Uji Dea

Viets: Gjykata Speciale arritje e madhe për Kosovën

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, ka organizuar një pritje me rastin e Ditës kombëtare të shtetit gjerman, që sivjet shënon përvjetorin e 25-të të bashkimit të dy Gjermanive.

Viets me këtë rast ka përmendur të kaluarën e shtetit të saj dhe Kosovës. Për këtë të fundit Viets tha se është vend i sigurt ndërsa arritje të rëndëishme e ka quajtur formimin e Gjykatës Speciale.

“Data 9 nëntor e vitit të kaluar shënoi 25 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit që ishte pika kulmore e protestave prej m uajsh nga qytetarët e Gjermanisë lindore – një revolucion paqësor për liri dhe demokraci. Kjo nënkuptoi jo vetëm fundin e ndarjes së detyruar të gjermanëve në lindje dhe në përendim të murit, por gjithashtu ishte një pjesë e procesit që i dha fund ndarjes së kontinentit evropian. Pothuaj një vit më vonë, më datë 3 tetor 1990, ky revolucion paqësor çoi në ribashkimin formal të dy shteteve gjermane”, tha ambasadorja Viets.

“Rënia e murit dhe ribashkimi i dy shteteve gjermane ishin momente historike. Megjithatë, momenti i ribashkimit ishte gjithashtu fillimi i një nga projekteve më sfiduese që Gjermania e pasluftës kishte për të realizuar – në nivelin politik, ekonomik dhe të shoqërisë. Standardet e jetesës dhe të pagave duhej të ngriteshin, kompanitë shtetërore u shndërruan në biznese private konkurruese, ndërsa njëkohësisht Gjermania e ribashkuar duhej të diskutonte si të adresojë padrejtësitë e një sistemi politik të ndërtuar mbi shtypje e që kishte shkaktuar aq shumë dhimbje”, tha ajo.

“25 vjet pas, ne kemi kaluar një rrugë të gjatë. Është rritur një gjeneratë e re që nuk ka njohur një Gjermani të ndarë. Megjithatë, edhe pas 25 vjetësh, projekti akoma nuk është përfunduar…”, tha ambasadorja.

UBT

“Ashtu si edhe Gjermania, Kosova gjithashtu ka pasur një moment vendimtar në të kaluarën e afërt. Në vitin 2008 ky vend u bë i pavarur. Por shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte vetëm fillimi i një projekti sfidues: projekti i ndërtimit të një kombi multietnik ku njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe prosperitet. Për më tej, një projekt për ta bërë atë ekonomikisht të qëndrueshme”.

“Është arritur shumë në vitet e fundit. Sot, Kosova është një vend i sigurt, i njohur nga mbi 100 shtete. Vetëm në disa muajt e fundit janë bërë hapa të rëndësishëm përpara. Së pari, parlamenti mori vendimin për të krijuar Gjykatën Speciale, e cila do të hetojë krimet e supozuara gjatë kohës së konfliktit. Kjo është një arritje e rëndësishme në procesin e ballafaqimit me të kaluarën. Gjithashtu, marrëveshjet aktuale të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë shënuar një hap thelbësor drejt një normalizimi të raporteve mes dy vendeve. Projekti evropian ka treguar se është e mundur për armiqtë e dikurshëm që të krijojnë raporte të mira fqinjësore – edhe pse kjo kërkon kohë dhe guxim politik”, tha ajo.

“Gjithsesi, demonstratat në fillim të këtij viti dhe vala e migrimit dimrin e kaluar tregojnë që Kosova akoma përballet me shumë sfida në të ofruarit e paqes dhe prosperitetit për qytetarët e saj. Progresi i rëndësishëm i bërë në fushat e Gjykatës Speciale dhe procesit të normalizimit, lejon tani koncentrimin në zhvillimin ekonomik në masë më të theksuar se deri më parë. Është thelbësore për qeverinë që të luftoj papunësinë e lartë, të tërheq investime të huaja dhe të investoj në arsim. Popullata e re e Kosovës mund të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për vendin, por për këtë rinia gjithashtu ka nevojë për mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mire. Pa perspektiva dhe garë të drejtë, edhe më shumë të rinj do të kërkojnë mundësi përtej kufijve të Kosovës”, tha ajo.

“Gjermania, BE-ja dhe vendet e tjera janë të përkushtuara ta mbështesin Kosovën. Procesi i Berlinit e dëshmon pikërisht këtë. Procesi është nisur vitin e kaluar nga kancelarja Merkel me një konferencë në Berlin dhe është vazhduar këtë vit me Konferencën e Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Megjithatë, e gjitha që ne mund të bëjmë është të mbështesim. Pronësia duhet të jetë në rajon dhe në vendet e saj veç e veç. Duke parë që janë marrë vendime të vështira si krijimi i Gjykatës Speciale dhe Marrëveshjet e Brukselit, jam e bindur që liderët e Kosovës do të tregojnë gjithashtu guxim politik kur është në pyetje ekonomia”.

“Ashtu si edhe sfidat ekonomike të ribashkimit gjerman, sfidat ekonomike të një Kosove të pavarur kërkojnë përpjekje kombëtare. Si qeveria ashtu edhe bizneset, shoqëria civile dhe qytetarët duhet të përfshihen në mënyrë aktive në proces. Gjermania do të va zhdojë të përkrah Kosovën dhe projektin e saj kombëtar. Duke punuar së bashku, ne mund të sigurojmë një të ardhme paqësore dhe prosperuese si një anëtare në një rajon të integruar të Ballkanit Perëndimor dhe në një Evropë të integruar”, tha ambasadorja Viets./Telegrafi/