlqejnë Prishtinën kanë mundësi të shkojnë të jetojnë tjetërkund. Mirë, por a e shfajëson kjo atë dhe partinë e tij nga përgjegjësia që kanë pse Prishtina është shkatërruar e degraduar deri në këtë masë?

Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij edhe mund të mendojnë se kanë punuar “me përgjegjësinë e tyre qytetare”. Por, kjo “përgjegjësi” e ka kthyer Prishtinën në një karikaturë prej qyteti, e ka kthyer në një grumbull betoni e armature, në një qytet të ngulfatur nga kaosi urbanistik, në një qytet që më së paku është qytet – në një qytet të shpërfytyruar e të kapur nga grupe biznesi e krimi që fitojnë miliona.

Të gjithë ata që e sollën Prishtinën në gjendjen çfarë është sot morën çfarë deshën e vazhdojnë të marrin çfarë të duan nga ajo, por i dhanë pak, shumë pak. Madje nuk i dhanë as dashuri. Sepse, urrejtësit nuk dinë të falin dashuri.

Prishtina sot është larg asaj që e mendonte Rexhep Luci. Prishtina sot është larg asaj çfarë e dëshirojnë qytetarët e saj. Prishtina sot është e vrarë. E, nuk vret veç plumbi.