VLAN, Jahjagës: Ne jemi shumica, ne jemi zgjidhja e menjëhershme

Liderët e koalicionit VLAN, sot kanë zhvilluar një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Takimi me presidenten Jahjaga ka ardhur pas dështimit të seancës së sotme të Kuvendit, për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
Paraprakisht presidentja Jahjaga ka pasur takime edhe me përfaqësues të PDK-së, të komunitetit serb dhe të komuniteteve tjera pakicë.
Pas takimit me presidenten, Isa Mustafa tha se kanë prezantuar ofertën e tyre për realizimin e projektit të Bllokut LDK-AAK-NISMA. I pyetur se a parashohin arritjen e ndonjë marrëveshje për një Qeveri gjithëpërfshirëse, Mustafa tha se “pikërisht marrëveshja e Bllokut parasheh formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse”.
“Ne e kemi një shumicë që ofron zgjidhje të menjëhershme. Po ashtu, kërkuam që të kufizohet koha e thirrjes së seancës, në mënyrë që deputetët të kërkojnë të drejtën e tyre”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se pasi që realizimi i pikës së 126 të Gjykatës Kushtetuese ka dështuar, presin që Bllokut t’i jepet mundësia që të vazhdojnë me realizimin e pikës 127. /Telegrafi/
“Bllokmenët” hyjnë tek presidentja
Përfaqësuesit e bllokut opozitar LDK-AAK-Nisma, të cilët ditë më parë nënshkruan marrëveshjen për krijimin e koalicionit VLAN, kanë hyrë në takim te presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.