Ultra të shkurtëra

/ 7 minuta lexim
RCCOLA

Poezi të përzgjedhura enkas për rajonipress nga Sabit Rrustemi.

(1)

pak veta e pranojnë humbjen si burrat
qindra burrecë zvarriten pas fituesit
për t’ ia lëpirë dhe këpucët
(4 nëntor 2013 )

(2)

sa të rrjedh ujë nëpër Bunë
sht(r)atit tënd
do t’ jem
unë
( 4 nëntor 2013 )

(3)

nëse s’ mund t ‘ ia zgjasësh dorën
të rrëzuarit
kurseje sëpaku nga shkelmat
( 4 nëntor 2013 )

(4)

puthadorët puthisen si munden
vetëm a po kanë ku
për t’i vënë buzët
(4 nëntor 2013 )

(5)

para portës së fituesit
vërshojnë uruesit

te humbësi mungojnë dhe vartësit
(4 nëntor 2013 )

6.

kushdo që sheh ëndërr
në ditën me diell sy hapur

natëm
nëpër to
edhe ma keq ka për t’u përplasur
( 7 nëntor 2013 )

7.
sa herë fshihen pas veshëve mizat
fjalët e urta përpushen
hapësirave të kthejllta të mendjeve rishfaqen
shushullimat heshtin
( 8 nëntor 2013 )

8.

askush s’ është i humbur
përderisa është pjesë e kësaj dite

as më të dashurit që i kemi

lutuni që të gjallët të bëhen më të mirë
lutuni për paqen e përbotshme të shpirtërave
që shndrisin kujtesave tona

lutuni edhe për veten
se çdo ditë e re është dhe një fat i ri
dhe një mëkat po u shmangëm nga e ëmblja dashuri

( 10 Nëntor 2013 )

( 9 )

shushullon dhe sonte
shushullima e një nate më parë

lisat humbin gjethet
gjethet stinën
e humbësit rrugën brenda oborrit

drejt nesh për midis natës
ditë e re hapëron dhe Ti

(11 nëntor 2013 )

10.
ti nuk ikën nga unë pse ndërrohen stinët
as pse për një cast heshtim para fjalëve
trupit tim je duke i përpushur lulet bimët
për r’ ju dhënë frymë e aromë të gjallëve

ti je në mua edhe kur nuk të shoh
e pas të bie të kërkoj qiellit pa kufi
në çast më rishfaqesh e më ngroh
më mbushë jetë me tënden dashuri
( 13 nëntor 2013 )

( 11 )

vjellësi nuk zgjedh vend
as moment
vjell pa rend

harron që vjellja as dje as sot
nuk është trend

në t’ vjellat e veta sharron me gjithë mend

( 17 nëntor 2013 )

12.

e shkurtër është kjo e përkohshme
për ta thithur shpejt

mos nxito për ta nxënë atë çast të ftohtë
që djeg zemrën ma shumë se buzët
e nuk shkrinë as nga lotët

e përjetshmja përjetohet përmes të përkohshmes

( 21 nëntor 2013 )

13.

rigon vjeshta nëpër etjet e mia
rigon e përpushë burime të vjetra

sa shuhet një zjarr
dhjetëra tjerë zjarrmojnë nëpër dej
as në dielën e lutjeve nuk të gjej

e ti je këtu diku thellë
aty ku një dashuri të pashkulur kam mbjellë

kjo ndjenjë përherë më kthjellë

( 24 nëntor 2013 )

14.

shtrij krahët
hap zemrën këtë portë shpirti
sytë i nis ladrim kah ti

e unë
si Gur i Zemrës Sate
nuk lëviz vendi pa më prekur Ti

( 24 nëntor 2013 )

15.

u lëshua perdja
dritarja u nxi

rrena e mbylli gojën
sa për sy e faqe
mesnata ngriu heshtjen

njeriu u kthye në sy e veshë
duke pritur një tjetër ditë

( 30 nëntor 2013 )

16.

Në Heshtjen e kësaj dite
Ti po fle

Fli e mos përpush

Një ëndërr e mirë
Posa i u shfaq synit

Një zgjim i ri po e thërret

( 30 nëntor 2013 )

17.

humbësin nuk e ëmbëlson as mjalta
ekstazën e fituesit shpejt e bartë era

ruana zot nga pritjet e mëdhaja
( 4 dhjetor 2013 )

18.

Ti lehtësues i jetës sime
Më kurse nga mëria e Humbësit

Dhe nga barra e Fituesit
Më liro

Çka shkon e nuk kthehet s’ e dua më
( 6 dhjetor 2013 )

19.

Urimet presin në radhë
Për t’u zbrazur para Fituesit

Kujdestarët e pritësve fërkojnë duart
Zgërdhijnë dhëmbët
Pas shpine vjellin përgojimet

Trotuari rrudhet
Shkallët as me thembra preken

Tej rrugës
Nën hije pallatesh
Rreshti i pambarim i ankuesve gatitet

( 9 dhjetor 2013 )

20.

Aq përmallshëm e prita
Sa nuk e pashë fare kur erdhi

Tash e kërkoj
Nëpër krejt ditët e jetës e nuk e gjej

E përdala Natë
Nga ëndrrat ma fshehë

Mobi Casa

Në një skutë të shpirtit ajo flokët shkrehë

( 9 dhjetor 2013 )

21.

Ngeli mes meje e vetes diku
Thërmijat e nji dashurie
Tuj i shiju

Veten time përditë ngapak
Në thërmia kam me ja thërmu
( 9 dhjetor 2013 )

22.

secili e kemi nga një dritë shpirti
thellësive të qenies
për ta ecur udhën që nuk e shohim

drejt ëndrrës që n’ bisht të syrit e fshehim

ajo është aty
edhe kur harrojmë për ta ndezur
edhe kur pandehim se e kemi humbur

vetëm cilin damar duhet prekur
s’ po kemi kohë për ta mësuar

( 10 dhjetor 2013 )

23.

Fara e mirë e zemrës

Mbin
kur e harroj

S’mblidhet
kur më duhet

Çuditërisht shfaqet
kur nuk e pres

( 10 dhjetor 2013 )

24.

I marrim kodrat n’ sy
Sa nuk na kanë lënë këmbët

E gjunjtë ende ruajnë yndyrë

Rrafshi s’ kalohet më n’ thembra
Dramat sall kilogramë shtuan

Dhe udhët na i nxinë

( 12 dhjetor 2013 )

25.

Krrokasin KorbëZinjtë eterit nën retë e zeza
Krrokamën e moçme nëpër breza breza

Krrokama e tyre
Krrokohet gjuhëve të përdala
Për lartësitë e paarrira me mendje të çala

Këto krriçka komponime të trishta
Katandisen kanaleve të pista

Falë erës që tutje i bartë
Shuhen dhe këto krrokëdhima
Shpirti Ynë i paqtë

( 12 – 13 dhjetor 2013 )

26.

Asaj nuk i mungon asgjë
nga krejt ato që ëndërrohen
ndjehen

përveç Prekjes

Askush nuk i mungon asaj
në këtë çast

përveç Meje

Me krejt këtë pasuri
e ngrirë mbetet si ky mëngjes

derisa të shfaqem Unë
( 16 dhjetor 2013 )

27.

ajo që mungon
asnjëherë nuk ke qenë ti

vetëm dita që ende s’ ka trokitur
( 19 dhjetor 2013 )
28.

lavatriqet i lajnë e i thajnë rrobat
madje dhe enët gotat lugët

po
jo dhe pjesët që i mbulojnë ato rroba
jo dhe zorrët që mbushen nga lugët gotat enët

njeriu nuk la gjë pa shpikur thuaja
pos një makineje që lanë e shpërlanë
mëkatet tona të pafalshme
( 19 dhjetor 2013 )

29.

kush pendohet nga ajo që e ka dashur
zemrën të qetë më s’ ka për ta pasur

dhe vetëvetja një jetë ka për ta tallur
( 19 dhjetor 2013 )

30.

kuajve me bishtin mbi shpinë
mbathtari le t’ ju vejë mbrapa

se mbesin pa të mbathura
( 24 dhjetor 2013 )

31.

ah (P) engu
një Luks pa Orar

zorrët shpesh i ka trazuar

prej të vjellave
sa bima është tharë

ah
(P) engun
si nuk e paskëshim harruar
( 24 dhjetor 2013 )

32.

qiellin e kësaj nate
këtë mjegull të përhirtë
vetminë e bardhë mbi Çepur
vetëm vështrimi yt e dëbon

se si hapëron udhëve të padukshme
e më pushton

ai vështrim i syrit tend
( 24 dhjetor 2013 )

33.

,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,
,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,
,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,

,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,,

asaj që më drithëron
dhe poezisë që më çliron
nuk i vë pike
( 24 dhjetor 2013 )

34.

mbi zjarrin e mbetur të natës
u derdh lënda e parë
për ngrohje

shtrojsat
të thara në pritje
ndizen si eshkë

t’ njomave të çara
që presin në radhë

faqet i u nxihen prej flakës

( 25 dhjetor 2013 )

35.

uh
sa të mirë shtruesit
për ulëse

sëmundje ngjitëse bëhen
më vonë

ruaji zot prej m’syshi

mungesa e (f) emrave
pa sy na la
( 25 dhjetor 2013 )

36.

ti nuk je aty ku të dua

aty ku gurgulloj
e jam sall krua
për buzët tua

etja ende s’u shua

përherë do ta përsëris
vetja jote s’ je pa mua
( 25 dhjetor 2013 )