Veriut po i “vjen fundi”
Nga Adrian Çollaku – Pavarësisht kompromisit që mund të dalë nga këto bisedime, Brukseli zyrtar, por edhe SHBA-të, duket se janë lodhur nga problemet e vazhdueshme në këtë pjesë të Evropës Juglindore dhe po duan me çdo kusht që këtyre problemeve t’u japin një fund. Sidomos kur e kanë parasysh se në pushtet, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi janë liderë, që në vendet e tyre njihen si patriotë dhe radikalë.
Problemit të veriut të Kosovës duket se po i “vjen fundi”.
Kjo të paktën bazuar në qëndrimet e fundit të udhëheqësve politikë të Beogradit dhe të Prishtinës. Madje javën që shkoi ka ndodhur një “befasi” që pakkush e ka pritur. Ishte vetë pasardhësi i Sllobodan Millosheviqit, aktualisht kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ai i cili e pranoi realitetin që ka ndodhur në lidhje me çështjen e Kosovës. Ai tha se për 10 vjet, Serbia është mashtruar duke thënë që Kosova është Serbi edhe pse ashtu është e shkruar edhe në Kushtetutën serbe, por që duket se tashmë është bërë pengesë.
“Sot kjo preambulë në Kushtetutë nuk na ndihmon aspak, presidenti i Serbisë nuk mund të shkojë në Kosovë, as kryeministri, as policia e as ushtria”, ka deklaruar Daçiq.
Derisa në njërën anë, Daçiq faktikisht e pranoi realitetin që ka ndodhur në Kosovë, megjithatë ai tha se Serbia nuk do të dorëzohet dhe se duke qenë realist serbëve u tha se nga Kosova do të “shpëtojë atë që mund të shpëtohet”.
Këto deklarata “revolucionare” të Daçiqit lënë të kuptohet se kompromisi për veriun problematik të Kosovës është shumë afër.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, edhe pse po mundohet që të paraqesë një dozë më të madhe nacionaliste se sa homologu i tij serb, ai dhe pala kosovare duket se janë pajtuar me një Ahtisari Plus për atë pjesë të vendit. Ndonëse dhënia e një “Ahtisari Plus” nuk do të emërtohet as autonomi e as status special, serbëve, megjithatë, do t’u jepen edhe më shumë privilegje.
Nëse hyhet në esencë edhe të vetë Pakos së Ahtisarit, serbët kanë njëfarë autonomie. Por, me kompetencat shtesë që do t’u jepen si me krijimin e fondit për veriun, të cilin banorët lokalë të asaj pjese do t’i përdorin për vete, tërë ato të hyra nga doganat në atë pjesë dhe me krijimin e asociacionit të komunave serbe, i cili do të ketë kompetenca shumë më të mëdha se asociacionet e komunave, shembull si ky i Kosovës, atëherë ky është “Ahtisari Plus”, apo nëse mund të quhet ndryshe statusi special.
Se këtij problemi po i “vjen” fundi po e dëshmon edhe serioziteti i vetë zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian. Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Baronesha Chaterine Ashton para takimit të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, që pritet të mbahet më 20 mars, do t’i takojë të dy delegacionet. Derisa më 11 mars e pret Daçiqin në Bruksel, më 14 mars, ndërkaq, ajo do ta vizitojë Kosovën ku pritet të takohet jo vetëm me kryeministrin Thaçi, por edhe me liderët e partive tjera në vend.
Pavarësisht kompromisit që do të arrihet në këto bisedime, Brukseli zyrtar, por edhe SHBA-të, duket se janë lodhur nga problemet e vazhdueshme në këtë pjesë të Evropës Juglindore dhe po duan me çdo kusht që këtyre problemeve t’ju japin një fund, sidomos kur e kanë parasysh se në pushtet, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi janë liderë, që në vendet e tyre njihen si patriotë dhe radikalë.
Derisa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njihet si udhëheqës i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në anën tjetër, Ivica Daçiq si pasardhës i Millosheviqit, njihet si nacionalist i madh, atëherë ndërkombëtarët do të insistojnë që me këta dy udhëheqës që nuk kanë “deficit” patriotik t’u japin fund këtyre problemeve.
Se edhe BE-së i duhen negociatorë të tillë, që nëse jo për diçka tjetër së paku për mungesë nacionalizmi nuk mund t’i akuzojë kush, negociatorë që mund të nënshkruajnë dhe ajo u zë vend sepse s’ka kush tjetër që mund t’ua prishë, dëshmon edhe një “cikërrimë” nga viti i shkuar. Ju kujtohet se si në zgjedhjet e fundit në Serbi, Bashkimi Evropian e pati uruar presidentin e Serbisë, Tomsillav Nikolliqin, për fitore, madje dy orë para se të mbyllen votimet zyrtarisht.


