Fundamenti

Vepër që shpërfaq punën shkencore albanologjike të Profesor Begzad Baliut

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Prof. Dr. Bahtijar Kryeziu “Qasje shumëdimensionale në studimet albanologjike” (Begzad Baliu dhe studimet albanologjike të tij), shb “Era” , Prishtinë, 2021, f. 308.

Shkruan: Bilall Maliqi, shkrimtar

Ditë më parë Profesor Bahtijar Kryeziu nxori nga shtypi edhe një vepër, që në të vërtetë janë vetëm vepra të vijimësisë së botimeve të tij me karakterit studimor, gjuhësor e shkencor. Veprat e tij shkencore deri më tash kanë përfaqësuar arritje të karakterit hulumtues dhe shkencor, prandaj edhe janë vlerësuar e lavdëruar në mënyrë shumë korrekte nga kritika dhe nga kritikët e fushës përkatëse. Ato janë vepra të cilat jo vetëm ishin në shërbim të studentëve, sikur janë tekstet universitare për fonetikën, gramatikën dhe sintaksën e gjuhës shqipe, po edhe vepra prej të cilave marrin njohuri studimore në fushë të mësimdhënies, si dhe vepra prej të cilave mësojnë dhe krijojnë ide të reja studiuesit e gjuhësisë shqiptare.

Si një punëtor i madh shkencor, ai, këtyre ditëve nxori nga shtypi një libër të veçantë, një monografi shkencore për kolegun e tij studiues me titull “Qasje shumëdimensionale në studimet albanologjike”, në të cilën vepër protagonist kryesor është profesori, albanologu, studiuesi, poeti dhe kritiku letrar z. Begzad Baliu.

Për të folur e shkruar për profilin e gjithëmbarshëm krijues të prof. Begzad Baliut, duhet botuar libra e studime të tëra, sepse ai me punën e tij të zellshme në shumë fusha, gjini dhe lloje letrare, gjuhësore, historike, publicistike e kulturore, ka treguar seriozitet të madh, si në aspektin e gjetjes së temave studimore, po ashtu edhe në vlerën artistiko-shkencore të librave të tij.

Prandaj prof. dr. Bahtijar Kryeziu në këtë vepër, kolegun e tij e profilizon në aspektin e albanologjisë në përgjithësi dhe onomastikës në veçanti, në të cilat dije Profesor Baliu ka shkruar vepra të tëra, të cilat me një kënaqësi dhe me një mjeshtri të madhe autori dhe autorët tjerë i kanë shoshitur, i kanë vështruar e studiuar dhe si të tilla këtë vepër ua servon jo vetëm lexuesve, por edhe studiuesve të këtyre fushave shkencore. Të mos harrojmë se edhe profesor Bahtijar Kryeziu është i specializuar në fushë të onomastikës, ndërsa kërkimet albanologjike i ka pasion të tij prej profesori të formuar prej vitesh në jetën shkencore të tij.

Pra, nuk është aspak e rastit që Profesor Bahtijar Kryeziu e ka marrë përsipër të shkruajë për një pjesë të krijimtarisë së Profesor Begzad Baliut, ashtu sikur nuk është fare e rastit që një ditë Begzad Baliu të merret me studimet onomastike të Bahtijar Kryeziut dhe kontributet e tjera në fushë të mësimdhënies dhe albanologjisë, kur të kihet parasysh fakti se Profesor Baliu prej vitesh merret me këto dije të karakterit shkencor e nacional.

Studiuesi, Bahtijar Kryeziu, në këtë vëllim i ka tubuar shkrimet e tij studimore për librat që i ka trajtuar shkencërisht, duke i shoshitur mirë dhe duke ua ofruar lexuesve vlerat e librave, të cilat i ka shtjelluar dhe atë gjerësisht, si dhe mendimet e studiuesve të tjerë shkencorë, të cilët po ashtu kanë dhënë mendime korrekte për profilin krijues të prof. Begzad Baliut. Studimet e tij brenda këtij libri me karakter mund të themi edhe monografik, përfaqësojnë vlerësime të thukëta dhe tejet shkencore, duke pasqyruar mjaft shterueshëm rëndësinë e botimeve të Profesor Baliut dhe kërkimet e tij të shkrirë brenda disa vëllimeve të albanologjisë.

Mjafton të lexosh lëndën përmbajtjesore të librit, dhe të lexosh titujt e kapitujve të tij, për të kuptuar synimet e autorit për të mbarështruar gjerësisht arritjet studimore për këtë studiues të rrallë dhe të veçantë në hapësirat mbarëshqiptare, por edhe më gjerë në ato ballkanike, pasi temat e tij kapin jo vetëm çështje të karakterit kombëtar po edhe ballkanik.

Libri përbëhet prej gjashtë kapitujve, si: /Veprimtaria e begatë shkencore e Prof. Dr. Begzad Baliut/,/Vepra të Prof. Dr. Begzad Baliut në synorin e Prof. Bahtijar Kryeziut/, /Sintezë e bibliografisë së Prof. Dr. Begzad Baliut/, / Referatet e anëtarëve të komisionit për propozimin e Prof. Dr. Begzad Baliut për anëtar korrespondent të ASHAK-ut /, /Mesazhi i profesor Begzad Baliut dhe ankesa e tij drejtuar ASHAK-ut/, /Fragmente nga vlerësimet e studiuesve për veprat e prof. Begzad Baliut/.

Eco Higjiena

Kur jemi te vlerësimet studimore të Profesor Kryeziut dhe Profesor Baliut për veprat me karakter albanologjik, para nesh shfaqen studime të thukëta dhe tejet të ngjeshura përmbajtjesisht, meqenëse autorët me kënaqësinë më të madhe kanë marrë përsipër t’i vlerësojnë dhe t’i studiojnë nën llupën e studimeve bashkëkohore.

Në vlerësimet e tyre, ata, na japin një pamje studimore për autorë dhe botime të karakterit albanologjik, mbështetur në gjurmime mjaft të thella, natyrisht duke u thirrur edhe në literaturë gjegjëse, për çka këto studime dalin fund e krye shkencore.

Në të gjithë këta kapituj ndërtues e rindërtues për veprën shkencore të Profesor Baliut, dhe brenda titujve e nëntitujve përkatës, autori jep një tablo korrekte lëndës studimore dhe shkencore për protagonistin e tij, i cili ka bërë vepra të tilla studimore me të cilat shkenca e albanologjisë është pasuruar me vlera të arrira kërkimore. Këtë e potencon jo vetëm autori i kësaj vepre, po edhe studiuesit e tjerë, mendimet e të cilëve janë përzgjedhur dhe janë përfshirë brenda këtij libri. Ato mendime na japin emëruesin e përbashkët se Prof. dr. Begzad Baliu është një shkencëtar që i bën nder jo vetëm Kosovës, por gjithë albanologjisë që krijohet kudo në botë, prandaj edhe autori i librit me vlerësimet e tij studimore, lë të kuptojmë se ka po këtë mendim me studiuesit që janë përfshirë apo përzgjedhur brenda vëllimit përkatës.

Autori e ka pasur më të lehtë që të shkruajë për kolegun e tij, dhe t’i tubojë shkrimet për të, meqenëse tek mendimet e tij nuk kishte vend ndonjë dozë mosmerite për punën e Profesor Baliut, porse ai ka dashur që me këtë përzgjedhje ta shpërfaqë gjithë vlerën ngulmuese letrare dhe shkencore të tij, të shpërndarë nëpër botime të shumta kërkimore dhe shkencor, por të cilat nuk ka arritur t’i bëjë objekt studimi e vlerësimi.

Brenda librit, përveç shkrimeve studimore të autorit për libra studimorë të profesor Baliut, ka edhe vlerësime të tjera të studiuesve eminentë të gjuhësisë shqiptare, të cilat janë pjesë e këtij libri falë faktit se ato shkrime janë pjesë e vlerësimeve të atyre autorëve për kandidaturën e Profesor Baliut për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ato janë pa asnjë dyshim pjesë e mëtejme e vlerësimeve pozitive që studiues të ndryshëm kanë për veprën e Profesor Baliut, sepse qesin në pah të gjitha vlerat me të cilat përthekohen ato brenda veprave të shtjelluara.

Si lexues i veprës së Prof. dr. Begzad Baliut, dua të kujtoj këtu se vepra e tij kap një gamë edhe më të gjerë të botimeve të tij, të cilat ia japin një shumëdimensionalitet krijimtarisë së tij. Duke e njohur prej vitesh personalisht atë dhe veprën e tij dhe duke pasur prej vitesh një bashkëpunim me iniciativat dhe aktivitetet e tij letrare, arsimore e shkencore në Kosovë dhe në gjithë hapësirën shqiptare, dua të theksoj në këtë shkrim se Profesor Begzad Baliu mbi të gjitha është vetvetja në shkrimet e tij, ai ka origjinalitetin krijues, në të gjitha zhanret dhe llojet letrare (poezi, prozë e dramë, kritikë, studim letrar etj.) dhe si të tilla e bëjnë profesor Baliun një figurë të shquar në aspektin shkencor e krijues.

Prandaj, autori i këtij vëllimi, Profesor Kryeziu ka bërë një punë shumë të madhe dhe meritore për këtë studiues edhe pse brenda veprës sheshon vetëm disa nga vlerat përfaqësuese e të avancuara shkencore dhe artistike.

Me këtë vëllim, Profesor Bahtijar Kryeziu na e bën të ditur se për profesor Begzad Baliun do të shkruhen edhe vepra të tjera, të cilat kanë të bëjnë me krijimtarinë letrare, me mendimin historiko-letrar e kritik të tij etj.Vepra e tij, e cila po zgjerohet dita ditës në aspektin kërkimor dhe po bëhet më e vëllimshme në aspektin sasior, më bën të krenohem si krijues, si lexues i veprës së tij dhe si studiues. Ajo, në kohën tonë është bërë “letërnjoftim” i shkencës së albanologjisë së brezit të tij.

Preshevë, gusht 2021