Vizat për n’burg

Arrestimet u rikthyen në Prishtinë. Pas dy të tillave në veri të Kosovës, EULEX-i iu rikthye edhe një herë kryeqytetit. Këtë radhë policët e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, ia mësynë një shtëpie të madhe, e cila për shumë vjet priti e përcolli shumë burrështetas të botës. Por të mërkurën priti policë me maska. Policët ndërkombëtarë shkuan në Rezidencën e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Ata arrestuan djalin e vogël të tij, Ukën.
Ukë Rugova është i dyshuari kryesor për krim të organizuar. Lagjja Velania ku jeton familja Rugova, në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës u mbush me vetura të Policisë së EULEX-it dhe pjesëtarë të saj.
Policët qëndruan brenda shtëpisë së familjes Rugova deri në mbrëmje. Derisa bastisja vazhdoi, familjarët e presidentit janë larguar nga aty.
Policia mori në pyetje edhe fqinjët e familjes Rugova. Me vete morën edhe Ukën për ta dërguar në arrest policor prej 48 orësh.
Kurse bastisja e shtëpisë vazhdoi deri në orët e vona. Ukë Rugovën e mbron avokati Bajram Tmava. Ai për Tribunën konfirmoi se klienti i tij po mbahet i ndaluar”…(Tribuna).