Vitia dhe komuna e Kirchhainit të Gjermanisë thellojnë bashkëpunimin

Viti – Komuna e Vitisë dhe komuna e Kirchhainit të Gjermanisë po zhvillojnë punëtori online rreth një projekti që ka të bëjë me përdorimin e qëndrueshëm të mbetjeve organike.
Në kuadër të bashkëpunimit që ka komuna e Vitisë me komunën Kirchhain të Gjermanisë, ka filluar të mbahet punëtoria online për përdorimin e qëndrueshëm të rrjedhave anësore organike (mbeturinave/mbetjeve organike) në Republikën e Kosovës: Zhvillimi i konceptit dhe zhvillimi i mënyrave të zbatimit duke marrë si shembull komunën e Vitisë.
Ky projekt po financohet nga Fondacioni Gjerman për Mjedis (EDU).
Pjesë e kësaj punëtorie përveç përfaqësuesve të dy komunave të kryesuar nga kryetari i Krichhainit, Olaf Hausmann dhe zv. kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu janë edhe përfaqësues nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti i Giessenit “Justus-Liebig” por edhe nga GLV-Vitia.
Gjatë këtij takimi pjesëmarrësit kanë biseduar rreth ecurisë së këtij projekti.
Përndryshe projekti ka filluar në qershor të vitit të shkuar dhe qëllimi i tij është të zhvillohen mënyra për të përdorur mbetjet organike nga vendbanimet dhe bujqësia e Vitisë në sisteme të qëndrueshme prodhimi, siç janë prodhimi i kompostit, biogazit apo ushqimit për kafshë.
Gjithashtu më parë në kuadër të këtij projekti në Viti, në bashkëpunim me GLV Vitia, u mbajtën punëtori në disa shkolla, ku nxënësit u morën me temën e përdorimit të qëndrueshëm të mbetjeve organike./rajonipress/