Vetëm një prokurori e pastër mund të hetojë bandat kriminale

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, duke analizuar në vazhdimësi dobësitë në këtë sistem, konsiderojnë se është pikërisht ky sistem i shitur i drejtësisë që krijoi njerëz të fortë të nëntokës, të cilët nuk pyesin më për ligje dhe nuk i frikësohen ligjit e drejtësisë, drejtësi e pavarur, që nuk ekziston realisht, prandaj edhe qytetarët nuk i besojnë më ministrit Abelard Tahiri, pasi e dinë fare mirë se veç mos u përplasshin në dyert e prokurorive e gjykatave tona, ku duhet të përjetosh një kalvar të gjatë, e në fund e pëson.
Aliu: Drejtësia nuk vendoset me fushata e propaganda qeveritare, por vetëm me zbatimin rigoroz të ligjit, e që është diçka e pamundur, meqë vendi udhëhiqet nga mafia politike dhe nëntoka kriminale
“Dekriminalizimi do të duhej të fillonte së pari në institucionet e drejtësisë, në prokurori e gjykata, e pastaj edhe në institucionet e tjera të shtetit, sepse vetëm një prokurori e pastruar nga të inkriminuarit dhe e fortë mund të pastrojë e të largoj të inkriminuarit e tjerë në institucionet e tjera të shtetit, bile edhe në gjykatat e Kosovës”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, duke analizuar në vazhdimësi dobësitë në këtë sistem, konsiderojnë se është pikërisht ky sistem i shitur i drejtësisë që krijoi njerëz të fortë të nëntokës, të cilët nuk pyesin më për ligje dhe nuk i frikësohen ligjit e drejtësisë, drejtësi e pavarur, që nuk ekziston realisht, prandaj edhe qytetarët nuk i besojnë më ministrit Abelard Tahiri, pasi e dinë fare mirë se veç mos u përplasshin në dyert e prokurorive e gjykatave tona, ku duhet të përjetosh një kalvar të gjatë, e në fund e pëson.
Si pasojë e një sistemi të kapur të drejtësisë, njohësit e kësaj fushe vlerësojnë se edhe populli po vazhdon të mbetet i shtypur dhe i diskriminuar nga drejtësia, të cilën e paguan me taksat që mbushin buxhetin, ndërsa, në anën tjetër, sundimtarët dhe klientela e tyre gjithnjë favorizohen, kurse nëpër konferenca shtypi shohim shfaqje teatrale, ku po dalin kot së koti për të folur ministri dhe krerët e organeve kryesore të drejtësisë, për të thënë se si se gjoja paska progres, sepse e dinë fare mirë që me këtë garniturë në institucione nuk do të ketë kurrë drejtësi. Sipas analistëve të drejtësisë, edhe fushata “Drejtësia 2020” është një mashtrim tipik i regjimit autoritar, që drejtësinë e përdor për të shantazhuar rivalët dhe qytetarët që ngrenë zërin kundër padrejtësive dhe asgjë tjetër.
KELMENDI: NUK MUND TË KETË LUFTË KUNDËR KORRUPSIONIT E AS KRIMIT TË ORGANIZUAR, PA PASUR NJË PASTRIM TË SISTEMIT TË DREJTËSISË Reforma të thella dhe pastrim “fshesë” përmes VETTING-ut
preferon në drejtësi edhe analisti e publicisti Naim Kelmendi, si mënyrë e vetme që gjërat të bien në vendin e vet. “Realisht nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit e as krimit të organizuar, as kundër asnjë lloj i kriminalitetit në këtë vend pa pasur një pastrim të sistemit të drejtësisë. Strategjitë në letër që nuk gjejnë zbatim i konsumon koha dhe mbeten në harresë. Këtë fat ka rrezik ta përjetojë edhe dokumenti “Drejtësia 2020″. Pa shkundjen e plotë të këtij sistemi nuk do të mund të rritet besimi në drejtësinë kosovare, nuk do të hapet rruga e integrimeve e as nuk do të ketë ekonomi të shëndoshë”, vlerësoi ai. “Në pozitat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të vendosen vetëm ata që janë meritorë në këtë sistem dhe t’ua lënë vendin atyre që duan të punojnë me profesionalizëm për këtë vend dhe për këtë popull”, potencoi Kelmendi. “Pa pastrimin e sistemit të drejtësisë, përmes një VETTING-u serioz, nuk mund të ketë sundim të ligjit e të rendit dhe as perspektivë për qytetarët e pashpresë dhe Kosovën e kapur, të ngulfatur e të nëpërkëmbur nga mafiopolitikanë e mafio-oligarkë të bizneseve të kundërligjshme, të cilët janë bërë bashkë për të zhvatur e plaçkitur edhe atë që ka mbetur ende nëpër këmbët e duart e tyre”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.
Strategjitë mashtruese
Njohësi i fushës së sigurisë, Xhevat Meha, duke analizuar të kaluarën dhe të tashmen e mbrapshtë në këtë sistem, nuk pret efekt pozitiv as nga lansimi i fundit i dokumentit “Drejtësia 2020″. Sipas tij, për ndryshime pozitive nevojiten reformat ë thella në sistem dhe në njerëz.”Praktikat e deritanishme janë që kur nuk do të punojnë diçka prodhojnë dokumente, krijojnë grupe punuese, task-forca, institucione të reja etj., krejt këto për të mashtruar publikun se diçka po punohet e në realitet kurrgjë nuk punohet, në fakt vazhdohet të punohet njëjtë e kurrgjë nuk ndryshohet. Shpresa se diçka do të punohet ndryshe m’u forcua kur kuptova se sot do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi në mes të Ministrit Tahiri dhe ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit. Tani shikimin e kam të drejtuar kah krerët e institucioneve, sidomos të institucioneve përgjegjëse për zbatim të ligjit. Nëse këta krerë shkojnë dhe vijnë individë tjerë me qasje tjetër, edhe ndryshime mund të priten”, ka thënë Meha.”Nëse fillohet të punohet ndryshe nga deri tani në institucionet përgjegjëse për zbatim të ligjit, platforma e moszbatueshmërisë së ligjit, e instaluar dhe e mirëmbajtur në funksion nga Serbia, përmes rrjetit të shërbimeve të fshehta, do të marrë goditje serioze. Nëse kjo platformë e Serbisë merr goditje serioze, do të fillohet çmontimi i ‘derzhavës’ së Kosovës për të krijuar hapësirë për ndërtimin e shtetit të Kosovës”, tha njohësi i fushës së sigurisë, Xhevat Meha.
MIFTARI: NË KOSOVË NUK SUNDON LIGJI, POR MAFIA POLITIKE
Edhe fushata “Drejtësia 2020” është një spekulim tjetër i pushtetit, i tipit të fushata parazgjedhore, që synon të shtojë mjegullën për të amnistuar të korruptuarit në institucione. Një konstatim të tillë e jep eksperti i kësaj fushe, Naim Miftari. “Pikërisht prokuroria, gjyqësia, policia dhe AKI-ja kanë kontribuar më së shumti për krijimin e njerëzve të fuqishëm që vijnë nga politika kriminale e vendit, janë pikërisht këto organe të ligjit që të parat janë vërë nën kontrollin e mafisë politike kosovare dhe kontrollohen më së shumti që nga fillimi gjer më sot. Në çdo gjë janë rezultatet që flasin vetë dhe tanimë janë të kota tentimet e politikanëve, ministrave dhe kryeministrave e kryetarit të shteti për ta reklamuar ligjin dhe kinse progresin, pasi Kosova vuan pikërisht nga mungesa e njerëzve ligjvënës të pakorruptuar për zbatimin e ligjit”, vlerësoi Miftari. “Po të ishin në rregull organet dhe ligjvënësit moti do të ishte rregulluar situata në terren, ku do të sundonte ligji e jo mafia politike e Kosovës, ku aspak nuk mungojnë ligjet, por mungojnë zyrtarët e ndershëm për ta zbatuar ligjin njëjtë dhe ndershëm”, u shpreh ai. “Edhe kjo ‘Drejtësia 2020’, e proklamuar nga ministri i Drejtësisë, nuk do të ketë kurrfarë suksesi, pasi tani dihet se ky sistem juridik i drejtësisë shtetërore kë mund ta dënojë e kë jo. Dihet kush janë ata që as nuk kanë guxim me u hap ndonjë çështje, por edhe nëse “rastësisht” hapen, rastet shkojnë nga 8-10 vjet e nuk zgjidhen, por kur janë paditë e mëdha nga nëntoka politike lëndët, madje fshihen, shiten dhe devalvohen dhe në fund dyfishohen”, potencoi Miftari. “Le t’i themi të “nderuarit ministër se jo deri më 2020, por edhe deri në vitin 2200, nëse vazhdohet kështu nga kjo politikë dhe nga këta politikanë të korruptuar, nuk do të ketë as atëherë sundim të ligjit, por do të sundojë ligji i xhunglës, ligji i më të fortit, ku i forti del fitues gjithnjë”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.
Nëntoka dirigjon drejtësinë
Analisti dhe njohësi tjetër i kësaj fushe, Bislim Aliu, konstaton se nuk ka asnjë dilemë që është pikërisht ky sistem i shitur i drejtësisë, i cili krijoi njerëzit e fortë të nëntokës, të cilët nuk pyesin asnjëherë për ligje dhe fare nuk i frikësohen më ligjit e drejtësisë që realisht edhe sikur nuk ekzistojnë fare për ta. “Prandaj edhe qytetarët nuk i besojnë marionetës së presidentit Thaçi, i cili udhëheq dikasterin e Drejtësisë, z. ministër Abelard Tahiri. Zoti mos e dhëntë të ndodhë të përplasesh në dyert e prokurorive e gjykatave tona, sepse do ta shohësh në fund se si do të pësosh, nëse nuk je vegël e manipuluar e kësaj kaste politike dhe kësaj “drejtësie” të inkriminuar”, u shpreh ai. “Haraçin e kësaj padrejtësie po e paguan populli, qytetari i thjeshtë i shtypur dhe i diskriminuar nga drejtësia, kjo drejtësi të cilin e paguan me taksa duke ia mbushur buxhetin, ndërsa në anën tjetër sundimtarët dhe klientelat e tyre gjithnjë favorizohen. Me plot përgjegjësi, për fat të keq, duhet të konstatojmë se edhe fushata “Drejtësia 2020″ është një mashtrim tipik i regjimit autorial, që drejtësinë e përdor për të shantazhuar rivalët dhe qytetarët që ngrenë zërin kundër padrejtësive, sepse është e ditur që drejtësia nuk vendoset me fushata e propaganda qeveritare, por vetëm me zbatimin rigoroz të ligjit, e që është diçka e pamundur aktualisht në vendin tonë, meqë udhëhiqet nga mafia politike dhe nëntoka kriminale”, tha Aliu për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)