Veriu i Kosovës, vrasja e Ivanoviqit dhe pasojat e mundshme

/ 3 minuta lexim

Nga Bekim Thaqi – Veriu i Kosovës “de jure” është pjesë përbërëse dhe konstituive e Kosovës, mirëpo “de facto” është një lloj i “nomansland” që d.m.th një tokë e askujt, ku në njërën anë kemi KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe organet tona tjera të sigurisë, që janë më tepër një forcë që mundohen të reklamojnë prezencën e vet, se sa që e kontrollojnë me të vërtetë këtë rajon, dhe në anën tjetër kemi një sistem të strukturuar paralel dhe mafioz, i cili urdhrat i merr nga Beogradi dhe shërbimet sekrete serbe, por njëkohësisht ka një lloj autonomie në kontrollin e krimit të organizuar dhe të gjitha llojet e kontrabandave të ndryshme.

Ky rajon i Kosovës, është një strehë e kriminelëve të ndryshëm serbë si nga thellësia e Serbisë ashtu edhe disa segmente paraushtarake lokale, të cilat mu si në kohën e paraluftës dhe luftës në Kosovë, veprojnë me urdhra të dirigjuar por edhe dalin jashtë kontrolli herë pas here duke pasë parasysh fuqinë praktike në terren.

Vrasja e Oliver Ivanoviqit e ndërlikon edhe më tej këtë situatë delikate dhe duhet të shihet në tri kontekste:
Në njërën anë duhet parë konteksti politik dhe lufta për pushtet në pjesën veriore të Kosovës mes klaneve të ndryshme politike të varura nga Beogradi dhe politikat e serbëve lokal ku Ivanovic pas daljes nga burgu dhe krijimit të një lëvizje politike ka mundur të shihet si pretendent për marrjen e votave nga shumica e serbeve lokal dhe me këtë ti bëjë konkurrencë të drejtpërdrejtë partisë më të madhe atje.

Uji Dea

Edhe konteksti kriminal dhe mafioz nuk duhet eliminuar, pasi në vazhdën e disa vrasjeve të tjera dhe kontrabandave të ndryshme që kanë ndodhur së fundmi, në pjesën veriore kemi një anarki dhe mafi të strukturuar, dhe ku Ivanovic sigurisht se ka pasë njohuri për aktivitete të tilla që mund të ketë rezultuar në ndonjë konflikt me ta.

Konteksti i diçkaje më te madhe që po përgatitet në kuloaret e vendeve të fuqishme dhe që mund të rezultojë me trazira më të mëdha në atë pjesë ku pas kësaj do të kishte skenarë të ndryshëm.

Pasojat mund të jenë të paparashikueshme, por edhe mund të mos ndihen fare në varësi të planeve të atyre që e kanë bërë porosinë e një vrasjeje të tillë dhe në varësi të asaj se si do pranohet kjo nga bashkësia ndërkombëtare. Nëse qëllimi ka qenë vetëm largimi i Ivanoviqit nga jeta politiko publike dhe shuarja e tij pasi ishte një konkurrencë për struktura të ndryshme atje, atëherë nuk do duhej të kishte ndonjë trazirë më të madhe por vetëm aso të kontrolluara. Përkundër kësaj nëse qëllimi ka qene që kjo vrasje të ndezë një fitil më të madh atëherë do kemi trazira më të mëdha të cilat mund të rezultojnë në një intervenim më të madh të KFORI-it dhe ku ose do të futet nën kontroll kjo gjendje ose do të pranohet gjendja faktike se ky rajon është i kontrolluar tërësisht nga Beogradi dhe instrumente të tij./rajonipress/