UBT

Vitia po kremton 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me aktivitete të shumta

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Viti – Me rastin e 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, sot nën organizimin e komunës së Vitisë janë zhvilluar aktivitete të ndryshme. Aktivitetet për nderë të mëvetësisë së Kosovës kanë filluar me një minutë heshtje në mbledhjen solemne të Kuvendit Komunal të Vitisë, ku u fol për rëndësinë që ka kjo ditë për kosovarët.

Pas kësaj seance, janë zhvilluar homazhe në varrezat e dëshmorëve në Viti, për të vazhduar më pas me koncertin festiv të organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Në seancën solemne të mbajtur për nder të kësaj dite, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi tha se 17 shkurti si një datë historike e shtetësisë së Kosovës, na përkujton gjithë sakrificën ndër shekuj të popullit shqiptar, gjersa kemi arritur tek liria që e gëzojmë sot.

“Gjaku i derdhur i dëshmorëve, vuajtjet e veprimtarëve, si dhe gjithë ai përkushtim, na obligon që sot, të gjithë të angazhohemi për një mirëqenie më të mirë për qytetarët tanë si në fushën e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, e sferave të ndryshme, duke mos harruar amanetin e të rënëve që liria është çmimi me të cilin e paguan me jetë për të ardhmen më të ndritur të popullit shqiptar. Duhet të kujtojmë lavdinë, duhet të kujtojmë dëshmorët e kombit, dëshmorët e komunës sonë, heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrificën e presidentit Rugova, por edhe të udhëheqësve tanë që sot padrejtësisht po mbahen në Hagë”, tha Azizi.

Ndërkaq kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, e vlerësoj si ngjarje kulmore historike për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Kur shënojmë 17 shkurtin si një nga ngjarjet më kulmore historike për Kosovën dhe qytetarët e saj, kujtojmë gjithë ata që punuan e sakrifikuan, por edhe dhanë jetën për lirinë e vendit”, u shpreh Haliti.

Mobi Casa

Ai tha se 15 vite pas, sot ne po kremtojmë këtë festë si një shtet i pavarur, me integritet dhe sovranitet të garantuar territorial, me subjektivitet të plotë ndërkombëtar duke e cilësuar Kosovën si një faktor të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit, me shumë miq anembanë botës.

Ndërkaq, në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së ka folur Qemajl Rexhepi, i cili tha se themelet e shtetësisë së Kosovës, filluan nën emblemën e UÇK-së. Bijtë e bijat më të mirë të vendit, sakrifikuan në forma të ndryshme për vite të tëra, që ti bëjnë ballë represionit serbo sllavë dhe për ta çliruar Kosovën njëherë e përgjithmonë.

Pas seancës solemne, janë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Viti, nga udhëheqësit institucional, subjektet politike, organizatat e dala nga lufta dhe shoqata klube të ndryshme, për të vazhduar më pas edhe me aktivitete të tjera të parapara nga komuna e Vitisë.

E manifestimi qendror u karakterizua me një koncert me këngë e valle nga Ansamblet vitiase “Kemajl Azizi”, e “Anamorava”, si dhe SHKA “Jonuz Ramadani”.

Ndërkaq një ditë më parë nën organizimin e DKRS dhe Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe Sporteve Shkollore u organizuan edhe garat tradicionale në atletikë për meshkujt dhe femrat, me moton AA“Vrapimi i Pavarësisë”, në shtegun Viti-Binçë./rajonipress/