RCCOLA

“Vatra” i shkruan Sami Kurteshit

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Kadriu e përkujton Kurteshin se kjo popullatë nuk është larguar me dëshirë, por para tytave të automatikut.E këto katrahura besojmë, nuk i keni harruar zoti Kurteshi. Kërkesa jonë është e sinqertë, njerëzore, humane, por edhe kombëtare, ndaj, jemi të bindur se Ju do të ndërmerrni diçka në të mirë të qytetarëve që janë lënë pas dore nga të gjithë thuhet në letrën e Sejdullah Kadriut.

Vendosja e forcave policoro-ushtarake në Kosovën Lindore (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc), në korrik të vitit 1999, provokoi banorët shqiptarë që të largohen masovikisht nga vatrat e tyre. Vendosja e tyre u bë në Kosovë, përkatësisht në Gjilan, Fushë Kosovë, Prishtinë e qytete tjera të saj.

Faktori shqiptar ishte i pa ndikim të bënte diçka për kthimin e atyre banorëve në trojet prej nga kishin ardhur, sidomos nga Malësia e Bujanocit, Medvegja dhe Karadaku i Preshevës. Këta qytetarë shqiptarë fillimisht u vendosën si refugjatë, duke shpresuar se së shpejti ushtria dhe polica serbe do të tërhiqet nga vendbanimet e tyre, e ata do të kthehen në vatrat nga ishin dëbuar.Kështu shkruan në letrën e hapur Sejdullah Kadriu kryetar i “Vatrës” drejtuar Sami Kurteshit avokat i popullit.

Në një letër të gjatë Kadriu e njofton Kurteshin për gjendjen e shqiptarëve të Kosoëvs Lindore të cilët ndodhen në qytetet e ndryshme të Kosovës. “U bën 15 vite, e këta banorë shqiptarë në Kosovë, nuk mbajtën as epitetin e refugjatit, as banorë në shtetin e tyre, madje ata e kanë ndjerë veten edhe si të lënë pas dore nga të gjithë edhe nga “ELITA” politike e Kosovës Lindore e edhe nga institucionet komunale e Republikane të Kosovës. Qëllimi i kësaj letre nuk është që të kërkojmë përgjegjësi nga të apostrofuarit më lartë, por ju si avokat i popullit të na e thuani troç të drejtën e tyre për marrjen e dokumenteve të identifikimit, ngase një pjesë e kësaj popullata kanë mbetur pa dokumente, një e drejtë elementare e njeriut. Gjithashtu për të ditur se, çka janë, ku jetojnë e çka do të behet me ta në të ardhmen, sepse pa dokumente cenohen shumë të drejta si: sociale, të shkollimit, ekonomike, kulturore etj, me një fjalë iu cenohen të drejtat të jenë te barabartë me qytetarët e tjerë” thuhet në letër.

Sipas Kadriut problemet shtohen edhe më shumë për të rinjtë, të cilët në kohën kur u dëbuan nga vendlindja e tyre, ishin shumë të vegjël për t’u pajisur me dokumente identifikimi, por edhe në vendin ku kishin ardhur fillimisht si refugjatë.

Mobi Casa

“Ata, sot e asaj dite nuk mund të pajisen me dokumente identifikimi, sepse shteti serb u kërkon dokument që dëshmojnë se janë duke jetuar në Serbi ( Serbia e din që janë duke jetuar ne Kosovë, e në asnjë mënyrë nuk lëshon dokumente), po ashtu edhe Kosova u kërkon certifikatën e vendbanimit, dëshmi se kanë pronë në Kosovë, apo të kenë kontrata banimi nga koha që kur kanë ardhur, e që nuk mund t’i sigurojnë as në Kosovë e as në Serbi. Madje tingëllon absurde, por kështu është, kur institucionet e Kosovës kërkojnë, që banorët të sjellin dëshmi nga gjykata serbe që nuk janë nën hetime. Kjo kërkesë automatikisht i lë pa dokumente ish-pjesëtarët e UÇPMB-së, të cilët në asnjë mënyrë nuk mund të marrin një dokument të tillë, por edhe të shkojnë të kërkojnë, ata do të burgosen nga organet serbe.”

“Vatra” e përkujton Kurteshin se këta qytetarë qe 15 vite kanë mbetur peng, nuk din çka të bëjnë dhe kujt t’i drejtohen më.

“Posaçërisht në gjendje shumë të rendë gjenden të rinjtë që kanë mbushur 18 vite. Atyre janë duke ju cenuar të drejtat për shkollim, për lëvizje të lirë etj. Me një fjalë ju cenohet ardhmëria. Këto probleme dhe pengesa të pa nevojshme administrative ndaj qytetarëve të dëbuar nga Kosova Lindore (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc), kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të dëbuar nga kjo trevë të njihen si banorë të Kosovës. Kemi kërkuar dhe trokitur në shumë dyer, por problemi nuk është zgjidhur, andaj ju bëjmë thirrje edhe ju z. Avokat i Popullit, të përdorni ndikimin, edhe autoritetin tuaj, dhe të bëni diçka të mirë për këtë popullatë, për hir të rinisë dhe të ardhmes se tyre”.

Kadriu e përkujton Kurteshin se kjo popullatë nuk është larguar me dëshirë, por para tytave të automatikut.”E këto katrahura besojmë, nuk i keni harruar zoti Kurteshi.
Kërkesa jonë është e sinqertë, njerëzore, humane, por edhe kombëtare, ndaj, jemi të bindur se Ju do të ndërmerrni diçka në të mirë të qytetarëve që janë lënë pas dore nga të gjithë” përfundon letra e Kadriut./rajonipress/