Votë për kot
Nga Xhemal Ahmeti – Në stilin e asketoakrobatëve religjiozë të trinitetit, njëshit apo hiçit të lindjes (abrahamitët dhe të tjerët) KOMUNISTËT premtuan parajsën, barazinë totale, shoqërinë dhe lirinë pa klasa. Mirëpo, sollën tiraninë duar, gojë e trupranguese, instaluan diktaturat nga më të egrat e historisë së «suprakafshëve».
Që në fjalimet e para karshi ludistëve, KAPITALISTËT, neoliberalët dhe gjithë të kamurit e globit premtojnë e zotohen, se sa më të pasur të jenë ata aq më shumë mirëqenie do të ketë për punëtorët, lagjet, shoqëritë. Asgjë deri sot. Më së gjysma e planetit mezi rri në këmbë nga uria, skamnorët varfërohen, të pasurit blejnë tunele e bunkerë për t’i palosur paret sa më sigurt, planeti është çresursuar deri në bërthamën e qendrës.
RELIGJIONET demonizojnë, kriminalizojnë dhe mallkojnë jetën për ta bërë atraktive parajsën në nëntokë, mbi tokë. Premtojnë sferat përtej se këto këtej nuk i bëjnë dot. Profetët, gurutë dhe «komandantët» e armatës hyjnore vdekjen e sugjerojnë si portën nga nis dinjiteti, barazia, liria. Homo digitalis-i i sotëm, pa u bërë ateist e ka kuptuar se religjionet madje kanë premtimet më abstrakte dhe të patoka se gjithë tjerët.
Edhe pse të gjitha këto megaideologji që i listuam e që janë nëna e shumë të tjerave kanë dështuar si irracionale, pa sukses sepse gjithçka që bënë vetëm premtuan, shumëkund ato mbeten aktuale, sërish ndezin si magnet gjithkund ku masat gjenden në krizë. Njerëzit, njëherë idiotë, përherë injorantë?
Nëpërmjet kësaj vizite doktrinave, filozofive, ideologjive, historisë së ideve ilustrojmë amshueshmërinë e sistemit: historikisht e aktualisht çdo sistem politik ka pasur nevojë që të mbështetet në një filozofi (i)racionale, hyjnore apo kulturaliste.
Mijëra teori janë përpjekur dhe tentojnë të zbërthejnë enigmën se pse humaniteti, historikisht e gjithmonë, bëhet pre e premtimeve të ideologjive. Enigma koklavitet edhe më shumë në kushtet e pasmodernës, kësaj periudhe të informacionit falë, të shpejtë dhe me aq shumë mundësi krahasimi, matjeje, verifikimi. Si sillen shqiptarët në këtë kontekst?
IDEOLOGJITË DHE PLISAT
Shoqëritë shqiptare janë të krizës. Politikat shqiptare sot nuk bazohen në asnjërën nga ideologjitë që radhitëm lartë. Në nacionalizëm jo më. Në globalizëm po ashtu jo. BE-në e kanë farsë dhe e shohin vetëm si bankë sepse as idenë nuk ia elaborojnë dot, nuk ia njohin. Religjionet (fatmirësisht) nuk i përfillin si burim etik të politikës së tyre.
Me çka atëherë bind politikani qytetarin kosovar që t’ia japë votën? Nëse analizojmë ato gjatë sezonit elektoral shpejtë fitojmë përshtypjen sikur të mundemi lehtë të dëshmojmë ato teoritë e jo pak filozofëve, antroposociologëve, historianëve të shekullit që shkoi, të cilët sinjalizuan vdekjen e ideologjive të mëdha pasi besonin të kemi hyrë më në fund brenda epokës së racionalizmit rigoroz, atij iluminimi që La Mettrie dhe Condillac madje e kishin paralajmëruar qysh në shekullin 18. Kanë flakur shqiptarët ideologjitë sepse kanë sajuar një të veten?
ZGJEDHJET SI ZBAVITJE
Në rrjetet sociale lexuam: «Sa më shumë që premtojnë partitë aq më shumë averzion mbjellin». Jo tek të gjithë. Ndoshta tek një pjesë e të arsimuarve, politikanët premtues të tokëqiellit kanë humbur çdo ndikim, mirëpo tek shumica jo. Plotë njerëz ende u besojnë, nëse jo për gjë tjetër atëherë për mos ia mbytur vetes ëndrrat, shpresat që i mbajnë gjallë. Mos i ka mbetur gjë tjetër skamnorit, të përjashtuarit, të diskriminuarit, të papunit, përveç se të ngarend pas iluzioneve që si uzina prodhojnë politikanët drejt pushtetit?
Politikanët votohen e stërvotohen edhe pse që nga çlirimi e deri sot të njëjtat premtime i japin, tashmë disa herë të konkluduara si të parealizuara dhe gënjeshtra. Përderisa, perëndimit partitë janë më perfide dhe dinë që premtimet t’i maskojnë me patriotizmin, proteksionin karshi globalizmit e të ngjashme, partitë shqiptare as këtë nuk e bëjnë.
Premtimet e tyre janë aq boshe dhe njëkohësisht aq absurde, saqë të sjellin me çdo kusht teorinë e Neil Postman-it në kryeveprën e tij «Amusing Ourselves to Death» në kokë, i cili thoshte se shoqëritë kalojnë nga ato kulturore, me përmbajtje në ato zbavitëse ku asgjë nuk është më serioze, as ekzistenca, as jeta e as vdekja. U ka ardhur shqiptarëve vërtet pas lirisë së paradokohshme koha që edhe të zbaviten me lirinë, shtetin, fatin e tyre?
I PAILUMINUAR APO UTILITARIST
Asnjëra nga partitë pra nuk disponon me ndonjë program të kompletuar mbi shtetin, kulturën, identitetin, mirëqenien, sigurinë sa për ta njohur e pranuar si filozofi e një shoqërie në drejtim të konsolidimit të saj. Kosova nuk del varri i ideologjive sepse aty masat paskan arritur nivelin e shoqërive ultramoderne, porse politika shqiptare asnjë ideologji nuk e ka marrë kurrë seriozisht dhe gjithçka që ka huazuar prej tyre është metoda.
Tek plisëbartësit nuk qenkan problem idetë dhe ologjitë e tyre si prapashtesë, sepse shumica nuk i njeh fare, por metoda, mjeti: premtimet janë biznesi i vetëm politik i atyre që synojnë pushtetin. Konkretisht, politikanët shqiptarë nuk paskan nevojë as të djersiten duke arsyetuar premtimet mbi doktrina klasike e të reja, sepse ato, premtimet, konsumohen pa problem edhe pa përmbajtje, boshe, ashtu siç janë dhe atë nga dy kategori që duket të jenë shumica e elektoratit shqiptar: 1. Nga të tillët që nuk janë të iluminuar dhe vazhdimisht bëhen pre premtimesh edhe pa përmbajtje dhe 2. Nga të tillë që janë të vetëdijshëm, por për shkaqe egocentrike i përdorin ato për të arritur synimet ego apo grupocentrike.
Nëse argumentet dhe përfundimet e kësaj trajtese qëndrojnë, pra se shumica në shoqëritë shqiptare manipulohet edhe me iluzione e premtime pa përmbajtje, atëherë edhe gjatë Kosova do të votojë kështu siç voton. Politikanëve u mjafton vetëm maksima e përdorimit të floskave që premtojnë vertikalitet në akëcilin drejtim për t’ia kapur votën çdokujt dhe drama pasurohet edhe me një akt të ri. Racionalistët dhe ithtarët e realpolitikës qenkan pakica absolute e vendit. 8 qershori do ta ridëshmojë këtë!


