UBT

Vendosja e reciprocitetit izoloi edhe më shumë shqiptarët e Luginës, kërkohet që ata të përjashtohen nga ky vendim

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Që nga një prilli i këtij viti, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit nga Serbisë.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që nga një prilli i këtij viti ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës më së shumti është duke i dëmtuar shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Ragmi Mustafa kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ka thënë për lajmi.net, se ky vendim i izolon edhe më shumë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përjashtohen nga ky vendim të gjithë shqiptarët.

UBT

“Edhe në të kaluarën qeveritë e kaluara kanë pasur disa kundërmasa që janë marrë ndaj Qeverisë së Republikës së Serbisë në të cilën ne e kemi tërhequr vëmendjen rreth çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Përndryshe përderisa kjo masë apo kundërmasat e tjera që merren ndaj Republikës së Serbisë do të duhej të përjashtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës ngase konsiderojmë se do t’i ndodh një diskriminim i dyfishtë pasur parasysh që të gjitha familjet shqiptare nga Presheva, Bujanoci e Medvegja kanë lidhje të ngushta familjare e të punës së përditshme me Kosovën. Në bazë të saj sigurisht një pjesë e mirë ka të bëj qoftë edhe në të kaluarën kur ka qenë taksa sa i përket bizneseve ne e kemi theksuar se do të duhej përjashtuar prodhuesit shqiptar nga Lugina e Preshevës sepse të vetmin treg e kanë Gjilanin, Kamenicën e kështu me radhë. Sigurisht edhe në kuptimin e çështjes së dokumentacionit, patentë-shoferëve, targa të automjeteve e kështu me radhë, do të shprehte shumë problem dhe do ta ndërpriste komunikimin e shqiptarëve me Kosovën. Andaj ne konsiderojmë nga të gjitha masat që i ndërmerr republika e Kosovës do të duhej të përjashtonte edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, përndryshe do të ishte diskriminim i dyfishtë nga njëra anë që imponohet nga Republika e Serbisë dhe nga ana tjetër pamundësia për të lëvizur dhe vepruar në raport me Republikën e Kosovës”, është shprehur Mustafa.

I pyetur nga lajmi.net, nëse ka pasur ndonjë sqarim nga Qeveria e Kosovës se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk do të përfshihen në këtë vendim, Mustafa, ka thënë se një gjë e tillë nuk është bërë pavarësisht se edhe kur ishte vendosur taksa kishin kërkuar që bizneset e shqiptarëve të Luginës të mos përfshihen në atë vendim.

“Jo se ngase edhe kur është marrë taksa 100 për qind ne patëm kërkuar dhe patëm avokuar që të largohej për diku rreth 24 biznese prodhuese nga Lugina e Preshevës, por po që se në atë kohë Ministria e Tregtisë nuk i kishte përjashtuar. Njëkohësisht ka qenë edhe ish-ministri Mustafa, ku ndërmori disa kundërmasa dhe nuk dihej nëse e kishte marrë atë vendim ministria apo qeveria, por megjithatë shkaktoi një problem sa i përket shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Kosovën ngase ne kemi një diasporë të madhe e cila e shfrytëzon Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, për udhëtim. Sigurisht për mosnjohjen e pasaportave më pas ka lindur problemi i ndalesës të cilën më pas shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë aeroportin “Adem Jashari”. Njëkohësisht edhe kalimet kufitare mes Luginës së Preshevës dhe Kosovës për shkak që fëmijët deri në moshën madhore nuk posedojnë karta identiteti, atëherë do të duhej që me certifikatë të lindjes, por në përgjithësi këto masa që imponohen ndaj Republikës së Serbisë, do të duhej t’i përjashtonin shqiptarët e Luginës së Preshevës sepse e vështirësojnë në masë të madhe po aq shumë sa e edhe izolon luginën e Preshevës”, deklaroi Mustafa.

Theksojmë se janë mbi 10 mijë qytetarët të Luginës së Preshevës të cilët në vitin 1999-2000 ishin zhvendosur në Kosovë, por që shumë prej tyre ende nuk kanë asnjë dokument të shtetit të Kosovës. /Lajmi.net/