Vjeshta e vogël dhe fushata e madhe

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Artur Zheji- Me sa duket vera po largohet ditë mbas dite. Jemi në vjeshtë, por dimri i ashpër i fushatës elektorale është tashmë këmbëkryq. Nuk mungojnë sulmet maratonë. Reciproke. Pa vetëpërmbajtje. Radikale. Në verën e vitit që vjen, luhet një ‘lojë e madhe’, e cila ka nevojë simbas të interesuarve për një fushatë të madhe.

Me shenjat e deritashme, kjo fushatë nuk do të jetë selektive. Do të përzihet bashkë e tashmja dhe interpretimi i të shkuarës. Do të përpilohen dhe do të zhgarraviten në mënyrë krijuese biografitë e kundërshtarëve, ku padyshim ekzaltimi pasional dhe interpretimi deformues i të shkuarës, apo i huqeve reale apo të stisura të individëve politikë, do të errësojë konkurrimin e programeve.

Pasionet pra po mahisen, paq, që këtë vjeshtë. Në aktivizimin e baterive të artilerisë sulmuese duket se Opozita, aktivistët apo mbështetësit e saj, përpiqen të instrumentalizojnë edhe grevën fatkeqe të një grupi të persekutuarish politikë, të cilët kanë mbetur pa shpresë për marrjen e dëmshpërblimeve për kohën e vuajtur në burgjet staliniste shqiptare.

Drama e tyre është e madhe dhe e shumëfishtë. Drama e tyre është një njollë më shumë për të gjithë ne. Realiteti i tyre, mjerimi dhe varfëria ekstreme, e bëjnë të thekshme lëngatën dhe britmën e tyre. Mungesë e pafalshme e seriozitetit dhe eficiencës në zgjidhjen dhe përmbushjen e kërkesave të tyre, është një përgjegjësi e të gjitha qeverive shqiptare. Që nga zanafilla e pluralizmit në agun e lindjes së sistemit të ri, e derimë tani.

Ta peshosh mbi shpatullat e Berishës, të tërën e kësaj çështjeje, nuk është realiste por është më së shumti elektorale. Nga ana tjetër, nuk mendoj se mund të lahen duart kollaj nga protesta dhe greva e tyre e urisë. Nëse ajo grevë merr një kthesë negative, hije të pakëndshme do të ‘shëtisin’ për një kohë të gjatë në koshiencën e opinionit publik shqiptar.

Mobi Casa

Re të zeza lëvrijnë lart e poshtë, për sa i përket sulmeve individuale, që me sa duket do të jenë në stilin e fushatës që ka filluar de facto. Në mënyrë të ethshme grumbullohen dhe stivosen të dhëna apo të thëna, mbi cilindo që ka një protagonizëm politik. Kupa me helm dhe kazanë me zift. Katranin e cilësisë së parë, i cili është vënë në zjarr të ngadaltë, disa mjeshtra të spikatur e përziejnë ngadalë dhe e ntrashin me një pasion të veçantë.

Udhëkryqi i zgjedhjeve të ardhshme përjetohet me një emocion të veçantë. Nëse Berisha ikën, askush nuk e di se çfarë do të mund të bënte në hapësirat e ngushta të Partisë Demokratike, me të cilat ai tashmë është dukshëm i çmësuar.

Nëse Rama humbet në qershorin që vjen, vështirë se shpëton nga ‘shqyerja’ që miku, kur shportës i mungon fiku, fiku dhe shpresa për fiq, bëhet më i lig se armiku më i keq.

E thënë thjesht, humbësi i vitit 2013 do të ketë pak apo aspak alternativa ngushëlluese. Kjo e bën ankthin më të madh dhe më të mprehtë.
Një proverb i vjetër arab thotë se: ‘7 fakirë të urtë mund të flenë në paqe në një qilim të vetëm, dy princa nuk i nxë dot një Mbretëri e tërë.’

Duke ditur që ‘princat’ arabë janë ku e ku më të urtë se ‘princat’ shqiptarë, paramendohet që sherrnaja elektorale do të jetë e potershme.
Do të ish mirë, në këtë kontekst t’i hedhim bashkërisht, ujë dhe jo benzinë kësaj flake që po ndizet. Ndershmërisht jemi të lodhur nga aktrimet diletante të pasioneve që kanë si prapavijë interesa politike, karriere dhe bonuse personale të ca të pakëve, që përbetohen për ndershmëri murgu apo murgeshe.
Marrë nga “Mapo”