Eko Higjiena

Vazhdon dhuna e pushtetit dhe kaosi në arsimin gjilanas

/ 9 minuta lexim

Nga Nuhi Ismajli- Dhuna e pushtetit ndaj arsimit dhe kaosi në arsimin gjilanas po vazhdon!. Pas dhunës së pushtetit të ushtruar ndaj fëmijëve të klasës së parë të fillores, gjatë shtatorit dhe në fillim të tetorit, kur ata u nxorën me dhunë nga klasa dhe, më tej, për ta, dyert e shkollës u mbyllën nga policia private e shtetërore, shumë fëmijë, të tronditur keq nga sulmi i pushtetit ndaj tyre, braktisën shkollën dhe mbetën në shtëpi, mbetën pa ëndrrën e dëshirës së tyre, mbetën pa shoqërinë e gjeneratës së tyre, mbetën pa shkollë, se shkollën ua mori “i forti”!

Po edhe të tjerët fëmijë, të cilët arritën disi të ulen në bankat e shkollës, sigurisht nuk do ta harrojnë kurrë atë që përjetuan në fillim të këtij viti shkollor, dhe nuk do të arrin të jenë të qetë, sa duhet, pas ndërhyrjeve të paarsyeshme të pushtetit, i cili ka rrënuar mjaft raportet: nxënës – mësues-e, mësues-e – mësues-e, mësues-e – prindër, realitet jo i mirë ky, i cili do të ketë gjithsesi tagrin e vet.

Ç’është edhe më keq, me fëmijët e traumatizuar nga keqtrajtimi dhe fëmijët e mbetur në shtëpi, pa shkollë, nuk kujdeset askush institucionalisht. (Në këtë rast, në gjendje më të keqe janë fëmijët e mbetur në shtëpi, pa shkollë, duke qenë pa mundësinë e mbrojtjes institucionale, pasi i ndëshkoi pikërisht ai që duhet t’i mbrojë institucionalisht – pushteti komunal. Edhe Ministria e Arsimit, po hesht, çuditërisht, ndonëse rasti është bërë publik dhe nuk është çështje ndaj së cilës ajo duhet bërë e shurdhër!).

Lojën e tij absurde, ndaj arsimit, pushteti gjilanas, këtë vit, nuk e luajti vetëm me fëmijët e klasës së parë të fillores, po edhe me nxënësit e klasave të dhjeta, d.m.th. nxënësit e shkollave të mesme. Shih absurdin: nëse pushteti i pengoi edhe me forca policore private e shtetërore fëmijët e klasës së parë të fillores, të vendoseshin aty ku dashtën, që në botën e qytetëruar është një e drejtë e pamohueshme e fëmijës, për realizimin e së cilës angazhohet e gjithë shoqëria, tani, pushteti gjilanas krijon kaosin në arsimin e mesëm gjilanas, duke iu dhënë të drejtë nxënësve të ndërrojnë klasën sipas dëshirës, e, madje edhe duke lejuar regjistrimin e nxënësve të tepërt, jashtë konkursit, pas afatit të regjistrimit, përtej normës së planifikuar dhe të lejuar.

Në këtë situatë, ditët e deritashme, ishin një kaos i madh në gjimnaz, nga lëvizjet e nxënësve nga klasa në klasë, kurse shumica e klasave të dhjeta, tani kanë numrin e nxënësve përtej normës.

Tani, pa dyshim, në klasat e dhjeta të gjimnazit ekziston një kaos. Në këtë situatë, arsimtarët, me të drejtë, mund të brengosen për atë se si do të punojnë me numrin e shtuar të nxënësve nëpër klasa dhe me nxënësit, për të cilët, mbase, nuk është drejtimi i përshtatshëm. Në këtë situatë, me arsye, mund të ngrenë pyetjet dhe shqetësimet e tyre edhe shkollat, të cilat iu zvogëlohet pa arsye numri i nxënësve.

Në këtë situatë, me arsye, edhe shoqëria mund të ngre pyetjet e saja dhe të brengoset, pse ky pushtet do të kemi vetëm gjimnaz e shkollë të mjekësisë dhe jo edhe shkolla të tjera, pse nuk duhet të kemi të arsimuar të fushave të ndryshme, çfarë iu përshtaten edhe aftësive të të rinjve edhe interesave të shoqërisë njerëzore etj.

Sjellja e absurde e pushtetit gjilanas ndaj arsimit dhe kaosin që ai sjell brenda tij vërehet edhe në mënyrën sesi vepron me vendet e punës së arsimtarëve. Më parë, kemi pasur rastin e sjelljes më brutale të pushtetit ndaj arsimtareve, të cilave, pa asnjë arsye të vetme, ua ka marrë vendet e punës dhe ua ka dhënë arsimtareve të preferuara etj. Tani, pushteti po e provon një taktikë tjetër, tejet të paligjshme dhe tejet të pamoralshme: zënien e vendeve të punës pa konkurs!

Pushteti nuk po i shpall vendet e lira të punës! Po i zë ato padrejtësisht, duke bërë shkelje të rënda ligjore dhe duke shkelë të drejtën e qytetarëve që të konkurrojnë e të punësohen në vendet e lira të punës. Pushteti po bën shkelje të rënda ligjore dhe shkelje të rënda të të drejtave të qytetarëve, sepse nuk po i shpall vendet e lira të punës, për të punësuar partiashët e vet! Qe, një rast që mund ta themi me saktësi: në gjimnaz, nga gjysma e dytë e shtatorit, është liruar një vend pune për arsimtar të Gjeografisë, sepse punëtori është pensionuar. Por, ky vend nuk është shpallur fare si vend i lirë i punës. Ai vazhdon të jetë i tillë, ligjërisht, si vend i lirë i punës, ndonëse pushteti ka vendosur aty një punëtor, i cili është i punësuar në një vend tjetër pune!!! (Vendi i përmendur i punës, ligjërisht, nuk është i këmbyeshëm).

Një mënyrë të sjelljes absurde të pushtetit gjilanas ndaj arsimit dhe punëtorëve të arsimit paraqet rasti i drejtorit të tashëm të gjimnazit, prof. Zejnullah Zejnullahut.

Pushteti gjilanas vetë e zgjodhi drejtor të gjimnazit prof. Zejnullah Zejnullahun. Drejtori Zejnullah Zejnullahu e mori me shumë seriozitet detyrën e tij dhe, që nga fillimi, punoi shumë, për ç’gjë, edhe pushteti gjilanas, për të, pati fjalë të mëdha lavdërimi.

Fundamenti

Drejtori Zejnullah Zejnullahu pati probleme me imponimet e nxënësve për regjistrim në gjimnaz, të cilët vinin me rekomandimin e pushtetit. Pra, drejtori Zejnullah Zejnullahu e shihte me shqetësim çështjen e imponimit të regjistrimeve të reja të nxënësve, po nuk ishte ai që po vendoste.

Më tej, derisa drejtori Zejnullah Zejnullahu gjendet në pushim mjekësor, administrata e shkollës (jo kolektivi) njoftohet se drejtori Zejnullah Zejnullahu shkarkohet nga pushteti komunal! Për kolektivin e gjimnazit, kjo mund të jetë një çudi e madhe.

Drejtori Zejnullah Zejnullahu ishte angazhuar seriozisht, sinqerisht dhe me shumë sukses të kryej detyrën e tij si drejtor. Ai shquhej, gjithashtu, edhe për sjellje korrekte e të njerëzishme me të tjerët, punëtorët, nxënësit, qytetarët…

Kështu ishte prof. Zejnullah Zejnullahu gjatë dyzet vjetëve të punës së tij në arsim: punëtor i palodhshëm dhe i kujdesshëm në raport me të tjerët. (Këtu nuk e kemi fjalën për cenet që mund t’i ketë njeriu jashtë shkollës ose që të tjerët mund t’i kuptojnë si cene ose përfoljet për njerëzit, jo ashtu si janë, po ashtu si dëshirojnë t’i shohin). Por, një punëtor i tillë, për pushtetin gjilanas, përnjëherë bëhet i pavlefshëm dhe ndëshkohet me largim nga pozita e drejtorit!

Për aq sa dimë, lidhur me rastin e largimit të prof. Zejnullah Zejnullahut, nga pozita e drejtorit të gjimnazit, mund të themi se ai u largua nga pozita e drejtorit për atë për të cilën do të largohej çdo punëtor i mirë i arsimit.

Pse prof. Zejnullah Zejnullahu tha haptazi atë që duhej t’i thuhet secilit, pra edhe secilit pushtet e pushtetar. Pse prof. Zejnullah Zejnullahu u largua pse i emëroi gjërat me emrin e tyre dhe të keqes nuk i tha e mirë. Pse nuk ai vari torbën pushtetit dhe nuk e fshehu të keqen. Pse nuk është zemërlepur dhe nuk ia lëpinë “këpucët” padronit dhe pse nuk është karrierist dhe nuk ha çka nuk hahet, siç veprojnë qyqarët.

Pse prof. Zejnullah Zejnullahu dëshmoi se dinjiteti, sinqeriteti dhe krenaria e arsimtarit janë vlerat më të mëdha të arsimtarit, të cilat nuk lejohet të përdhosen nga askush, as nga pushteti, i cili mund të të hakmerret dhe të të dënojë shumë keq. Etj.

Prandaj, drejtori Zejnullah Zejnullahu, si edhe çdo drejtor dhe punëtor arsimi, me dinjitet, mund të jetë viktimë e ndeshjes së pashmangshme të sinqeritetit e dinjitetit të arsimtarit me moralin dhe logjikën absurde të pushtetit.

Në rrethanat, në të cilat, një arsimtar thotë haptazi atë që e ndjen dhe e konsideron të drejtë e të mirë dhe pushteti i cili nuk merr parasysh fare arsyen, për gabimin e vet, pushteti nuk dënon vetveten po të tjerët.

Për shoqërinë, ndërkaq, është fatkeqësi tejet e madhe kur pushteti i saj, pa kulturë të nevojshme politike, në vend të arsyes në veprimet e tij, udhëhiqet nga kokëfortësia dhe dëshira e sëmurë për të treguar ndaj shoqërisë dhe veçanërisht ndaj arsimit forcën e pushtetit dhe bën atë që mundet, d.m.th. atë që do dhe jo atë që duhet bërë dhe e ka obligim ta bëjë.