Universi im (Prozë poetike)
Filloj rrëfimin për kohën e korbave e fjalët më kanë ikur nga kujtesa. Pasi kujtesa ka mbetur pa përmbajtje, nis e mendoj për formë.
Formalisht e marr veten në pyetje e përherë mbetem pa përgjigje, megjithatë edhe ky vështrim imi mbi kohën e hapësirën humbet në pafundësinë e lojërave të gjithësisë, nga të cilat lëngon universi im.
Kohët janë kafshëruar dhe pinë ujë, sa s’duhet, e dalin në stom të mbingarkuara dhe pëlcasin me spërkamë kërcënuese për botën.
Rrugët e fshehjes së shpirtrave kanë marr rrokullimën drejt humnerës dhe nuk di se kush mund t’i nxjerr thesarët e anijes së fundosur nga fundi i detit pa ujë.
Po hedh hapin e më thonë se në valle s’është e thënë të jeshë valltar i mirë, mjafton të jesh kërcimtar tavernash nate e të mos bëhesh gazi i ditës.
Megjithatë, shamizezat mund të vajtojnë edhe në një natë të madhe.
Ramadan Mehmeti


