RCCOLA

Valentini, poet i dashuruar në dituri

/ 9 minuta lexim

Gjilan – Analizë nga Avni Rudaku për librin – Musliu, Valentin: Vullneti për dituri”, Olymp, Prishtinë, 2013.

E para, puna ime e redaktorit të librit “Vullneti për dituri” të nxënësit të klasës së pestë, Valentin Musliut, ka qenë synimi që jo vetëm të bëjmë renditjen e vargjeve, strukturën dhe heqjen e gjërave të panevojshme, të dëmshme, joartistike, por edhe për të mos e mbytur natyrshmërinë krijuese të autorit Valentini.

Redaktori shpesh është i ngjashëm me kasapin, sepse e copëton dhe shkurton tërë ato përmbajtje jo në copa të vogla dhe sa më të imëta, por heq përmbajtjet që kanë karakter racist, fyes; të heqësh paragrafët që nuk kanë renditje koherente dhe logjike, të heqësh ato teprime dhe përsëritje që nuk janë në funksion artistik e letrar; që dëmtojnë metaforën, krahasimin, hiperbolën. Pra, redaktimi ka qenë në funksion të ruajtjes së modelit poetik të autorit dhe të ruajtjes së botës së tij unike.

E dyta, në librin e Valentin Musliut, nuk është vështirë të jesh redaktor, sepse ky poet, është ngapak vetë redaktor; ngase ka pak gjëra që mund t’ia heqësh, me përjashtim të disa përsëritjeve dhe epiteteve të tejkaluara në krijimet e sotme letrare. Ato që i vargëzon poeti Musliu, është me kod të pasur tematik, kanë radhitje të duhur në vendin e duhur, struktura e fjalive dhe vargjeve është e qartë, e kuptueshme. E veçmas, porositë didaktike (mësimore) të Valentinit, janë porosi universale, jo vetëm për fëmijët dhe bashkëmoshatarët e tij, por porosi që tejkalojnë moshën kalendarike. Ato janë porosi të pjekura dhe nuk është për t’u habitur, sepse sot fëmijët janë mjaft të integruar në botën e të rriturve dhe shpesh gjejmë “fëmijë të rritur”.

Ndonëse, Valentini mund të themi se është një nxënës e krijues me cilësi të veçanta dhe nuk është aq edhe fëmijë i zakonshëm. Ai është poet i sinqertë, moralizon sjelljen dhe thërret ta duam dijen, familjen, atdheun, ambientin, sportin dhe teknologjinë. Nuk ka portret më të përsosur të njeriut sesa si e përfytyron Valentini: tip familjar (në kapitullin e parë: Familja e shenjtë), edukativo-arsimor (dashuria ndaj dijes shprehet në kapitullin II: Vullneti për dituri); tip social dhe empatik (pra i ndjeshëm për të tjerët, kapitulli III: “Shqetësimi për të tjerët”); tip ambientalisti që përkujdeset për hapësirën e gjelbër dhe t’i trajtojë mirë jo vetëm hapësirën publike, por ta ruajë secilën gjallesë, pyjet, kafshët, etj (kapitulli IV); i interesuar të shikojë futbollin e të luajë, por jo të luajë bastore (kapitulli V); i motivuar për të lexuar tregime, por jo duke mos marrë mësime nga to (kapitulli VI); i pasionuar por edhe i arsyeshëm ndaj teknologjisë, ku në njërën poezi porositë fëmijët, e sidomos neve të rriturve: “Merrjani kohën teknologjisë!” (kapitulli VII); A ka porosi më të lartë dhe më të dobishme se sa menaxhimi i kohës dhe mospërhumbja nëpër profile faqesh, nga njerëzit të cilët qëndrojnë deri natën vonë në internet dhe të mos organizojnë kohën si duhet, sa për të qenë të nesërmen në mëngjes të koncentruar në orët mësimore?! A ka porosi më të lartë se si të qëndrosh pa kufizime në internet dhe të jepesh aq shumë pas teknologjisë, ku mund të keni ulje të produktivitetit në punë, në mësime, në kryerjen e detyrave të shtëpisë e të ngjashme?

Ja si e shpreh poeti Valentini në një prej vargjeve të tij poetike, teksa na flet ngjashëm si një mjek apo porosi që e dëgjojmë nga prindërit për fëmijët e tyre: “Në kompjuter/duhet të qëndrojmë me orar të caktuar/nëse rrimë shumë/sytë kemi për t’i dëmtuar” (f.61); i edukuar për ta dashur vendlindjen dhe atdheun si familjen e tij (kapitulli VIII) dhe në fund për ta përmbyllur me vullnetin për të mësuar nga tregimet, duke i komentuar vetë ato, për t’i diktuar kuptimet e tyre edhe për vetë lexuesit.

E treta, në poezitë e Valentinit, ne kemi një ndërtim të vargjeve me rima, të cilat janë të dashura jo vetëm për të vegjlit si zakonisht, por edhe për brezin e pjekur. Rima e Valentinit nuk është rimë që bëhet vetëm se tingëllon melodike dhe timbër të veçantë, por bëhet si përputhje përveç me mbaresa radiofonike të fjalëve, por edhe si përputhje e mesazhit përmbajtjesor. Valentini nuk i ndërton rimat siç bëjnë shpesh edhe disa tekstshkrues apo edhe poetë, të vegjël e të rritur, me arsyen se po tingëllon bukur dhe kaq mjafton!

Uji Dea

Valentini në ndonjë rast të veçantë që edhe e heq rimën, kur e sheh se nuk përputhet si rrjedhje e natyrshme e frymëzimit poetik. Në kodin tematik, lirisht mund të thuhet se Valentini me poezitë e tij krijon një portret ideal, dhe në të njëjtën kohë praktik, të realizueshëm, atë që sot kërkon secila shoqëri e zhvilluar dhe secili mësim i botës.

Valentini pra, ka gjuhë universale të porosisë. Në aspektin e hetimit stilistik dhe figurativ, dominon epiteti, hiperbola. Më lejoni të them këtu diçka me rëndësi: fëmijët në përgjithësi nga natyra psikologjike e vrojtimit dhe vlerësimit, janë hiperbolistë. Fëmijët i zmadhojnë gjërat teksa përshkruajnë figurën e nënës, atdheut, diturisë, kafshëve e natyrës, e të ngjashme. Mirëpo, ka një përdorim të hiperbolës në mënyrë më të veçantë te Valentini, sepse sapo lartëson figurën e nënës, ai tregon se si nëna e qorton herë pas herë, por që ky bëhet i kuptueshëm sepse e kupton se nëna e ka qëllimin e mirë edukues…

Pra, në një anë e lartëson, i kthehet vetvetes në ndërgjegje, pyet veten për arsyet e këshillave të prindit dhe përsëri nuk i arsyeton sjelljet e tij. Rrjedhimisht, na del poet dhe fëmijë jo rebel ndaj autoritetit prindëror, aq i përhapur në familjet tona; e kupton se nuk është i përsosur në sjelljen e tij. Në këtë kontekst, ju mund të thoni se Valentini po e ribënë rendin e vjetër tradicional, ku fëmijët janë larg vendimmarrjes. Mirëpo, jo! Valentini këtë e bënë në funksion të dijes dhe edukimit. Pra, e arsyeton prindin kur i thotë: mëso, kryej detyrat e shtëpisë, por jo në të gjitha urdhrat dhe modelet që prindërit mund të japin. Kjo është karakteristikë e veçantë e Valentinit, sepse ky aq ka vullnet për dituri, njohjen e botës, vetvetes, shoqërisë, kafshëve, natyrës, sakaq të gjitha i pranon, kur kanë synim edukimin dhe arsimimin.

E katërta, poeti i vogël me shpirt të madh, në poezitë e tij është pedagogjik, e mëson veten dhe të tjerët si ta duan familjen, diturinë, atdheun, e kështu me radhë. “Vullneti për dituri” është vullnet për zotërim të diturisë si qëllim, prandaj kjo është edhe tipar i fëmijëve të vegjël, të cilët nuk e vënë diturinë si instrument e jo si qëllimin më të lartë, prandaj nuk ia kemi redaktuar titullin. Ky vullnet për dituri nuk është vullnet për të njohur dhe ditur, por për vetë rezultatin e këtij procesi: zotërimin e diturisë.

E pesta, libri i ka edhe disa copëza tregimesh, të cilat nuk janë vetëm disa tregime të dëgjuara e të kombinuara në interpretimin e Valentinit, por në fund të tyre, komentohen nga ana e tij, sepse shpesh lexuesi nuk i merr seriozisht mesazhet e duhura nga leximi, dhe sot nuk është që kemi vetëm mungesë të kulturës së leximit, por kemi edhe keqlexim; deformim të mesazheve të përrallave e të tregimeve. Prandaj, ai u jep tregimeve edhe një komentim, duke drejtuar lexuesin kah vullneti për dituri, në mënyrë të domosdoshme. Ai edhe bëhet i bezdisshëm kur moralizon, por për të është krejt e arsyeshme, sepse vullneti për dije duhet të jetë herë-herë edhe kërkesa si urdhër.

Në fund, porosia ime për Valentinin është të mos mbetet peng i rimës dhe të shkojë përtej! Nuk ka nevojë poeti të vuajë nga rimat, nëse ato vijnë, mirëseardhshin, nëse jo, le ta thyejnë qafën, por jo të përputhin vargjet sa për t’i përputhur! E rëndësishme është t’i hedhim ato trazimet e brendshme shpirtërore, ato përplasje reale të fëmijërisë sonë me botën e jashtme (prindërit, shkollën, shokët etj.) dhe t’i regjistrojmë në mënyrën më të sinqertë në vargje. E pastaj jemi ne redaktorët e kritikët e poezisë, të cilët i krehim më pastaj! Dhe porosia tjetër mbetet të vazhdojë të mbetet nxënës i shkëlqyer sepse na ka premtuar këtë përmes vargjeve dhe që vazhdimisht do ta shtojë vullnetin për dituri! Bile vullneti i tij, urojmë të bëhet epidemi te të gjithë të tjerët!

Avni Rudaku – redaktor i librit