RCCOLA

Veç shnosh m’u konë

/ 11 minuta lexim
RCCOLA

Nga Flaka Surroi – Kiameti erdhi në Kosovë në mëngjes, e pa a jena, ku jena, qa jena, sa jena dhe shkoi duke na e sjellë ditën e parë kalendarike të dimrit – dhe bisedat “sekrete” për ndërtimin e koalicionit HARAM.

Në javën kur supozohej se duhej të kriste kiameti, ma kthyen vëmendjen nga kënga rap “Na jena”, të shkruar e kënduar nga një grup i quajtur “Taste 2”. Teksti i këngës më la shumë përshtypje – ishte një përshkrim mjaft i thjeshtë, në formë rime, të asaj se kush jemi, ku jemi e kah jemi nisë me shku… Pa fraza politike, po me shumë humor, edhe të zi bile, këta “artistë të talentum pa pare” na i numëruan shumë nga tiparet që e karakterizojnë këtë brez kosovarësh. Po ju lë të gjykoni vetë, në bazë të disa vargjeve që i transkriptova:

(…) veshem mirë, po s’kena pare
me rrejt, me vjedh nuk kena marre
kena rini sa tetëfish më shumë se për idare

(…) Ngrehim shumë bari po nuk jena holandezë
S’o as legal as ilegal, po qaty diku n’mes
Kur mesim keq shkojmë n’polici me mush naj thes
Po get që s’o korrupsion, po veç biznes

A jena, ku jena, qa jena, sa jena
Kurrkah jena, deri dika jena
Sa mos me thonë,
Veç shnosh m’u konë
Qajo neve prej krizës na pshton
E na ka pshtu gjithmonë

(…) Kena pasuri, po s’jena jahudi
Kena demokraci, po fjalën nuk e kena liri
Kena siguri prej atij që na garanton hajni
Duhesh me u përbi sa herë që t’sheh zi
Jena patriota po kurrë nuk bohem njo
Krejt e dojna vendin po pak bojna për to

(…) Sytë i kena, po nuk dina hiç me pa
Veç leki na shtin me nga, m’u tradhtu, m’u nda
Po asnjo se marrim me veti kur t’kalojna n’hava

(…) Çdo sport e lujna mirë, po ma s’miri lujna menç
Jena shumë punëtor’ e krejt na shkojnë për dore
S’e kqyrim pak, nëse jomshim pak si n’fore
Dina gjithçka e punojna çdo profesion
E blen 1 diplomë edhe daja punën ty ta bon
O bohet mirë qashtu po thojnë
Po për mu bo, kurrgjo spo bojnë
As nuk dijnë e as nuk me ngu nuk dojnë
Krejt çka dijmë o me filozofu,
A e ki vrejt krejt i dijmë, dhe thojmë ngom mu

Pra, në kontekst të kësaj edhe duhet shikuar ardhjen e “fundit të botës”. Pra, erdhi 21.12.12. Kiameti erdhi në Kosovë në mëngjes, e pa a jena, ku jena, qa jena, sa jena dhe shkoi duke na e sjellë ditën e parë kalendarike të dimrit. E pa se kloni i tij qenka në Kosovë, dhe se atë e kanë krijuar ata “që nuk dijnë, e as me ngu nuk dojnë”, ata që “veç leki i shtin me nga” e që “me vjedh, e me rrejt nuk kanë marre” dhe përfundimisht ata “që japin siguri duke na garantuar hajni”.

Kosova e fundvitit 2012 është ajo e një të arratisuri me vendim të prerë gjykate, që e kërcënon EULEX-in dhe shefin e shkuar prej para dy vjetësh se “do t’ua zbulojë sekretet”. Kështu u tregua edhe më i lig – duke ia mohuar popullit, të cilin ai e përfaqëson, të kuptojë nëse edhe EULEX-i na qenka organizatë kriminale që do të duhej ndjekur penalisht për një diçka që Zharku e di, por që nuk e ka bërë ende publike. Kjo Kosovë është gjithashtu e aktgjykimit të parë me të cilin pesë anëtarë të SHIK-ut, e përkufizuar si organizatë kriminale në aktgjykim, dënohen me 54 vjet burgim. Porse vuajtjen e dënimit nuk do ta përjetojnë tre syresh, ngase edhe këta janë arratisur.

Është Kosova e skandaleve në Ministrinë e Brendshme që e rrezikojnë madje edhe procesin e liberalizimit të vizave, me të cilën na e patën mbushur kokën të gjithë zyrtarët qeveritarë në disa vjetët e shkuar, e që fundja mbase nuk do të ndryshojë shumëçka në jetën tonë, pos ndoshta rritjes së numrit të njerëzve që do të shkojnë në Evropë, kinse për shëtitje, e në fakt për gjetjen e një perspektive më të ndritshme, paj qoftë ajo edhe të jetuarit “në të zezën”.

Është Kosova e udhëhequr nga një Qeveri, e cila kot së koti na ka sjellë në situatën e palakmueshme të rihapjes së çështjes së statusit të Kosovës dhe sovranitetit të saj. Na ka sjellë në situatën kur autoritetet serbe, me një ”non-paper” (pra dokument jozyrtar, por që qarkullohet për të çuar një porosi a zbuluar një qëndrim) tregojnë qartazi se cilat janë qëllimet e tyre, se si do ta ndërtojnë strategjinë e futjes sonë më thellë në negociata prej nga nuk do të dimë të dalim, për shkak se në këtë anë kanë njerëz që pretendojnë se i dinë të gjitha.

RCCOLA

Kemi ardhur në fazën kur sa herë që kryeministri thotë “kurrë nuk do ta pranojmë… kurrë nuk do ta lejojmë… kurrë nuk do të ndodhë… kurrë nuk do të përsëritet…” na përshkojnë mornicat, për shkak se gjasat janë që pikërisht ato që ky i mohon të ndodhin dhe të shndërrohen në realitet.

Ka kohë që në gazetë e televizion kemi alarmuar se futja e pakontrolluar, e pamatur, e paplanifikuar në biseda me Serbinë, pa pasur strategji, pozicion dhe përfundimisht së paku konsensus të gjerë (konsensusi i plotë nuk arrihet dot, ngase VV-ja në formë parimore mbron pozicionin e vet) do të na sjellë në situatën e mbështetjes për muri dhe në insistimin që serbëve të veriut t’u njihet autonomia territoriale. Plani i Serbisë parasheh autonomi territoriale për të gjithë serbët, parasheh parlament, qeveri, polici – parasheh ristrukturimin e Kuvendit tonë… parasheh shumë gjëra që e copëtojnë integritetin e Kosovës, dhe mbi të gjitha i parasheh dy gjëra: një, që Serbia kurrë nuk do ta njohë “shpalljen e njëanshme të ‘pavarësisë’ së Kosovës” dhe se në negociatat që do të zhvillohen në bazë të këtij dokumenti do të vlejë parimi: “asgjë nuk është e dakorduar derisa të gjitha nuk janë dakorduar” – pra gjithçka ose hiç.

Kryeministri, i cili që nga koha kur e kishte emëruar Edita Tahirin për negociatore të Kosovës në takimet në Bruksel, i kishte marrë vendimet krye më vete, duket të ketë bërë kalkulime të stilit “akti i kryer”, duke përhapur gjithandej se si e kishte përkrahjen e plotë të AAK-së dhe të LDK-së që t’i bashkoheshin negociatave në formë të një ekipi të ri uniteti. Në disa javët e fundit kemi pasur rastin t’i dëgjonim shpesh si kryetarin e LDK-së, ashtu edhe zyrtarët e tjerë se, përderisa i jepnin kryeministrit përkrahje në parim dhe me kusht që ai të raportojë rregullisht para Kuvendit, kishin vendosur të mos inkuadroheshin në asnjë grup uniteti që do të koordinohej nga Blerim Shala i AAK-së, apo nga kushdo tjetër. Kështu, ideja e një grupi uniteti që do të mandatohej nga Jahjaga ra në ujë, duke e lënë të kuptohet se kryeministri do të vazhdojë me negociatat dhe do të marrë vendime vetë, duke u përpjekur që t’i kontrabandojë nëpërmjet rregulluesit të agjendës se tij nga “Afera Pronto”.

Dhe përgjegjësinë për futjen e Kosovës në një qorrsokak të këtillë do ta bartë vetë. Pos nëse më në fund lëshon pe para një insistimi tepër të vrullshëm dhe aspak të logjikshëm të Haradinajt për t’u bërë kryeministër, për shkak se ky “e ka thënë një fjalë”.

Hajde ta analizojmë. Haradinaj thotë se në Kosovë në disa vjetët e fundit vetëm është folur dhe nuk është punuar. Pjesë e fjalëve, pra, kanë qenë edhe ministrat e tij në Qeverinë 2001-2004, si dhe ai vetë, zëvendësi i tij Kosumi e më pas edhe Çeku si kryeministër, plus ministrat e tjerë në Qeverinë 2004-2007. Dhe do ta kem shumë vështirë të besoj se Kosumi u hoq pse deshi vetë dhe se Çeku u angazhua nga ndonjëri anëtar i kryesisë së AAK-së që të bëhet shef i Qeverisë. Ata në pushtet i solli vetë Haradinaj.

E dyta – Haradinaj është shef i një partie që ka mbledhur vota për të qenë vetëm fuqia e katërt politike në Kosovë – dhe po e kam edhe më vështirë të kuptoj se pse do të duhej ai të ishte kryeministër, kur ka aq pak përkrahje në Kuvend. Në parim, vota e deputetit është e pavarur dhe nuk varet nga instruksioni i Grupit Parlamentar – kush ia garanton atij përkrahjen e plotë së pari për t’u zgjedhur, e më pas edhe për të kaluar dhe zbatuar ligje, edhe nëse arrin marrëveshje me Thaçin?

E treta – raportet ndërmjet partive të dala nga UÇK-ja kanë qenë jashtëzakonisht të ftohta e besa edhe të këqija, me ofendime të ndërsjella. Përnjëherë ato janë zbutur dhe tash Haradinajt i pengon kur për lidhjen e mundshme ndërmjet këtyre dy partive thonë “koalicion i UÇK-së”. Nuk ka përse t’i pengojë, për shkak se ky është një fakt i pamohueshëm – se të dy liderët kanë qenë komandantë të UÇK-së, e tash janë liderë të padiskutueshëm, dhe prej asaj që po lexojmë e dëgjojmë, jo fort demokratikë përbrenda strukturave partiake. Partitë e dala nga UÇK-ja janë karakterizuar me një diskurs të ashpër, urdhërues dhe me qëndrimin se populli u ka borxh, ngase ata kanë luftuar. Përderisa luftën askush nuk ua mohon, megjithatë ka shumë që ua mohojnë borxhin – lirinë megjithatë na e solli NATO-ja, po ajo e cila edhe na e jep sigurinë. Mëkat që NATO-ja nuk kujdeset edhe për sigurinë civile nën kontrollin e Policisë – se shumë më ndryshe do t’i kishim punët. Dhe, edhe një gjë që besoj duhet thënë: lufta nuk do të ishte zhvilluar kurrë po të mos kishin qenë civilët që kanë dhënë edhe jetën, e edhe para për të. E më duket se nuk ka dyshim se borxhi më i madh është ai ndaj popullit – që e kemi vetë ne, me apo pa uniforma të UÇK-së.

E katërta – pse gjithë ky insistim i Haradinajt që Thaçi t’ia lëshojë kolltukun? A mos është mbase ndonjë bindje që ky i fundit ia ka ndonjë borxh, se përderisa Haradinaj ka ndenjur në burg, ky ka ndërtuar kultin e personalitetit dhe e ka futur veten në librat e historisë si “shpallës i Pavarësisë”? Vështirë e deshifrueshme vetëm me akuzën “për mospunë”.

Një martesë që lind nga interesi nuk duket të jetë e shëndoshë dhe nuk garanton ngjalljen e dashurisë. Madje, një mik nga FB, A. S. Osmani, duket ta ketë gjetur emrin, pa dyshim, më origjinal për koalicionin eventual ndërmjet PDK-së dhe AAK-së – ky do të quhej “HARAM”. Pos që i citon shkronjat e para të emrave të liderëve, si fjalë përkufizohet kështu: “Diçka e padrejtë, a e palejueshme ose e pamerituar”. E panatyrshme, do të shtoja unë.

Nëse qëllimi është të mbërrihet shpejt te zgjedhjet e parakohshme, ajo është punë që bëhet me marrëveshje të atyre që kinse po e bëjnë reformën zgjedhore – nuk ka nevojë për këso kombinimesh, që në fund do të na e thonë atë që gjithmonë na e thonë:

Veç shnosh m’u konë
Qajo neve prej krizës na pshton
E na ka pshtu gjithmonë