FIDANISHTJA

Vepra shkencore e Bajram Kosumit

/ 17 minuta lexim
ARKATANA

Nga Myrvete (Dreshaj) Baliu – Studiuesi Bajram Kosumi, për të cilin po flasim sot unë dhe kolegët e tjerë, përfaqëson autorin dhe krijuesin e dimensioneve shkencore, letrare e kulturore në qarqet albanologjike, si dhe analistin politik të zhvillimeve historike të kohës sonë, e trajtuesin e zhanrit në fushë të gazetarisë; ndërsa në fjalën time do të reflektoj disa veçori të veprës së tij shkencore në tri fusha të historiografisë së letërsisë dhe teorisë së zhanrit në gazetari: në fushën e studimeve fishtjane, të letërsisë nga burgu dhe të gazetarisë, ndërsa me tej, veçanërisht, do të ndalem tek vëllimi studimor Letërsia nga burgu – kapitull më vete në letërsinë shqipe.

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj!

Studiuesi Bajram Kosumi, për të cilin po flasim sot unë dhe kolegët e tjerë, përfaqëson autorin dhe krijuesin e dimensioneve shkencore, letrare e kulturore në qarqet albanologjike, si dhe analistin politik të zhvillimeve historike të kohës sonë, e trajtuesin e zhanrit në fushë të gazetarisë; ndërsa në fjalën time do të reflektoj disa veçori të veprës së tij shkencore në tri fusha të historiografisë së letërsisë dhe teorisë së zhanrit në gazetari: në fushën e studimeve fishtjane, të letërsisë nga burgu dhe të gazetarisë, ndërsa me tej, veçanërisht, do të ndalem tek vëllimi studimor Letërsia nga burgu – kapitull më vete në letërsinë shqipe.

I. Parantezë për studimet fishtjane

Në rendin kronologjik të veprimtarisë së tij shkencore prinë vepra studimore Lirika e Fishtës (2004), me të cilën ai vazhdon një traditë të gjatë fishtjane në letrat shqipe, të kërkimit dhe vlerësimit të tekstit poetik të Fishtës, me theks të veçantë lirikën e tij. Ndonëse, studiuesit përgjithësisht janë përpjekur ta sjellin Fishtën epik, me këtë vepër studimore të Bajram Kosumit Fishta lirik na del, me disa nga poezitë e tij, po kaq i vlerësuar dhe i popullarizuar.

Më tej, vazhdimësia e kërkimeve të tij në studimet fishtjane kulmon me monografinë shkencore Fishta dhe tradita letrare shqiptare (2012). Fjala është për një studim krahasimtar brenda trungut letrar shqiptar. Fishta, poet madhor, krahasohet me gjithë atë që është e shkruar në shqip përpara tij, në mënyrë që të identifikohet çka është origjinale te Fishta, çka është marrë prej traditës letrare shqiptare, cila është marrëdhënia e tij me traditën letrare, dhe çka sjell të re a ai origjinale në letërsinë shqipe.

Në këtë monografi komplementare, duke bërë krahasime midis shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë dhe epokave letrare, ai arrin të përkufizojë këto epoka e rryma letrare jo vetëm përmes datave e emrave, sikur bëhet zakonisht në historitë e letërsisë shqipe, por përmes përfaqësimeve tërësisht letrare, si: ideja poetike, figuracioni dhe teksti poetik. Kështu, duke përdorur këta tre parametra, ai arrin të dallojë: tri hapësira gjeografike krijuese, tre emra, dhe tri tërësi poetike të pavarura: De Rada, Naimi dhe Fishta.

II. Dhe zhanrin në gazetari

Para se të kaloj te tema bosht e referimit tim do të ndalem edhe te një vepër tjetër e këtij studiuese, me titull Tipologji dhe zhanër (2013). Në këtë vëllim autori trajton zhanrin e tekstit dhe, në veçanti, të tekstit në fushë të gazetarisë. Në literaturën shqiptare ky është rasti i parë që në një monografi të trajtohet zhanri i tekstit në këtë fushë. Qëllimi i këtij studimi është gjetja e parimeve mbi të cilat teksti në gazetari merr gjini. Autori, pasi diskuton për zhanrin në letërsi dhe parimet që përkufizojnë zhanrin letrar, shtjellon parimet mbi të cilat përkufizohet zhanri në fushë të gazetarisë. Ai identifikon dy parime bazike: qëllimin përmbajtjesor të këtij llojit të teksti dhe strukturën e tij, mbi të cilat parime përkufizohet zhanri i tekstit në fushë të gazetarisë. Ky është kontribut i veçantë i studiuesit Bajram Kosumi në fushën e teorisë së zhanrit të tekstit, dhe i cili kontribut është i mbështetur në teoritë formaliste ruse për zhanrin (në veçanti të Boris Tomashevskit); te teoritë e strukturalistëve francezë për zhanrin (Zherar Zhenet, Zhak Derrida dhe Cvetan Todorov); pastaj te teoritë e ndërlidhjes së zhanrit me faktorët socialë (gjuhëtarët Karollin Myller e Majkëll Hollidej); te studimet e Teun Van Dijkut për kategoritë e tekstit në gazetari dhe te studiuesit bashkëkohorë të këtij zhanri (si Metju Riketson dhe Selli Adams), etj.

Mbi këto parime Kosumi i përkufizon katër zhanre të tekstit në gazetari: zhanrin informativ, zhanrin analitik, zhanrin publicistik (ose letrar) dhe zhanrin argëtues. Më pas ai bën disa analiza zhanrore të këtyre teksteve për të argumentuar teorinë e zhanrit dhe shtjellon më tej parime e shfaqje të tjera të zhanrit të tekstit në fushë të gazetarisë.

III. Letërsia nga burgu – mes referencës dhe preferencës

Le të ndalemi tani më gjerësisht te sprova teorike e këtij studiuesi në fushë të historiografisë letrare, tek monografia studimore Letërsia nga burgu – kapitull më vete në letërsinë shqipe (2006).

Me fillimin e viteve ’90, në Kosovë filloi edhe botimi i literaturës së shkruar fshehtas në burgjet e ish-Jugosllavisë, ndërsa në Shqipëri mori hov botimi i literaturës së botuar në diasporë dhe asaj të shkruar në burgje. Këto botime pasuruan letrat shqipe me disa veçanti të cilat i kishin munguar historisë së letërsisë shqipe: në Tiranë letërsisë shqipe i kthehej krijimtaria e ndaluar e diasporës (Martin Camaj, Arshi Pipa etj.), pastaj e disa krijuesve mes dy luftërave (Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica etj) dhe ajo përplotësohej edhe me disa emra të rëndësishëm të njohur më shumë apo më pak (Kasem Trebeshina, Bilal Xhaferi, Pjetër Arbnori, Lekë Pervizi, Visar Zhiti, Havzi Nelaj
etj). Letërsisë shqipe të botuar në Kosovë ndërkaq, i kthehej një pjesë e letërsisë së ndaluar të traditës, i rikthehej vepra e ndaluar e Adem Demaçit, e ajo përplotësohej edhe me një numër të tjerë krijuesish të formuar brenda burgjeve serbe, kryesisht pas vitit 1981.

Mbi këtë art të shkrimit dhe përvojën e një sërë krijuesish të suksesshëm dhe veprave të tyre të krijuara në burgje, pra në kushte dhe rrethana të caktuara, filluan edhe kërkimet e studiuesit Bajram Kosumi, të cilat dhanë edhe sprovën e parë, librin Letërsia nga burgu – kapitull më vete në letërsinë shqipe. Kështu, në këtë fushë Bajram Kosumi, së pari, na del krijues i kësaj letërsie, së dyti, përmbledhës, sistemues e botues i saj, dhe së treti, vlerësues i kësaj trashëgimie.

Shfaqja e një letërsie të qarkuar

Libri i Bajram Kosumit është ndërtuar mbi gjashtë tërësi, të cilat më shumë se një strukturë të mbyllur, paraqesin një ndërtim linear. Pra, më parë se një vepër e karakterit monografik, sikur mund të kuptohet në hapjen e saj, ajo paraqet gjashtë tërësi të cilat mund të bëjnë një monografi shkencore për letërsinë e shkruar në burgje. Këto tekste të shkruara në kohë dhe në rrethana të caktuara, jo rastësisht nuk janë identifikuar si njësi të ndërlidhura, por si njësi që përplotësojnë njëra-tjetrën. Apo, sikur do të gjykojë autori, letërsia e shkruar në burg, përkatësisht letërsia nga burgu është ajo që e përbën strukturën dhe boshtin e sprovave të këtij libri.

Kërkimin e vlerave letrare e artistike të krijimtarisë nga burgu, autori e kishte diktuar fillimisht në letërsinë epistolare të burgut, duke bashkëpërgatitur një vëllim me letra të tilla, ndërsa kërkimet e tij më tutje i kishte vazhduar duke u marrë drejtpërdrejt me poetikën e lirikës së burgut, strukturën e simboleve të saj, prozën letrare dhe joletrare dhe më në fund duke u marrë me dy nga përfaqësuesit e kësaj letërsie.

Libri hapet me një parathënie brenda së cilës janë projektuar rrethanat, kryesisht historike dhe hapësira gjeografike që e ka nxitur dhe e ka prodhuar këtë letërsi.

Studimi “Ese për Letërsinë nga burgu”, i cili i prinë veprës me nëntitullin “Një letërsi e re?”, sikur mund të shihet prej referencës shpjeguese, dhe prej preferencës autoriale, është botuar në vitin 2004, me një nëntitull madje më domethënës Sprovë për njohje. Në këtë tekst autori artikulon disa nga esencat letrare dhe jashtëletrare të kësaj letërsie, dilemat dhe problematikat teorike dhe metodologjike të shqyrtimit të saj, sprovat domethënëse dhe konceptuale të studimit të letërsisë përgjithësisht dhe letërsisë nga burgu, si: nocioni letërsi dhe tekste të pabotuara, nocioni letërsi nga burgu, përkufizimi kohor dhe vendor i kësaj letërsie, përkufizimet letrare, identitare, rrethanat historike dhe vlerat letrare të saj etj. Sado fragmentare qofshin qasjet e këtij studiuesi brenda kësaj teme edhe brenda këtij kapitulli, dhe sado hamendëse qofshin disa përfundime, ato paraqesin sprova këmbëngulëse për diskutim të mëtejshëm për vendin e kësaj letërsie në historinë e letërsisë shqipe: si dokument apo si poetikë e dokumentit; si kohë apo si hapësirë e krijimit; si letërsi që është krijuar dhe në mënyrën e vet ka bërë edhe një ‘jetë të saj’ në burg, apo, si sociologji e tekstit; si pjesë vëllimore e letërsisë shqipe që duhet të botohet; apo, si letërsi që ka pasur botën e saj të brendshme.Pra, një letërsi e re, një pjesë e panjohur e letërsisë së sotme shqipe apo një letërsi e pabotuar, që duhet t’i bashkohet vëllimit letrar të letërsisë shqipe? Këto janë çështje, disa prej të cilave ngritën edhe këtu, duke bërë hapin e parë kërkues dhe vlerësues nga studiuesi Bajram Kosumi.

FIDANISHTJA

Tezat e diskutuara për këtë problematikë kanë përfundime të qarta dhe akribi në shkencën e letërsisë. Letërsia nga burgu e ka vendin në kapitullin e gjysmës së dytë të shekullit XX të letërsisë shqipe, jo vetëm pse është krijuar në burg, por pse e ka bërë edhe një jetë të saj brenda burgut, ndërsa sot, pjesa e botuar e ka krijuar sistemin e veçantë të vlerave komunikuese: me temat, idetë e gjuhën poetike, pra, me mjeshtërinë letrare artistike të secilit krijues.

Në rrethana të tjera kjo letërsi do të mundë të quhej vetëm një fond i letërsisë së pabotuar, pra e një letërsie të panjohur, e cila duhet t’i ‘bashkohet’ letërsisë shqipe, jo vetëm si kapitull më vete po si vëllim dhe pasuri e saj. Kjo krijimtari letrare artistike, që ka bërë jetën e saj në çfarëdo forme (gojore, fragmentare, e maskuar mes letrash personale a familjare, e lexuar dorë më dorë apo letër më letër, e përcjellë me rrugë të ndryshme nga qelia në qeli, nga familja në familje dhe nga burgu në burg, duke iu nënshtruar në këtë rrugë madje edhe vlerësimit të saj letrar, artistik e politik), në historinë e letërsisë shqipe duhet të përfshihet si kapitull më vete, por natyrisht, brenda periudhës historiko-letrare së cilës i ka takuar dhe pjesë e të cilës ka ëndërruar të jetë, pavarësisht se ka bërë ‘një jetë të ndarë’.

Reflektimi semantik i kësaj letërsie

E gjithë kjo provohet në kapitullin “Lirika nga burgu”, në të cilin zbërthen, sikur shprehet autori “shfaqjen e një poezie të panjohur”.

Po këtu studiuesi ka vazhduar me kërkime krahasuese në strukturën e brendshme të lirikës së sotme nga burgu, në konceptet dhe idetë poetike të saj, në humanizmin kryengritës të kësaj lirike dhe toposin e saj, në kategoritë etike dhe estetike: jetën dhe vdekjen, të mirën dhe të bukurën; në motivet dhe temat: kërkimin, lirinë, përmasën e atdheut, dashurinë, gruan, urrejtjen etj.

I pasionuar pas simboleve, figurave dhe kuptimeve poetike, si dhe në disa studime të tjera letrare, autori i këtij vëllimi ka sjellë edhe një fjalorth të kuptimeve poetike të kësaj poezie, si: fjalëngrënësit, kroi, libri i lirisë, bima e fatit, shpirti i trazuar, hakmarrja, ringjallja, antiprometeu, druri i vdekjes, varr i gjallë, formula e pagëzimit, ëndrra etj., të cilat, sikur shprehet, edhe kur janë shfaqur në poezinë jashtë burgut, kanë bartur kuptime të tjera semantike. Këtu, autori bënë një rikonceptim të këtyre shenjave edhe pse figura e simbole të tilla, me më shumë apo me më pak reflektim kuptimesh, nuk është vështirë të krahasohen edhe me figura e simbole të autorëve që kanë krijuar vepra letrare poetike jashtë burgut: Bima e fatit (Merxhan Avdyli) – Bima e dreqit (Ymer Shkreli); Druri i jetës (Ismail Syla) – Arbor vitae (Mirko Gashi), Numri njeri (Sylë Mujaj) – 509 (Erih Maria Remark); Varri i gjallë (Nait Hasani) – Varri i qyqes (Azem Shkreli); Lajmi nga atdheu (Hydajet Hyseni, Rasim Selmanaj) – Lajmësi memec (Halil Matoshi), e në gjithë poezinë shqipe shenjë emblematike e poezisë së Nolit etj.

Krijimi si mesazh dhe kumt

Në epistolografinë shqiptare letërsia epistolare nga burgu, e njohur dhe e botuar, si dhe ajo e panjohura, por që mund të botohet një ditë, paraqet një faqe më vete. Brenda saj është ndërthurur i gjithë kompleksiviteti i krijuesit, shkrimit dhe mesazhit. Më tej se në poezinë lirike nga burgu, në këto letra vazhdon të ‘fshehet’ personalja, shpirti i krijuesit, i strukturuar edhe përmes ndërthurjes së gjinive e llojeve letrare.

Sikur ka vlerësuar autori: “në këto letra si në asnjë formë tjetër letrare janë rrënuar kufijtë e tyre”. Është vështirë të identifikosh fillimin dhe mbarimin e kufijve të tekstit epistolar, esesë, tregimit, poezisë, mesazhit politik, mesazhit personal, familjar dhe kolektiv, që të gjitha brenda një grusht letrash të dërguara nga një i burgosur, i cili sa ka bërë hapat e parë në komunikimin letrar.
Fjala është për një studim apo për një kapitull emërtues “Ese për letërsinë epistolare nga burgu”, brenda të cilit autori ka trajtuar gjithë laboratorin kohor, ambiental, psikologjik, dhe përtej të gjithave krijues, të bërjes së kësaj letërsie, si: censura dhe lufta kundër saj, ndjenja e të shkruarit kot, lufta përkatësisht fitorja kundër tjetërsimit, ideali dhe hedonizmi, porosia politike, krijimi si proces i mbijetimit, pesha e pritjes, letra si totem, të folurit alegorik, tabuizmi, ‘ikja nga burgu’, letërsia e re dhe njerëzit.

Kjo është jo vetëm njëra prej trajtesave më interesante të këtij libri, po edhe sinteza bazë mbi të cilën me të drejtë autori ka ndërtuar projektin e tij shkencor, për t’i dhënë letërsisë nga burgu vendin e saj në historinë e letërsisë shqipe. Zor të gjendet një tekst më personal se epistolari i kësaj periudhe, brenda të cilit krijohet mbishtresa si mesazh dhe nënshtresa si art i komunikimit. Është interesant të theksohet se derisa lirika nga burgu shkruhej, lexohej dhe përgjithësisht shpërndahej kryesisht në një qark të mbyllur, letërsia
epistolare shkruhej dhe kishte mundësi të lexohej në një rreth më të gjerë, sepse mesazhi i saj përcillej përtej një marrësi të adresuar. Epistolari i të burgosurve përgjithësisht kishte më shumë se një marrës.

Bie fjala, një i burgosur dërgonte një letër, e cila barte disa mesazhe: mesazhin e parë intim dhe lirik për gruan dhe fëmijët; mesazhin e dytë deskriptiv për familjen e gjerë; mesazhin e tretë politik, për miqtë e kështu me radhë. Dhe këto tekste ndërtoheshin si poezi, si tregim (kallëzim), si ese (porosi politike) etj.

Në tipologjinë e letërsisë shqipe nga burgu, Kosumi, veç lirikës dhe epistolarit ka trajtuar edhe letërsinë politike.

Megjithëse numri i teksteve të kësaj natyre, sigurisht është i vogël (pjesa më e madhe e mendimeve politike do të mund të nënkuptohen prej epistolarit dhe madje prej poezisë), këto tekste janë të rëndësishme për vlerësim, sepse në vete kanë disa nga perlat e guximit dhe mendimit politik shqiptar, si: Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion dhe Bisedë mes grilash.

Në sistemin shumështresor të veprës së tij, studiuesi Bajram Kosumi ka përfshirë dy ekzemplarë të lirikës nga burgu: një vepër të Merxhan Avdylit dhe një të Ismail Sylës, megjithëse mund të merrte, mbase një shembull model Librin e Lirisë. Për të dy autorët Kosumi ka vlerësime nga më të mirat. Se, ai i njeh dhe i vlerëson sa autorët aq edhe veprat e tyre, kjo mund të shihet edhe në kapitujt e tjerë, ku vepra e Merxhan Avdylit prezanton sfondin e poezisë së lirikës nga burgu, duke u bërë madje edhe përfaqësuese e lirikës shqipe të këtij brezi, ndërsa vepra e Ismail Sylës prezanton shenjat më domethënëse të simboleve të poezisë shqipe të kësaj kohe.

Si përfundim

Padashur që veprën e Bajram Kosumit Letërsia nga burgu – një kapitull i ri në letërsinë shqipe, ta konsiderojmë qark të mbyllur, në fund të kësaj sprove bashkëbiseduese për këtë temë, së pari dua të ritheksoj pikërisht meritën e hapjes së kësaj teme, duke e pranuar preferencën e tij, jo vetëm si tezë të hapur dhe serioze për diskutim, por edhe obligim njëherë shkencor; së dyti, saktësisht: historiko-letrar; dhe së treti, pse jo edhe etik, të vendosjes së letërsisë nga burgu në vendin e saj: si kapitull më vete në historinë e letërsisë shqipe, në një kohë që prej vitesh diskutimi për domosdoshmërinë e rishkrimit të “Historisë së letërsisë shqiptare” ka qenë dhe vazhdon të mbetet, një nga çështjet më të theksuara në rrethet shkencore dhe kulturore.

Këso hulumtimesh e vlerësimesh, që u duhen vëllimeve të mëdha, tashmë ka sjellë mjaftueshëm sprova e Bajram Kosumit, sinteza e parë e kësaj teme të madhe historiko-letrare, e madje edhe e sociologjisë së tekstit të saj. Ajo ka nxitur dhe zgjeruar, para së gjithash mendimin kreativ shkencor në fushën e studimit historik të tërësisë së letërsisë shqipe.

Realizimit të pikëpamje të këtij studiuesi, në të ardhmen, sigurisht do t’i pasvijnë monografitë për poezinë, prozën, dramën, mendimin estetik, ditarin, filozofinë, letërsinë politike, epistolarin dhe madje përkthimin. Si e tillë, me vlerat e saj, kjo krijimtari do të bëhet jo vetëm përfaqësuese e denjë e veçantive të saj, por edhe përplotësuese e strukturave estetike të prodhimit letrar të një kohe, të kohë sonë./rajonipress/

(Fjalë e mbajtur në aktivitetin e ARS Clubit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, Prof.asoc.dr. Myrvete Dreshaj-Baliu)