Uji Dea

Vepër e rëndësishme për mbrojtjen e gjuhës shqipe

/ 15 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Bahtijar Kryeziu – Gjovalin Shkurtaj “Urgjenca gjuhësore” (Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe – Fjalorth), ShB ADA,Tiranë, 2015, faqe 199.

Në gjuhën shqipe, si njëra ndër më të vjetrat e më të mëdhatë të kontinentit, të cilën Kadareja e radhit madje ndër 10-12 gjuhët më të rëndësishme të rruzullit tokësor, ose njëra ndër “3 gjuhët më të vjetra në botë” – fakt të cilin e sjellë gazeta prestigjioze amerikane “New York Times”[1], vazhdojnë të hyjnë e të përdoren, përditë e më tepër vistra fjalësh të huaja – të panevojshme, të shumtën, nën ndikimin e procesit të demokratizimit të shoqërisë, të globalizimit gjuhësor, të zhvillimit marramendës të teknologjisë: interneti, telefonia celu¬lare, programi satelitor, rrjetet sociale, por edhe për shkak të një snobizmi intelektual që ne shqiptarët e kemi aq shumë për qejfi.

Kërkesa që shtrohet sot për ta thelluar e zgjeruar më tej veprimtarinë për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës letrare e për ta mbrojtur atë nga huazimet e reja të panevojshme, ose edhe për t’i përdorur në frymën e shqipes disa nga ato huazime të cilat i duhen shqipes, është plotësisht e përligjshme. Bindja për këtë na shtohet edhe më, kur dihet se shkrimtarë e studiues tanë të Rilindjes e në vijim, që në kohët e tyre, shumë fjalë i përdorën shqip, ose duke ua përshtatur gjuhës shqipe.

Ndër të parët që tregoi dashuri për pastërtinë dhe pasurimin e gjuhës sonë, Çabej përmend mjeshtrin e dorëmbarin e gjuhës sonë, Naum Veqilharxhin, i cili u përpoq, për aq sa mundi, ta spastrojë gjuhën nga fjalët e huaja, por edhe ta pasurojë me fjalët: fletore, kamës, mësim, padije, shënim, shumicë, thelloj e ndonjë tjetër; punë që do të vazhdohej nga babai i gjuhës shqipe, Konstadin Kristoforidhi, me fjalët: fushatë, hierore për “tempull”, jetëdhënës, ligjdhënës, ndërgjegje, pikë, presë, theks, zanore…; Naim Frashëri me fjalët: dëgjim, gjithësi, hapësirë, papunësi, i përjetshëm, vetëdije, vjershëtor…; Samiu me caqet (termat) gjeografikë e administrativë: lindje, perëndim, jugperëndim, veriperëndim, mesditës për “meridian”, pastaj fjalët: kryeministër, qeveritar; termat gjuhësorë: abetare, nyjë, njëjës, shumës, rrokje, i shquar, i pashquar etj.; e para tij edhe Jani Vreto me termat gjuhësorë: rrënjë, emër, përemër, folje ndihmëse…[2]
Profesor Çabej vlerësonte edhe detyrën që Luigj Gurakuqi u kishte vënë lëvruesve të gjuhës, të cilët duhet ta kenë për obligim që “skajet (termat) e përgjithshme t’gjith degëve t’dijes, qi janë pothuaj gjithnjë ndër t’tana gjuhët.kena për t’i marrë edhe na.fjalët e skajet e tjera kena për t’i trajtue vetë tuej i ba me rrjedhë prej rraje shqype”.

Nuk mund të harrohen ndihmesat dhe përkushtimi i prof. dr.Aleksandër Xhuvanit, i cili “i kushtoi gjithë jetën e tij detyrës së madhe të pastrimit të gjuhës prej fjalëve të huaja e të pasurimit të saj me fjalë vendi”[3], mund ky i kurorëzuar më vonë me botimin e vëllimeve “Studime gjuhësore” (1956) dhe “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1960) etj.
Për këtë punë aq të madhe e kombëtare, përmendim edhe të palodhshmin Thimi Mitko, i cili me gjithë shpirtgjerësinë e tij ndaj fjalëve e shprehjeve të huaja, duke shfrytëzuar pasurinë e madhe të shqipes, ngjyresat dhe shprehësinë e saj – nga mbarë atdheu, bëri zëvendësimin e disa fjalëve të huaja me neologjizma që i krijoi vetë, në mbështetje të natyrës së gjuhës sonë, si fjala vjen: ditëtore (për gazetën), qindore (për shekull) etj.

Ai, nga keqardhja që kishte ndaj vërshimit të fjalëve të huaja, në letrën që i dërgonte Dhimitër Kamardës, shkruante: “Fjalët turqisht, arabisht, sllavisht, etj., që kanë hyrë fshehurazi në gjuhën tonë, janë krejt të tepërta, të pavolitshme e keqtingllonjëse. Prandaj fjalë të këtilla, të një origjine të huaj populli shqiptar duhet t’i hedh poshtë, sepse jo vetëm krejt të tepërta dhe vrasin veshin, po edhe bastardojnë gjuhën.[4]

Nocionet e reja, fjalët e reja, togfjalëshat, terminologjitë që krijuan rilindësit tanë “shënojnë fillimin e krijimit të gjuhës diturore shqipe, si pjesë përbërëse e gjuhës kombëtare letrare” (R. Qosja).

Se si duhet mbrojtur gjuhën shqipe nga fjalët e huaja e të panevojshme, është folur e shkruar edhe më parë, kurse vepra “Urgjenca gjuhësore” (Huazime tëzëvendësueshme me fjalë shqipe – Fjalorth), e akademik Gjovalin Shkurtajt, vetëm sa, dhe një herë, na kujton të vëmë gishtin në tëmth për të vlerësuar qëndrimin tonë ndaj kësaj ngrehine e shenje kombëtare. Këtë mendim tonin e përligj edhe konstatimi i vetë autorit të veprës së botuar kur thotë: “Fjalorthin e barbarizmave…”, po ua vëmë në dorë të gjithë atyre që dëshirojnë të jenë jo vetëm shkrues me mëtime, po edhe mbrojtës të pastërtisë e pasurimit të gjuhës shqipe.

Derisa dje problemet i kishim me huazimet e turqishtes, sllavishtes, greqishtes, italishtes, si shprehje të sundimit të gjatë (osman) ose të fqinjësisë me gjuhët e atyre popujve (sllavë, grek, italian), tani, kur anglishtja si gjuhë e madhe ka marrë statusin e gjuhës së dytë të mësimit në shkollat tona, e mira ose edhe e keqja na vjen nga kjo gjuhë.

Se ç’pushtet ka fituar anglishtja në kohën tonë dhe ç’hapësirë ka pushtuar kjo gjuhë e madhe, e dëshmon jo vetëm ndikimi nëpërmjet internetit, po edhe rrethana se kjo trysni e gjuhës angleze nuk ndodh vetëm te popujt e vegjël, ku mund të radhiten edhe shqiptarët. Natyrisht, të vegjlit janë më të rrezikuar e gjuha e tyre më pak sfiduese ndaj huazimeve të tilla. Aktualisht, nga afro 7 mijë gjuhë të ndryshme[5], gjysma prej tyre është duke u përballur me rrezikun e zhdukjes, e kjo po ndjehet e do të shprehet edhe më tepër sidomos me afirmimin e pse jo edhe hegjemonizmin gjithnjë e më të madh të gjuhës angleze, në radhë të parë përmes globalizimit gjuhë¬sor.

T’i kthehemi dhe një herë çështjes së shtruar. Në veprën e tij, që sot ka parë dritën e botimit, akademik Gjovalin Shkurtaj, ka paraqitur një numër huazimesh që kanë një përdorim më të dendur, sidomos në gjuhën e shtresave të intelektualëve, nxënësve, studentëve, gazetarëve, publicistëve etj., të cilët janë në kontakte më të shpeshta përdorimi me anglicizmat, të cilat, si të thuash i kanë “në majë”të gjuhës.

Përhapja e fjalëve të huaja, dhe sidomos e anglicizmave, është një konstante, në veçanti, në formimin e ligjërimit rinor. Përdorimi i kërkuar i huazimeve angleze bën të lindë te të rinjtë bindja e të qenit më të përparuar sesa shtresat e tjera të shoqërisë dhe kjo bindje forcon shansin e solidaritetit midis tyre dhe ndjenjën e identifikimit (E. Radke) e këtu qëndron edhe problemi më i madh “i ndotjes” së gjuhës, në një të ardhme jo të largët.

Autori i veprës në fjalë, akademik Shkurtaj, nuk kërkon që me farë dekreti t’u vihet ledh fjalëve të huazuara, e aq më pak atyre të cilat i duhen gjuhës sonë për të kryer funksionin e saj komunikues në shkallë sa më të lartë, porse shpreson se ka rrugë të tjera të cilat e ndihmojnë shqipen që të jetë e pasur e funksionale në rolin e saj, por edhe më imune ndaj fjalës së huaj. Zgjidhjen më të mirë e më të drejtë (si kundërpërgjigje barbarizmave e huazimeve të ndryshme), autori e sheh në pasurimin e shqipes me fjalë vendi, përmes disa rrugëve, siç janë:

United Hospital

1. Formimi i fjalëve të reja nga brumi i vetë gjuhës dhe sipas modeleve prodhimtare të sistemit fjalëformues të shqipes, si për shembujt: domosdoshmëri, gatishmëri, qëndrueshmëri, mbingarkoj, mbishtresë, mbivlerë, nënçmoj, nëndetëse, nënujor, përvetësim, përparësi, i përafërt, përvijoj, përuroj, ideor, parimor, burimor etj.

2. Përdorimi më i gjerë i fjalëve dhe frazeologjizmave nga goja e popullit, si p.sh.: grimcë në vend të partikulë, kah-u në vend të sens-i, pështjellë në vend të spirë, gërryerje në vend të erozion, mjedis në vend të ambient, shterp e shterpëzoj në vend të steril, sterilizoj; shtegtues në vend të nomad, tatëpjetë ose teposhte në vend të dekadencë etj.

3. Aktivizimi i fjalëve të bukura, që kanë qenë krijuar në epoka të mëparshme por që, për arsye të ndryshme, nuk kanë gjetur përdorim e kanë mbetur mënjanë, siç janë fjalët:trimëroj, që mund ta zëvendësojë më së miri fjalën e huaj inkurajoj; nismë e nismëtar për të shmangur fjalët e huaja iniciativë, iniciator; miratoj në vend të aprovoj, miratim në vend të aprovim; tubim në vend të miting; kushtrim në vend të alarm; kushtrimoj në vend të alarmoj etj.

Në këtë fjalorth janë të pranishme mbi 2500 fjalë, kuptohet, me derivatet e tyre, të hyra sidomos këto kohët e fundit nga anglishtja, italishtja, gjuhët e vjetra, më pak nga gjermanishtja, apo edhe nga ndonjë gjuhë tjetër, kryesisht në gjuhën e masmediave tona.
Akademik Shkurtaj, të gjitha fjalët e paraqitura në këtë fjalorth, me zell e mund të pashoq, i ka radhitur sipas rendit alfabetik (ABC-së) si dhe i ka klasifikuar e ndarë sipas klasave, duke treguar edhe trajtat gramatikore, origjinën e prejardhjes, semantikën e tyre dhe shpjegime të tjera etj. Ky është edhe një kumt i mirë, nga të cilat të dhëna lexuesi do të njihet edhe me shumë detaje e çështje gjuhësore, sidomos kur fjala e tillë është një emër ose edhe pjesë tjetër e ligjëratës. Ai me këtë rast do të mësojë për gjininë, numrin, trajtën, etimologjinë e fjalës etj.

Për të treguar se shqipja ka fond të mjaftueshëm fjalësh e shprehjesh nga më të ndryshmet, se ajo është gurrë e pashtershme dhe me inventar të pasur leksikor e mjaft të pashfrytëzuar, akademik Shkurtaj, ashtu siç vepron edhe vetë, si një rilindës i ditëve tona, duke krijuar neologjizma përmbajtjesorë e kuptimplotë, si te shembujt: gjuhëpastrues, (erë) evropianizuese, botërorizuese, (krahas veprimtarisë) gjuhëruajtëse dhe gjuhëkrijuese, (fjalë) të parrënjosura, etj., etj., merr shembullin e Ismail Kadaresë për krijimin e fjalëve shqipe në vend të fjalës së huaj, me ç’rast shkruan: “Në mbyllje të këtij Fjalorthi, pikërisht si mbështetje, po edhe si model për t’u ndjekur e pasur gjithmonë parasysh nga të gjithë njerëzit që dëshirojnë të shkruajnë e të flasin sa më pastër shqip, po japim një pjesë të fjalëve shqipe, të cilat shkrimtari i shquar Ismail Kadare i ka krijuar vetë ose i ka marrë në gojën e popullit, si dhe nga shkrimet e mëhershme, por gjithmonë të përdorura me mëtime mirëfilli gjuhëpastruese… të cilat Kadareja i përdor për të mënjanuar fjalët e huaja përkatëse, apo, kur nuk ka mundësi tjetër, së paku shqipëron pjesë të tyre” (pason një fjalorth prej 145 fjalëve shqipe të krijuara nga I. Kadare).

Për depërtimin e madh e pa kriter të fjalëve të huaja në qoftë se edhe gjermanët ngrenë shqetësimin e ligjshëm dhe bëjnë thirrje të çdoditshme në medie: “Kush e mbron gjuhën gjermane”? (Wer schűtzt die Deutsche Sprache ?), atëherë nuk ka përse dhe ne shqiptarët të mos kemi një shqetësim të tillë dhe të kushtrimojmë: Kush e mbron gjuhën shqipe? (Q. Murati).

Nuk deshëm ta përmbyllim këtë shkrim tonin, pa përmendur faktin tjetër se sot, megjithatë, nuk ka gjuhë “të virgjër”, pa fjalë e shprehje të huaja, që ta kryejë funksionin dhe misionin e saj si duhet, qoftë ajo edhe një gjuhë e madhe. Këtu gjen shprehje, sigurisht, edhe një mendim i autorit të fjalorit të parë të shprehjeve të huazuara në gjuhën shqipe, i gjuhëtarit e mikut tonë të nderuar, Prof dr. Ali Jashari, kur për shqipen thotë: “Ajo ka rrjedhur qysh nga arbrit, është zhvilluar dhe pasuruar ndër shekuj, duke u mbrujtur me fjalët dhe shprehjet më të bukura të popullit dhe njerëzve më të shquar të penës së kombit tonë. E, në këtë rrjedhë të furishme, nuk ka mënuar “të huajë” edhe gjëra të spikatura nga simotrat e saj, fjalë e shprehje të bukura që, me kalimin e kohës, nuk e ndiejnë veten keq në “shtratin” e lumit të shqipes”[6], ama këto huazime të jenë “me terezi” – siç shprehej Fishta.

Me pak kujdes e përgjegjësi profesionale, po edhe me ndjeshmëri kombëtare, detyrim yni ky, si dje, ashtu dhe sot e nesër, pa farë vështirësie shumë, fjalë e gjedhe fjalësh të huaja, mund të hidhen jashtë përdorimi, ngase për to shqipja ka fjalët e saj, plotësisht me të njëjtin kuptim, më të njohura, të përpikta e të qarta për folësit e shqipes, një pjesë e të cilave janë botuar në librat “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj” (1998); te Fjalori për “Pastërtinë e gjuhës shqipe” (botuar po në vitin 1998) nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë etj.

Në qoftë se, edhe para sa e sa vitesh, shkrimtarë e patriotë tanë, qysh nga Gjon Buzuku e në rrjedhë të shekujve, patën ndjenjën e përgjegjësisë ndaj pastërtisë dhe pasurisë së gjuhës, përse atëherë ne sot të përdorim, p.sh., fjalën e huaj abstrakt, në gati çdo hyrje studimi, kur në vend të saj mund të përdorim fjalët shkurtore ose përmbledhje (libri, doktorate, diplome); fjalë kyçe kur në vend të saj mund të përdorim fjalë çelës; Cv-i (Sivi) – për jetëshkrim (siç ka thënë Naim Frashëri). Të zëvendësueshme janë aksent -theks; aplikim -zbatim etj., etj. Në këtë hulli është edhe qëndrimi i akademik Rexhep Qosjes, i cili, për pasurimin e gjuhës letrare, shkruan se “krijimi i fjalëve të reja, ringjallja e disa fjalëve plaka, përdorimi i krahinorizmave, zgjerimi a ndryshimi a, më në fund, saktësimi i kuptimit të disa fjalëve të marrëveshjes së përditshme”[7] janë bazë e mirë për një gjuhë të pastër e të pasur shqipe.

Po edhe për veprën e akademik Shkurtajt “Urgjenca gjuhësore” (Huazime të zëvendësueshme me fjalë shqipe – Fjalorth), e cila është pjesë e një trajtesë më të gjerë, mund të pohojmë me plot gojën se është vepër e llojit të vet, shumë e rëndësishme dhe e mirëseardhur në tryezat tona, sikurse buka e gojës në sofrat e skamnorëve, sidomos në këto kohë të liga për shqipen, kur kjo sulmohet pa prajtur e mbrohet shumë pak nga ne.

Vepra e akademik Shkurtajt, e botuar sot, përmbyllet me dy recensione: recensioni i Prof. dr. Ali Jasharit dhe i autorit të këtij shkrimi, si dhe me një Pasthënie të thukët të autorit të veprës./rajonipress/

________________________________________
[1] New York Times, Shqipja në mesin e tri gjuhëve më të vjetra të botës, http://ëëë.bota.al
29.8.2014.
[2] Prof. Eqrem Çabej, Për pastërtinë e gjuhës shqipe, “Rilindja”, 12 maj 1979, faqe 14.
[3] Prof. Eqrem Çabej, Po aty,
[4] Rexhep Qosja, Historia e letërsisë shqipe (Romantizmi II), Prishtinë, 1984, faqe 261.
[5] Nuk mund të thuhet me saktësi se sa gjuhë ka sot në botë. Sipas revistës prestigjioze Etnology (Ethno¬logue), të botuar nga Instituti i Gjuhësisë SIL International, thuhet se më 2001 në botë kishte 6703 gjuhë të gjalla.
[6] Prof.dr.Ali Jashari, Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe, Korçë, 2007, Hyrje, faqe IV.
[7] Rexhep Qosja, Panteoni i rralluar, Prishtinë, 1988, faqe 72-73.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.