Urime Dita e Çlirimit të Kosovës!

Nga Bekim Selishta – Sot, në këtë ditë të shënuar për historinë tonë, përkujtojmë me nderim dhe respekt të thellë të gjithë ata burra dhe gra që sakrifikuan jetën, rininë dhe qetësinë e tyre për lirinë e Kosovës. Është për të ardhur keq që, në shumë raste, çlirimtarët tanë nuk po kujtohen ashtu siç e meritojnë, por ndonjëherë ashtu siç do të kishte dashur armiku ynë historik, Serbia të errësohet sakrifica e tyre, të minimizohet kontributi i tyre, dhe të zbehet e vërteta për qëllimet politike të momentit.
Populli shqiptar, ndër më të përvuajturit në Evropë, i ndarë padrejtësisht në disa shtete, me shekuj nën robëri, meriton të ketë kujtesë të pastër dhe mirënjohje të përhershme për ata që sakrifikuan gjithçka për liri.
Çlirimtarët tanë duhet të rreshtohen përkrah të gjithë atyre figurave të mëdha të historisë botërore që u ngritën kundër padrejtësisë, kolonializmit dhe pushtimit. Ata nuk ishin vetëm ushtarë të një lufte çlirimtare, por themelet mbi të cilat u ndërtua liria, identiteti dhe dinjiteti ynë kombëtar.
Na mbetet ta pranojmë me keqardhje se, ndoshta, nuk kemi ditur t’i vlerësojmë siç duhet heronjtë tanë. Ndërsa përmendoret dhe shtatoret qëndrojnë si dëshmi të asaj kohe, ndërgjegjja shoqërore shpeshherë duket se është mpakur. Institucionet tona arsimore dhe kulturore, që duhet të jenë bartëse të këtij kujtimi dhe krenarie, nuk po e luajnë rolin e tyre siç duhet.
Nëse arsimi nuk edukon për të vërtetën tonë historike, nëse kultura nuk reflekton përpjekjet dhe sakrificat e popullit, atëherë rrezikojmë të mbesim të përçarë dhe të huaj për vetveten. Vetëm përmes edukimit të drejtë, ruajtjes së kujtesës historike, dhe kultivimit të krenarisë kombëtare mund të afrohemi mes veti si komb, dhe ta ndërtojmë bashkimin shpirtëror e kulturor që na është mohuar për dekada.
Kur ta kuptojmë se liria nuk është dhuratë, por amanet atëherë do të arrijmë ta vlerësojmë vërtet çlirimtarin. Atëherë, ndoshta, do të jemi më të bashkuar dhe më të fuqishëm përballë çdo përpjekjeje që synon të na mbajë të ndarë dhe të nënshtruar.
Lavdi të përjetshme çlirimtarëve!