RCCOLA

Vdekje transparencës, liri hajnave

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Kosova brenda pesë viteve sa ka funksionuar si shtet, duket se e ka tejkaluar demokracinë evropiane të qeverisjes. Ka ecur me hapa aq të shpejtë, duke bërë ligje sipas standardeve të BE-së, duke ndërtuar institucione transparente, deputetë të përgjegjshëm, ministra parimorë e drejtorë të departamenteve që ecin drejt e për pe.

Madje ka arritur deri në atë nivel sa ka filluar të rrezikohet nga transparenca. Dhe duke u ndjerë gjithnjë në rrezik, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë marrë një iniciativë për të ndryshuar Ligjin për Publikimin e Pasurisë, konkretisht duke i hequr disa nene që detyrojnë zyrtarët të publikojnë pasurinë e tyre online.

Derisa në gjithë botën politikanët që drejtojnë shtetin (madje edhe marrëveshjet dhe kontratat shtetërore) publikojnë online në internet pasurinë që kanë dhe që kanë fituar, te ne pretendohet që kjo të hiqet.

Politikanët në Kosovës po dëshirojnë t’ia krijojnë infrastrukturën ligjore vetes, qa ta fshehin pasurinë e tyre, natyrisht jo pasurinë që fitojnë “me djersë”, por pasurinë që e fitojnë “brenda natës”.

Pse ka nevojë që të frikësohet një zyrtar (ministër, deputet, kryetar komune, drejtor e shef prokurimi), nëse e publikon pasurinë e tij të cilën e ka krijuar në rrugë ligjore. Po ashtu nuk duhet të frikësohet një afarist që merret me politikë, nëse nëpërmjet rrugëve ligjore është bërë milioner.

Ka mijëra njerëz në botë që janë të famshëm, por janë edhe milionerë dhe nuk hezitojnë ta publikojnë pasurinë e tyre.

UBT

Fundi kjo është bazë e funksionimit demokratik, ku populli që jep votën, sovrani, duhet të dijë se kë po e voton, sa ka peshuar pasuria e tij para se t’ia japë votën dhe sa peshon pasi ta përfundojë detyrën. Nëse ka mospërputhje të theksuar ndërmjet asaj që fiton dhe asaj që duhet të fitojë, atëherë me të duhet të merret ligji.

Prandaj, shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që paraprakisht kanë pranuar të ndryshohet Ligji për Deklarimin e Pasurisë, “e kanë vjedhur kosheren” prandaj e kanë “mizën ndër kapuç”.

Derisa në shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian aplikohet deklarimi i pasurisë online, si pjesë parimore e luftës kundër korrupsionit, te ne që korrupsioni ka lëshuar rrënjë, ndodh e kundërta. Janë vetë deputetët ata që mundohen të krijojnë sa më shumë terr.

Në një shtete si Kosova ku hajnat janë shtuar më shumë se gjithçka tjetër, duhet të mbillet fara e transparencës, ku kryeministri, presidentja, kryeparlamentari, deputetët, drejtorët e ministrat, t’i tregojnë edhe paret e metalit që i kanë në xhep jo t’u krijojnë vend thasëve me pare.

Imagjinojeni, ndryshimet e ligjit po shkojnë në atë drejtim sa që drejtuesit e institucioneve mund ta njoftojnë për pasurinë e tyre vetëm Agjencinë kundër Korrupsionit. Sa mund të jetë e logjikshme kjo, kur për shumëzimin e disahershëm të pasurisë së një ministri ose deputeti, duhet ta dijë vetëm Hasan Preteni, ose një Hasan tjetër që mund ta pasojë AKK-në gjatë viteve të tjera. Atëherë nëse kështu funksionon sistemi, pse duhet të ekzistojë Agjencia kundër Korrupsionit. Kjo agjenci është formuar me qëllim që të ngjallë transparencë për opinionin e gjerë, e jo të vihet në shërbim të shtetit sikurse edhe agjencitë e tjera.

Fundja, deklarimet e kryeministri Hashim Thaçi dhe i presidentes, Atifete Jahjaga se zero korrupsioni është parim i Prishtinës në funksionimin e Kosovës si shtet normal, pas ndryshimit të këtij ligji, do të dalin kozmetikë ditore. Zero korrupsioni nuk luftohet duke e fshehur korrupsionin, por duke treguar për hajnat dhe duke i arrestuar ata. Pse Kroacia hyri në BE, ndërsa shtetet tjera të ish-Jugosllavisë nuk po arrijnë ta bëjnë këtë. Gjykata kroate e kapi për vesh Ivo Sanaderin, ish-kryeministri pasi u vërtetua se ai ishte i korruptuar. Te ne ndodh e kundërta. Pretendohet të bllokohet publikimi online i pasurisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë, sepse Kosova qenka e kërcënuar nga transparenca e madhe. Demagogji fund e krye.