Vdekja e Nuhi Ismajlit – është një dhimbë që dhemb fort…!

Gjilan – Tash e një vjet na mungon Nuhi Ismajli, profesori dhe studiuesi i zellshëm i letërsisë shqipe. Na mungon ky personalitet kohe dhe, mungesa e tij po ndjehet kudo në jetë: në familje, në shkollë, në mesin e shokëve, por ai na mungon edhe në mediat tona elektronike e të shkruara. Ai ishte një emër e zë i veçantë i jetës shkrimore. Por, ja vdekja. Ajo po i merr njerëzit para kohe. Par kohe e mori edhe Nuhi Ismajlin, intelektualin dhe profesorin më të mirë të kësaj kohe.

Kaloi një vit nga vdekja e papritur e intelektualit dhe personalitetit të dalluar të jetës kulturore e shkencore, Nuhi Ismajli. Atë ditë, kur erdhi kumti se ka vdekur Nuhi Ismajli, profesor e studiues i letërsisë sonë, i madh e i vogël, në Gjilan e mese tjera, janë ndjerë keq. Keq, për faktin se, ai qe një njeri i veçantë prej të tjerëve. Së pari, ai kurrë nuk ka gënjyer, por të vërtetën e ka dashur dhe e ka thënë hapur dhe qartë. Ai nuk është pajtuar me padrejtësitë e asnjë “jete”. Ai të heqës i ka thënë e keqe, por edhe të mirës apo të vërtetës i ka thënë e mirë apo e vërtetë!

Ai e ka dashur një jetë “tjetër” të jetës. E adhuronte librin. Libri dhe ai ishin NJË trung kohe e jete. Nuhiu, leximin e pati pasion. Kurrë nuk u ndalë së lexuari jo vetëm vepra letrare, por edhe vepra shkencore e zhanre tjera të dijes. Lexonte më tepër literaturë artistike, por edhe literaturë filozofike. Aty e gjente vehtën. Këto “lexime” i interpretonte në mënyrën e tij të thellë. I donte disa nga autorët e mëdhenj, si: Niçen, Dostojevskin, por e donte Kutelin, Migjenin, Lasgushin, Nolin, At Fishtën, Seremben, De Radën, Sami Frashërin e shumë të tjerë.

Tek këta autorë, Nuhiu i “gjente” pikat e përbashkëta. I vlerësonte dhe, herë – herë u bënte shkrimet për t’i adhuruar edhe më tepër. Ai shkroi për veprën e parë shqipe, “Mesharin” e Gjon Buzukut, të cilën vepër e komentoi më bukur se shumë studiues të tjerë. Hynte në pjesë më të vogla të kësaj vepre dhe, dilte si shpëtimtar i ndritur duke komentuar të gjitha mendime dhe kohën kur ishte shkruar vepra në fjalë.

Por, Nuhi Ismajli, tash i ndjerë, shkroi edhe për realitetin e sotëm. Nuk la skaj e vend pa i “përfolur” me anë të shkrimeve të tij publicistike e shkencore. Nuhi Ismali, tash i ndjerë, e pati edhe një disiplinë të rreptë për vete. Dilte për t’u relaksuar vetëm një orë me shokë. Shtonte hapur: “Shokë, ika se kam punë. S’mundem të rrij më tepër, se jam i zënë…” Ai ikte ngadalë dhe ngritej shkallëve pa pushuar gjer në katin e tretë, aty ku e kishte dhomën e punës.

Nuhi Ismajli na iku, por pas na la vepra të çmuara për artin letrar e për shkencën e albanologjisë. Bëri polemika më të ndryshme me shumë intelektualë krijues. Kur e shihte të pavërtetën, nuk durohej dhe ia kthente me atë gjuhë shumë të mprehtë dhe të ashpër prej polemisti dhe reaguesi. Ishte i tillë gjer në fund të jetës. Asnjëherë nuk u gjunjëzua para shkrimeve të pavërteta. Me ngulmë i mbrojti pikëpamjet e veta të çiltërta për artin në përgjithësi. Ai i njihte “sendet” e artit, andaj asnjëherë nuk frikësohej për ta mbrojtur të vërtetën.
Sa herë bëhej fjalë për ndonjë problematikë nga letërsia shqiptare, ai atë “çështje” e zbërthente ngadalë dhe me shumë bindje e fakte. Më së miri e njohën shkollarët e tij, të cilët, para një viti, kur ai ndërroi jetë, ata u gjenden në momentin e fundit të varrimit. Nuk mbeti shkollarë i gjimnazit që nuk lotoi. Lotuan i madh e i vogël, të cilët e deshën profesorin e tyre, i cili, orën mësimore ua bënte orë shkencore dhe fort joshëse. Ky ishte

Nuhi Ismajli, profesori i Gjimnazit

“Zenel Hajdini”, në Gjilan, i cili, për sa kohë punoi në shkollën në fjalë, asnjë mungesë nuk e bëri nga procesi mësimor, por dha nga veti edhe pjesën e fundit të dijes për shkollarët e kësaj kohe.

Si Nuhi Ismajli, profesor e studiues, nuk do të duhej të vdisnin. Ai (N. Ismajli) qe një figurë e dalluar e studiuesit dhe e punëtorit të madh të arsimit shqip. Ai la pas vete disa vepra, të cilat janë margaritë të rrallë të jetës publicistike e shkencore. Andaj, Nuhi Ismajli, me këtë veprimtari të bollshme të tij, nuk ka vdekur, por ka mbetur “gjallë” dhe ai jeton. Vepra e tij është dëshmia më e mirë e punës dhe jetës së tij që ia kishte kushtuar shkencës e kulturës shpirtërore, në përgjithësi.

Thonë, njerëzit që lënë pas vepra, ata jetojnë dhe nuk vdesin. Edhe Nuhi Ismajli, që tash e një vjet na mungon, vepra e tij njerëzore, intelektuale, jeton… Pra, vdekja e Nuhi Ismajlit është një dhimbë që dhemb fort. I lehtë i qoftë dheu!/ tefik selimi/rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS