Eko Higjiena

Universiteti i Partisë

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lavdim Hamidi – E marr me mend se në çfarë sikleti ka qenë ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, kur u detyrua ta shfuqizojë vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit “Hasan Prishtina” për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu.

Atij i kërkohej ta shfuqizojë një vendim që një natë më herët e mori një përfaqësuese e institucionit që e drejton Bajrami në Këshillin Drejtues të Universitetit, bashkë me disa bashkëpartiak të ministrit, apo me partnerë në koalicionin qeverisës.

Në fakt Bajramit i kërkohej ta kthejë në detyrë rektorin, të cilin indirekt e shkarkoi.

Ai mund edhe të mos e merrte një vendim të tillë, po të mos kishte frikë se protestuesit qysh në mëngjes do t’ia bllokonin dyert e Ministrisë, të cilët po organizoheshin nëpërmjet rrjeteve sociale.

Para pak muajsh janë bërë dhjetë vjet kur vetë Bajrami kishte qenë “në lëkurën” e Zejnullahut. Ai në vitin 2005 u shkarkua nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtinës nga “mësuesi i Bradashit” (Agim Veliu), i cili në atë kohë ishte ministër i Arsimit.

Mirëpo, përveç disa zërave përkrahës nga partia e tij (PDK) askujt tjetër nga bota akademike e as nga shoqëria civile nuk i bëri përshtypje shkarkimi i tij.
E të mos flasim se dikush do të ishte në gjendje të organizonte protesta për kthimin e Bajramit në krye të Universitetit.

Pikërisht këtu qëndron edhe dallimi mes Zejnullahut dhe të gjithë paraardhësve të tij në krye të Universitetit të Prishtinës, pasi që ai është rektori i parë që nuk u dërgua nga politika dhe nisi të bëjë reforma të thella, me të cilat do t’i godiste së pari politikanët profesorë.

Uji Dea

Për këtë arsye ka shumë zëra përkrahës si nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët, të cilët janë lodhur nga universitetet partiake dhe kolegjet e mëhallëve që po prodhojnë analfabetë me diplomë.

Këta politikanë “akademikë”, që, siç do të thoshte ish-ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jaccobson, e kanë dhjerë punën në politikë, të njëjtën gjë po e bëjnë edhe në Universitet.

Prandaj, si mund të përkrahen ata senatorë që po e kërkojnë “kokën e Zejnullahut”, të cilët mbahen mend veç për skandale sa kanë qenë ministra në Qeverinë e Kosovës, e jo për ndonjë veprim të mirë.

Dekanët Dugolli e Çeku do të duhej të përkraheshin në Universitet po qe se do të kishin lënë gjurmë të mira në politikë, por përkundrazi ata përmenden veç për të keq.

Para se të shembet kulla përrallore e Babilonisë, e cila ishte simbol i krenarisë dhe adhurimit, politika përfundimisht duhet t’i çoj duart nga Universiteti.

Dhe në vend të një rektori si Bajram Kosumi, të zgjedhë një rektor si Ramadan Zejnullahu, nëse jemi për sistem të mirëfilltë të vlerave dhe të gatshëm për integrim në Evropë.

Në të kundërtën, Universiteti i Prishtinës që është konsideruar për dekada si tempull i dijes së shqiptarëve, me largimin e Zejnullahut dhe me këto grupacione akademikësh që dirigjohen nga politika, po shndërrohet në një stacion autobusësh si në kohë komunizmi, i cili shfrytëzohej nga shumica e qytetarëve, kryesisht për kryerje të nevojave fiziologjike.