Shaqiri i rikthen kujtimet për shqiponjën ndaj Serbisë: Provokimet ndaj familjeve tona na dhanë edhe më shumë motiv
Xherdan Shaqiri i ka rikthyer kujtimet nga karriera e tij e jashtëzakonshme, duke folur për momentet më të rëndësishme me klubet dhe përfaqësuesen e Zvicrës.
Në intervistën për emisionin “Larmandillo” të gazetarit Armando Ceroni, në televizionin zviceran RSI, nuk mungoi as një nga episodet më të veçanta të karrierës së tij: ndeshja kundër Serbisë në Kupën e Botës 2018 dhe festimi me shqiponjën dykrenare, përcjell “Gazeta Express”.
Për shqiptarët, ajo mbrëmje e 22 qershorit 2018 mbetet e paharrueshme.
Zvicra fitoi 2:1 ndaj Serbisë, me Granit Xhakën që barazoi rezultatin dhe Shaqirin që shënoi golin vendimtar në minutën e 90-të.
Të dy futbollistët me prejardhje shqiptare festuan duke bërë simbolin e shqiponjës me duar, një gjest që u bë menjëherë një nga imazhet më të famshme të atij Botërori.
Shaqiri, i lindur në Kosovë, nuk e ka fshehur asnjëherë lidhjen me vendin e origjinës dhe emocionet që mbartin këto përballje.
Në një intervistë të mëparshme për televizionin zviceran SRF, ai kishte zbuluar se para ndeshjes ndaj Serbisë, familjet e tyre ishin përballur me shumë provokime, veçanërisht në rrjetet sociale.
“Shumë gjëra u shkruan në atë kohë. Familjet tona dhe ne vetë u provokuam jashtëzakonisht shumë nga pala serbe para ndeshjes së Botërorit 2018, sidomos në rrjetet sociale. Kjo krijoi tek ne një uri edhe më të madhe për fitore. Në fund, e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte fitorja në fushë”, kishte deklaruar Shaqiri.
Edhe para ndeshjes, futbollisti kishte tërhequr vëmendjen me këpucët e tij, në të cilat kishte vendosur flamujt e Zvicrës dhe Kosovës.
Për Shaqirin, këto simbole përfaqësonin historinë e jetës së tij. Ai dhe Xhaka u gjobitën nga FIFA për festimin me shqiponjën, por kjo nuk e zbehu rëndësinë që ai moment pati për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.
Në intervistën e re për RSI, Shaqiri foli edhe për karrierën e tij te Baseli, Bayern Munichu, Interi dhe Liverpooli.
Ai kujtoi gjithashtu golin spektakolar me roveshatë ndaj Polonisë në Kampionatin Evropian të vitit 2016, zhgënjimet nga Botërori 2014 dhe raportet e tensionuara me ish-përzgjedhësin e Zvicrës, Vladimir Petkovic.
Një prej rrëfimeve të tij lidhej edhe me periudhën te Interi, ku kishte mbërritur mes pritshmërive të mëdha dhe përkrahjes së mijëra tifozëve.
“Te Interi kishte një rrëmujë të madhe”, kujton Shaqiri, duke iu referuar problemeve financiare dhe vështirësive që po kalonte klubi italian në atë periudhë.
Ai foli edhe për një episod interesant jashtë fushës, që përfshinte Valon Behramin gjatë kualifikimeve për Kampionatin Botëror.
Sipas gazetarit Ceroni, ajo mbrëmje kishte rrezikuar të përfundonte në faqet e gazetës zvicerane Blick.
Shaqiri u pyet edhe për të ardhmen dhe mundësinë që një ditë të bëhet trajner.
Përgjigjja e tij ishte e qartë: “Nuk e di. Dua të mbetem në futboll”. Megjithatë, për momentin, dëshira e tij është të vazhdojë të luajë.
Përtej trofeve dhe golave të shumtë, historia e Shaqirit mbetet e veçantë edhe për lidhjen me Kosovën dhe krenarinë shqiptare.
E mbrëmja kundër Serbisë, me golin e minutës së fundit dhe shqiponjën dykrenare, vazhdon të jetë një nga kapitujt më të paharrueshëm të kësaj historie. /Gazeta Express

