Fundamenti

Vllasi: Tito ishte kroat, me akcent të vendlindjes

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Ish-funksionari i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, i ka demantuar pohimet se ish-lideri i Jugosllavisë, Josip Broz Titoja mund të ketë qenë rus ose polak.

Vllasi thotë se Tito ka lindur në Kumrovc të Kroacisë dhe se për këtë ekzistojnë dëshmi.

“Titoja nuk ka qenë serb, jo se jo, por as polak e rus jo. Ky ka qenë një spekulim”, ka thënë Vllasi për Express.

Para disa ditësh, Shërbimi i Inteligjencës Amerikane (CIA) ka publikuar një raport të hartuar në kohën e Titos, në të cilin hedhen dyshime për prejardhjen e tij.

RCCOLA

CIA ka analizuar një fjalim të Titos nga viti 1977 dhe argumentoi se ai flet gjuhën “serbokroate”, mirëpo me theks të huaj. Sipas kësaj agjencie, dyshimet kanë qenë se udhëheqësi i dikurshëm i Jugosllavisë ka mundur të jetë rus ose polak.

Dyshimet e CIA-së për aksentin e Titos, Vllasi i arsyeton me faktin se ish-prijësi i Jugosllavisë ka pasur prejardhje nga rajoni kroat Zagoria, ku e kanë theksin më ndryshe prej pjesëve të tjera të Kroacisë.

“Titoja e ka pasur akcentin tipik prej vendlindjes së tij”, ka shtuar ai. “Përndryshe, pa asnjë dyshim ekzistojnë librat amzë. Titoja ka lind në Kumrovc, një katund në veriperëndim të Kroacisë. Nënën e ka pasur sllovene e babën kroat. Sot e kësaj e dite në Kroaci kanë disa dialekte. Për shembull atyre të Zagories ju thonë zagorci, ku ka lindur Tito. Ata e flasin një dialekt specifik mes vete dhe sot kroatët e Zagrebit me shumë vështirësi i marrin vesh”. /Express/