RCCOLA

UP-ja kërkon më shumë studentë, komunat s`kanë treg

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Derisa Universiteti i Prishtinës ka kërkuar rritjen e numrit të studentëve të regjistruar në vitin e parë, edhe pse u mungon hapësira, komunat e Kosovës janë në halla me të diplomuarit. Tani në kohë konkursesh për mësimdhënës, ka komuna në të cilat, për 83 vende të lira pune, konkurrojnë mbi 800 persona.

Universiteti i Prishtinës po vazhdon të insistojnë që të rritet numri i studentëve që aspirojnë marrjen e një indeksi pa një plan se çfarë të bëhet me ta kur t’i marrin diplomat. Numri i studentëve, në vazhdimësi, gjatë viteve të fundit është duke u rritur. Këshut derisa gjer në vitin 2009, UP-ja kishte 37 839 studentë të regjistruar, vetëm gjatë vitit të shkuar, me miratimin e Ministrisë së Arsimit, ka regjistruar mbi 13 mijë studentë të rinj, ndërsa këtë vit ka hapur konkursin e parë për mbi 9 mijë studentë për të vazhduar kërkesën për rritjen e numrit, deri në 14 mijë studentë.

UP-ja ka injoruar në vazhdimësi kritikat se numri i marrë i studentëve ka zbehur në masë të madhe cilësinë e studimit. Përderisa vazhdon kjo politikë e këtillë e nxjerrjes së njerëzve me diploma, nuk bëhet asgjë në drejtim të hapjes së tregut të punës.

Ky disbalans mes tregut të punës dhe rritjes enormet të numrit të studentëve, sipas Jonuz Salihut është me fajin e institucioneve arsimore për arsye se nuk është bërë asnjë studim i të ashtuquajturit rrjet të shkollave për të analizuar se për çka ka nevojë Kosova dhe ku ka kuadro të tepërta.

Sipas tij, politika po bënë gara për të hap sa më shumë universitete e kolegje private në dëm të cilësisë dhe mandej të rinjve që me entuziazëm mendojë që sapo të përfundojnë fakultetin mund të hyjnë në punë, po u ndodhë e kundërta sepse ata nuk po mund të gjejnë punë.

“Disbalanci është krijuar sepse nuk është studiuar së pari tregu i punës. Kur shpallën konkurset fare nuk konsultohen Oda Ekonomike apo institucionet e ndryshme që merren me biznes në mënyrë që me pas një pasqyrë se ku Kosova dhe çka Kosova ka suficit të madh të kuadrove dhe kjo bëhet sa për t’i mbushë kuotat sepse disa universitete private fitojnë. I kanë bërë universitetet me qenë një lloj biznesi, kurse universiteti publik bënë gara sa më shumë me pas sepse edhe ata kanë privilegje”, ka thënë Jonuzi.

Kjo situatë e këtillë ka bërë që për pak vende të lira në konkurset për mësimdhënës nëpër shkolla të Kosovës të konkurrojnë me qindra kandidatë.

P.sh., në komunën e Prizrenit, sipas drejtorit të Arsimit, Nexhat Çoçaj kanë konkurruar 600 kandidatë për 30 vende të lira të punës, ndërsa në komunën e Mitrovicës, sipas zyrtarit Isa Sejdiu, për 83 vende të lira të punës, kanë konkurruar hiq më pak se 809 kandidatë.

Eco Higjiena

Një numër i madh i të aplikuarve është edhe në Komunën e Prishtinës.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Halim Halimi i ka thënë KosovaPress-it, se për 24 vende të lira kanë aplikuar 630 persona.

Sipas tij, për vetëm një vend të lirë të punës në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, kanë konkurruar 101 persona.

“Universiteti i Prishtinës do të duhej të shikojë këtë konkurrencë kaq të madhe dhe të mos hap pranojë student për disa vite në drejtimet ku ka numër shumë të madh të të diplomuarve”, ka thënë Halimi.

E derisa në komunën e Obiliqit, sipas drejtorit të Arsimit, Ismail Kurshumliu kanë aplikuar 94 persona për 30 vende të lira pune, në Komunën e Fushë Kosovës, sipas zëdhënësit për media Ali Topalli, për 10 vende të lira të punës kanë aplikuar 47 persona.

Aspak më mirë nuk është gjendja as në Komunën e Lipjanit, ku sipas drejtorit të Arsimit, për 63 vende të lira të punës kanë konkurruar 351 persona.

Në anën tjetër, në komunën e Deçanit, sipas zëdhënëses për informim, Yllarta Thaçi pritet të hapet një konkurs për më pak se 10 vende të lira, kurse në atë të Pejës, sipas Musa Krasniqit, pritet të hapet një konkurs për më pak se 20 vende të lira pune. /kosovapress/