Valladolidi pret shumë nga “Ronaldo kosovar”
Pas një edicioni me lëkundje në formë dhe lëndime, Valdet Rama tash është më shumë se kurrë i domosdoshëm për Real Valladolidin. Në ndeshjet e fundit ai po aktivizohet titullar në krahun e majtë.
Transferimi i Ramës te Real Valladolidi ishte njëri prej transferimeve të shumta të lojtarëve pothuajse të panjohur më parë. Rama kaloi te Valladolidi pa luajtur në ndonjë ligë të madhe të Evropës dhe për të ekzistonin vetëm disa video klasike “Youtube”, ku mund të shiheshin disa nga ndeshjet e tij të mëparshme.
Kështu që, kur Rama nisi stërvitjet te Valladolidi ishte plotësisht i panjohur dhe trajneri i atëhershëm Miroslav Gjukiq nuk i pati dhënë shumë shpresa, duke thënë se nuk ka vend për ndryshime në ekipin e tij.
Debutimi i tij, në bazë të ardhjes së vonshme dhe formës jo të mirë, nuk ndodhi deri në fillim të muajit mars të vitit të shkuar. Rama u inkuadrua në minutën e fundit kundër Malagas, e cila “terrorizonte” La Ligan me Iscon e Joaquinin. Rama aty për aty tregoi se është një lojtar plotësisht tjetër dhe menjëherë në ndeshjen e ardhshme ishte titullar te Valladolidi.


