Vallja jonë kombëtare “SHOTA”

Nga Demir Krasniqi – Çdo popull në botë ka traditat , zakonet , folklorin dhe simbolet e veta kombëtare. Po ashtu, çdo popull e ka edhe vallen e vet kombëtare , me të cilën identifikohet si komb në skenat e folklorit ndërkombëtarë.
Edhe populli shqiptarë , përveç që ka një begati të madhe të trashëgimisë dhe vlerave tradicionale kulturore , ka edhe vallen e vet kombëtare me të cilën identifikohet kudo në botë dhe ajo valle quhet :”Shota” .
Se kur dhe ku ka lindur për herë të parë vallja jonë kombëtare “Shota”, nuk na është e njohur, por një gjë dihet se kjo valle është shumë e lashtë .
Po ashtu , nuk ekzistojnë të dhëna se kush ka mund të jetë krijuesi i tekstit dhe i melodisë së saj , por vlerat e saj artistike kanë bërë që kjo valle të depërtoj shumë shpejt gjithandej trojeve etnike shqiptare , prandaj me të drejtë kjo është bërë pronë artistike e vetë popullit shqiptarë .
Vallja jonë kombëtare “Shota”, tradicionalisht këndohet dhe vallëzohet nëpër dasma e ahengje të ndryshme popullore , nëpër festa e manifestime popullore, koncerte e festivale kombëtare dhe ndërkombëtare . Po qe se analizohen vargjet e tekstit të kësaj valleje të kënduar , lehtë mund të kuptohet se kjo valle ka lindur , është zhvilluar dhe kultivuar nëpër krahinat veriore të popullit shqiptarë , ku flitet në dialektin e gegërishtes .
Vallja “Shota” , është e krijuar në masën kohore 2/4 , që ka një ritëm të thjeshtë , por shumë të gjallë , gazmor dhe festiv .
Melodia e saj shtrihet jo më larg se sa brenda intervalit të kuartës , por është shumë melodike , shumë e këndshme , e lehtë dhe e kapshme për veshin e secilit njeri , i cili mund ta këndojë e vallëzojë shumë lehtë . Atë, mund ta këndojnë pa asnjë vështirësi të gjitha grup – moshat , që nga fëmijët e deri tek më të vjetrit .
Karakteri i saj , është kryesisht dasmorë dhe gazmor . Vetë natyra dhe mënyra e luajtjes së saj , na jep të kuptojmë se kjo valle është kryekëput e dedikuar për vallëzim të femrave dhe atë vajzave në veçanti . Edhe pse jo rrallë , ndodhë që këtë valle e luajnë edhe meshkujt, kjo nuk i shkon për shtati natyrës dhe konstruktit të kësaj valleje !
Vallja “Shota” nuk mund të luhet në grupe : dorë për dorë, krah për krah, ose brez për brez . Ajo luhet ekskluzivisht në mënyrë individuale , nga ndonjë valltare femër : vajzë, ose nuse . Në ndonjë rast , mund të luhet edhe në duet : femër – mashkull , që nënkupton :”Shotën dhe Shotanin”.
Krijimi i kësaj valleje me tekst , melodi dhe ritëm , nga ana e krijuesit – gjeniut popullor , na bënë të kuptojmë , se kjo valle popullore është krijuar nën kushte të vështira kohore, kur nuk ka pasur edhe instrumente të mjaftueshme popullore për t’u shoqëruar këndimi dhe vallëzimi i saj .
Mu për këtë, fillimisht kjo valle në mungesë të instrumenteve muzikore , është shoqëruar me të rrahurit e shuplakave të dorës , përmes të cilave është begatuar ritmi dhe melodia e saj e bukur . Më vonë, ajo është kënduar e vallëzuar edhe me shoqërime ritmike të defit dhe tupanit.
Konstruksioni melodiko – ritmik i kësaj valleje – këngë, na jep mundësi komode që të shoqërohet shumë lehtë edhe me instrumente burimore që janë punim dore, por më vonë edhe me instrumente të fabrikuara e të sintetizuara.
Falë këtyre mundësive , vallja jonë kombëtare “Shota” , shumë shpejt u bë pjesë e ahengjeve, dasmave dhe manifestimeve të ndryshme popullore , si në vendbanimet rurale , ashtu edhe në ato urbane .
Emërtimi , apo pagëzimi i kësaj valleje me emrin simbolik :”Shota”, ka ardhur si rezultat i valltareve femra (vajza, apo nuse) , të cilat me mënyrën e veshjes së tyre kombëtare dhe me mënyrën e vallëzimit , nga rrethi i shikuesve të tyre , krahasoheshin me bukurinë dhe pamjen e shpezëve të bukura shtëpiake , siç janë : shotat dhe rosat , të cilat e preferojnë shumë edhe larjen e tyre nëpër ujë .
Pra, ky emërtim ka ardhur si shenjë përkëdhelje , komplimenti dhe ledhatimi ndaj femrave – valltare , në veçanti ndaj femrës individ , e cila ka vallëzuar solo , pa shoqërimin e askujt tjetër .
Jo rrallë , ekzistojnë mendime kontroverse nëpër popull , rreth emërtimit të kësaj valleje , ku shumë kush mendon se emërtimi “Shotë” , ka lidhje me ndonjë emër femre!
Madje, ka të tillë që shkojnë aq larg , sa emërtimin e kësaj valleje e ndërlidhin me emrin e Shotë Galicës , por kjo nuk qëndron absolutisht , nga se vallja kombëtare “Shota” është shumë më e lashtë se sa Shotë Galica dhe në anën tjetër , emri i vërtetë i Shotë Galicës është : Qerime Radisheva, por edhe Azem Bejta gjatë kohës sa ishte kaçak nëpër male të Drenicës, në shenjë ledhatimi , përkëdheljeje e komplimenti e kishte pagëzuar nusen e vet – Qerimen , me emrin përkëdhelës “Shota”.
Se sa është e përhapur , e popullarizuar dhe e lakmuar për vallëzim e interpretim vallja jonë kombëtare “Shota”, këtë më së miri e ilustrojnë shembujt dhe tentativat e popujve për rreth nesh, të cilët shumë herë u orvatën dhe u përpoqën që ta adaptojnë dhe ta përvetësojnë këtë valle , si pronë të vetën autoktone.
Në këtë kontekst , ka shumë këngëtarë e interpreto të muzikës popullore serbe, boshnjake , maqedone , malazeze …etj. të cilët u munduan ta përkthejnë, ta adaptojnë, ta interpretojnë dhe ta prezantojnë si pronë të vetën, por që asnjëherë nuk ia dolën !
Në vazhdim, po ua sjellim tekstin integral të kësaj valleje të kënduar , të cilin e kemi mbledhur shumë herët me disa variante të kënduara nëpër dasmat dhe ahengjet tona popullore , kryesisht nëpër trevat dhe krahinat e Kosovës :
HAJDE SHOTE MASHALLAH
Hajde Shote , mashallah ,
Fluturo me ata krah !
Lujë Shote , lujë ,
Ditën ta pagujë !
Lujma Shote , dorën – o,
Ma hijeshove horën –o !
Lujma Shote, gishtin – o,
Se ma kënaqe shpirtin – o !
Lujma Shote, llanin – o ,
Se ta blejë kollanin – o !
Lujma Shote , shtatin – o,
Se ta blejë sahatin – o !
Lujma Shote , belin – o,
Ta blenë lala, telin – o !
Lujma Shote, kamën – o,
Se ta blejë nallanen – o !
Lujma Shote , themrën – o,
Se ma kënaqe zemrën – o !
Po luen Shota kah oborri –
Fërr, fërr, fërr , po i banë lahori !
Po luen Shota , kah avlia –
Fërr, fërr, fërr, po i banë shamia !
Po luen Shota , kah bien defi –
Fërr, fërr, fërr, po i banë jeleki !
Po luen Shota , rreth tupani –
Fërr, fërr, fërr, po i banë mitani !/rajonipress/