Poezi e mendimit të thellë intelektual

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sarë Gjergji – Merxhan Avdyli, Asgjë si atëherë, Embeta, Prishtinë, 2023, ribotim, 2024.
Poeti, filologu e kritiku letrar, Damaso Alonso, është i mendimit se në çdo vepër letrare dy intuita: ajo e autorit (shprehëse) dhe ajo e lexuesit (mbresëlënëse dhe shpesh e pashprehshme, ose vështirë e shprehshme).

Vepra supozon këto dy intuita dhe nuk është e përsosur pa to. Mbi këtë bazë, do të thoshim se vepra fillon vetëm në momentin që zgjon intuitën e lexuesit, sepse vetëm atëherë fillon të jetë funksionale.

Po e pranuam si të mirëqenë mendimin se veprat letrare nuk janë shkruar për komentues apo kritikë (na pëlqen ose jo), por janë shkruar për një qenie të butë, të pafajshme dhe thellësisht interesante: “lexuesin”, për ta ushqyer me frutat e saj të shijshme e të shëndetshme, atëherë, më pëlqen ta zgjedh këtë të fundit, për fjalën time në vazhdim.

Ka libra, leximi i të cilave kërkon të hedhim shikimin në kohë të ndryshme; në të kaluarën, të tashmen e të ardhmen. Ka libra, që nuk na lënë të qëndrojmë indiferent. E tillë mund të cilësohet edhe vepra Asgjë si atëherë, e poetit, studiuesit të letërsisë, kritikut letrar, publicistit e pedagogut Merxhan Avdyli.

Hyrja në të si lexues është një aventurë e vërtetë, që kënaq jo vetëm me gjuhën poetike e stilin e lartë. Vërtet, vargjet e këtij vëllimi poetik na çojnë në një sferë sa humane, po aq dhe të pastër arti.

Libri hapet me poezinë Vuajtjet e Tantalit të ri dhe përfundon me poezinë Asgjë si atëherë. Siç dihet, në kohë të ndryshme, figura e Tantalit ka tërhequr vëmendjen e poetëve dhe piktorëve të shumtë (një tragjedi mbi Tantalin e ka shkruar Sofokliu).

Historia mitologjike e Tantalit, birit të urryer të Zeusit – një perëndi urrejtës, të çdo gjëje që i del përpara, në poezinë e Merxhanit merr një konotacion të ri – rikuptimësohet ose, siç e thotë redaktorja e librit, Rina Rasimi, në parathënie, risemantizohet me subjektin lirik, gjë që lehtë kuptohet edhe nga cilësimi: të ri.

Pra, autori e ka ridimensionuar figurën mitologjike të Tantalit në një kontekst modern. Ndonëse poezia është shkruar në vetën e parë, Tanatali jo medoemos personifikon vetë(m) poetin. Për të shprehur dramën e vërtetë njerëzore (dhe personale), autori mjeshtërisht përdor figurat stilistike, si antitezën dhe kontrastin.

Poezia, me tonin dhe ngjyrat që ka, me jehonën e vargjeve: “Më sjell vetëm vuajtje, / O dhembje, më sjell, pa fund”, që përsëritet në fund të tri strofave të para, sikur na sjell ndërmend Korbin e Poe-s.
Miti (i Zeusit), i cili shtrihet në disa poezi të këtij vëllimi poetik, sikur sugjeron një fushë të rëndësishme të kuptimeve.
*
Se shkrimi i poezisë kërkon mendim të kujdesshëm, e përligj më së miri edhe ky vëllim poetik i M. Avdylit.

Kërkimi i fjalëve, figurave, imazheve dhe metaforave për të shprehur subjektin lirik në këtë vepër, sikur lë përshtypjen se sfidon kufijtë e strukturës gjuhësore poetike në poezinë e sotme shqipe. Shkrimtari lirshëm luan me fjalët dhe imazhet, duke krijuar një gjuhë të ngarkuar me kuptime dhe sugjerime; krijon forma të reja shprehëse poetike-artistike; eksperimenton me gjuhën dhe ritmin. Gjuha poetike e veprës karakterizohet nga bukuria, muzikaliteti e origjinaliteti i saj.

Autori përdor teknika të ndryshme për të arritur shprehjen sublime në vepër; maksimalisht e vlerëson fjalën, duke i dhënë asaj në poezinë e këtij vëllimi, një fuqi të veçantë semantike, për të përcjellë gjithë emocionet te lexuesi.

Uji Dea

Gjuha e kursyer në vepër, e karakterizuar nga shkurtësia dhe dendësia, e që merr një kuptim të thellë dhe simbolik, dhe e cila mund të interpretohet në mënyra të ndryshme nga secili lexues, e nxjerrin autorin jo vetëm njohës të shkëlqyeshëm të gjuhës, por dhe një artist, i cili mjeshtërisht e shfrytëzon atë në artin poetik.
*
Autori, duke qenë dhe vetë aktor i ngjarjeve dhe proceseve të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar populli ynë, si një i burgosur i ndërgjegjes (nga ish sistemi), zhytet në pyetje e çështje ekzistenciale, duke eksploruar bukurinë, ashpërsinë dhe dhimbjen e jetës, duke nxjerrë në dritë perspektiva dhe kuptime të reja.

Nëpërmjet shkrimit poetik, autori shpërfaq para nesh (si lexues) aspekte të reja jo vetëm të unit të tij, por edhe të qenies sonë kombëtare dhe njeriut përgjithësisht. Shih për këtë, në faqet e këtij libri gjejmë vargje të shumta që prekin kordat më të thella të shpirtit njerëzor.
Nëpërmjet nuancave të saj gjuhësore dhe imazheve të gjalla, poezia e M. Avdylit nxit një sërë asociacionesh e reflektimesh te lexuesi.

Autori e ekspozon lexuesin ndaj një gjuhe të rafinuar dhe komplekse, e cila mund të zgjerojë sfondin gjuhësor të tij, duke e shpënë atë në botë të reja (imagjinare).
Në një kohë kur, siç thotë vetë autori:
“Si tash asgjë nuk ishte,
As ikja nga liria,
As hyrja në robëri.

Si atëherë asgjë nuk është,
As ikja nga robëria
As hyrja në liri.”
poezitë e këtij vëllimi mund të frymëzojnë ide të reja, të zbulojnë perspektiva të reja për ta ndriçuar të kaluarën e për të ofruar shpresë në kohë të errëta kaosi.

Ky vëllim poetik është nga librat e tillë (të rrallë) që, teksa i afrohesh fundit, të bën ta lexosh sërish, sikur diçka shumë e rëndësishme të ketë humbur dhe të bën të nisësh nga fillimi për ta kërkuar. Kthimin te “Tantali i ri” sikur na sugjeron dhe poezia e fundit me titull Asgjë si atëherë, që është dhe titulli i veprës, ose edhe poezia Kthimi në Gilbush, e shtuar në ribotimin e vitit 2024.

Kjo poezi, në fakt është kthimi në origjinë, te burimi, aty ku poeti dhe njeriu ndjehet i plotësuar, i lirë, i gjallë e plot ëndrra për të ardhmen. Kthimi në origjinë, ndërkaq është dhe një grishje për unin tonë, ftesë për kthim në identitet.
*
Si lexues, them se nuk është shumë e vështirë të gjesh poezi të mira; gjëja vërtet e ndërlikuar është të gjejmë ato të jashtëzakonshmet, ato që lexojmë me ndjenjën se botëkuptimi ynë po ndryshon pikërisht në momentin e leximit. Dhe vëllimi poetik Asgjë si atëherë na afron këtë ndjesi.

Angazhimet e autorit në rrafshe të ndryshme, përbëjnë sfondin e pashmangshëm, por të nënkuptuar në poezitë e tij.]Mbase tipari më konstant i poetikës së Avdylit është referenca e vazhdueshme midis së shkuarës dhe së tashmes, zhgënjimeve dhe shpresës; besimit për të nesërmen.

Poezia e tij është e mbushur me shqetësimet e përhershme. Të përhershmet e të përjetshmet e poezisë universale, si dashuria (te poezia Në fillim s’ishte fjala, kushtuar bashkëshortes, Sabiles…), liria, jeta dhe vdekja apo atdheu, na shfaqen përmes një gjuhe poetike shumështresore të një niveli të lartë.

Si i tillë, libri do të jetë për çdo lexues me një nivel dhe formim të mirë kulturor, një kënaqësi e vërtetë.

Në thelb, Asgjë si atëherë nuk është një libër i menjëhershëm, por një libër për t’u shijuar, për të bërë një pushim dhe për t’u kthyer në faqet e tij për të rizbuluar veçantitë e tij, në mënyrë të vazhdueshme.
Jo më kot, poezia është cilësuar herë hirushja e letërsisë e herë të tjera art elitar.
Poezia e Merxhanit është një art me një qind e një aspekte, që dëshmon një gjë të tillë, që mund ta pasurojë unin tonë e ta afrojë me hyjnoren.

Në fakt poezia dhe shkruhet për të na afruar me hyjnoren./rajonipress/