UBT

Ujëvarë e rrëfimit të letrarizuar

/ 11 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Remzije Zekolli – Anton Nikë Berisha, “Ujëvarë drite në zemër”. Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, Tiranë 2009.

Anton Nikë Berisha, ligjërues në Universitetin e Kalabrisë, me librin ,“Ujëvarë drite në zemër” që ia kushton Nënës Tereze, sado pak e ka shlyer një borxh moral, si bir i kësaj toke, për bijën më të madhe që kombi shqiptar ia dhuroi njerëzimit, Agneze Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Struktura narrative e këtij vëllimi poetik përbëhet nga katërmbëdhjetë poezi, apo siç i ka pagëzuar ai, pamje të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut Nënës Tereze dhe një shtojcë dedikuar Papa Gjon Plait të II, gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri në vitin 1993. Libri “Ujëvarë drite në zemër”, shpërfaq ujëvarën magjike të rrëfimit poetik brenda këtij vëllimi poetik. Kjo lirikë poetike, është madhështorja e vargut të Antonit e kryqëzuar me pamje biblike që lexuesi, e interpreton sipas leximit letrarë ashtu siç ai e percepton. Lirika e tij e mbrehtë shpërfaq portretin engjëllor të Nënë Terezës, e cila është frymëzim i njerëzimit për paqe dhe humanizëm. Libri në fjalë është materia strukturore semantike leksikore që e nxit lexuesin për ndryshime rreth jetës, humanizmit, besimit, krijimtarisë. Lexuesi është këmbëngulës në arritjet dhe përditësimin e diçkaje nga kjo vepër e letrarizuar përmes vargjeve të Antonit. Të jemi sa më afër Hyjit, familjes, shoqërisë, problemeve që i preokupojnë botën, ja ky është hiri i bijës më të madhe të kombit ton liridashës..

Kujtimet e letrarizuara për fëmijërinë

Libri, fillon me një hyrje që autori e ka shkruar, e cila rrëfen për frymëzimin e poetit për shkrimin e këtij vëllimi poetik. Ideja është e para që një krijues fillon realizimin e ndonjë projekti. Këtë libër po e cilësoj si një vepër monumentale në vargje për Nënë Terezën kësaj gruaje humane, përmes së cilës, bota po na identifikon me virtytin e paqes, flijimit dhe humanizmit. Ajo është një personalitet i rrallë shqiptar e cila hyri në historinë moderne të botës dhe përfaqësim fisnik i kombit të vet që sado pak ngriti zërin kundër padrejtësive që po i bëhej popullit shqiptar në ish Jugosllavi. Zëri i saj fuqishëm tingëlloi tek një president, ai është Bill Klinton, i cili pasi e viziton varrin e saj, përkulet dhe thekson ”Unë e kreva amanetin tënd, Kosova tashmë është e lirë” Është fjala për intervenimin ushtarak të Amerikës për ndaljen e spastrimit etnik të Kosovës. Në kompozicionin e parë të librit, pamja e parë, shpërfaqen kujtimet e saj fëmijërore për nënën Drane dhe këshillat e saj, vendlindjen, lumin, bjeshkët. Këshillat e nënës janë fisnike në jetën dhe aktivitetin e Nënës Tereze.

Atëherë si sorkadhe mali
kaptoja shpateve të thepisura
e luginave gjelbërore
dhe nga gjiri i bardhë i zanave
pija qumështin magjik
e bëhesha xixëllonjë lozonjare
që synon shprishjen e territ.
(f. 22 – 23),

Nga këto vargje, mësojmë dëshirën e saj për të ndriçuar botën si një xixëllojnë për tu bërë një yll që edhe sot e gjithë jetën do të ndriçoj. Dëshira për të ndriçua shpirtrat e njerëzimit lind qysh nga fëmijëria e saj. Kujtimet nga pamja e parë e librit përmbyllen me kthimin te nëna që ushqehet me zjarrin e dashurisë që i ngjason një ujëvare që hapte dritë në zemrat e të varfërve. Edhe në pjesën e dytë dhe të tretë të librit, vazhdojnë kujtimet për nënën që e lindi, rriti dhe edukoi, heroinën shqiptare të paqes, po pra edhe paqja i ka heronjtë e vet të paqes e të humanizmit. Pamja e tretë e librit na paraqet një tablo fuqiplote të frymëzimit, kujtimin e rrëfimit të nënës i cili na dërgon në thellësinë e ngjarjeve të rëndësishme të historisë shqiptare.

Fshehtësitë e jetës
nëna Drane m’i zbulonte…
Më rrëfente
për besimin e të Parëve
për Kuvendin e princave të arbëror
mbajtur në kishën e Shën Kollit në Lezhë
ku hiri i Hyjit zbriti në ta
dhe ua përndriti mendjen;
me besën e Zotit i lidhi
Atdheun e shtrenjtë ta mbajnë
si dritën e syve
(f. 27).

Këto vargje shpërfaqin, rrëfimin e nënës për ngjarje të rëndësishme kombëtare që ndryshuan rrjedhën e proceseve historik të fiseve shqiptare të asaj periudhe të cilat u bashkuan për ta luftuar armikun e përbashkët të tyre Turqinë, ky mesazh do ishte më se i duhur edhe për kohën për të cilën jemi duke jetuar, një bashkim kombëtarë në interes të çështjes sonë kombëtare, të cilën shpeshherë politikanët tanë po e dërgojnë në udhëkryq. Do e kisha shumë vështirë të bëja këtë vlerësim të këtij vëllimi poetik me karakteristika shumëdimensionale po të mos e kisha lexuar monografinë e Dom Lush Gjergjit ” Nëna jonë
Terezë”. Fillimi i aktivitetit të saj si misionare e , rolin dhe rëndësinë e lutjes në kish dhe në familje e mësojmë në pamjen e pestë.

Lutja është
përligjje e besimit
burim në kthjelltësisë së mendjes
puthje e dritësimit ngashënjyes
që me blerimin e pranverës
ribënë tek unë
çdo gjë:
ajo më jep fuqi
t’i shmang gabimet;
nga zemra t’i heq
lakminë
smirën
(f. 36)

Lutja para Zotit, që të jemi të fortë, që çdo ditë të jemi njerëz të mirë, të besojmë në Hyjin dhe të lëmë vepra të mira pas vetes, një shëmbëlltyrë hyjnore. Më poshtë po për lutjen poeti mes tjerash shënon

Lutja është vetë jeta
e ngjizur në mua.

Fuqizimi i rolit të misionares, Nënën Terezës e shohim në pamjen e tetë të këtij strukturimi poetik. Titulli i kësaj pamje, është plot simbolikë profetike, kuptimore me një lidhshmëri të fisme me biblën. Flakërim i grishjes sate, që e receptojmë, dritë plot zjarr e ftesës sate, vallë ku mund të na shpie ajo, ajo ftesë për atë dritë të zjarrtë, ku tjetër pos te hirësia e hyjit. Dashurinë për Hyjin Nëna Terezë e kishte qysh si fëmijë.

Hyji im , Jezu, …
je limfa
që në çdo Kungim
etjen për jetë
ma ringjallë.
(f. 50)

Përmes këtyre vargjeve, pasqyrohet besimi në fuqinë e Hyjit, limfa është lëngu që furnizon trupin me rruaza të bardha, gjatë ritit të Kungimit është vet ringjallja për jetën. Gjatë misionit të saj human e paqësor si organizatore dhe pjesëmarrëse e këtyre misioneve të shenjta, Nëna Tereze është përballuar me peizazhe të rënda të sëmurëve, varfanjakëve, të plagosurve nëpër luftëra anë e këndë botës. Këto ndjenja shpirtërore të saj, poeti i ka skalitur në vargjet e mëposhtme me titull metaforik, biblik dhe simbolik: Zërat që më gozhdonin si Krishtin.

Grishja e heshtjes së akullt
dimër më shtreson në shpirt
dhe ankthi bredharak
si suvalë deti
klithjet i tundëson
i përplas rrugëve lot-tharë
ku ndërgjegjja e njeriut
ndër ethe kotet
(f.54)

Mendim metaforik, heshtja e akullt, e cila shpërfaq shqetësimet e Nënën Terezës edhe për të varfrit edhe për njerëzit sëmurë, por edhe peizazhet nga luftërat ku pësojnë njerëz të pa fuqishëm, njerëz të pa fajshëm. Edhe në vëllimin poetik të Anton Nikë Berishës, në këtë lirikë biblike, vend të rëndësishëm zë edhe Kalkuta, qyteti ku Nënë Tereza pjesën më të madhe të jetës së saj kreu misionin e shenjtë.

FIDANISHTJA

Ndërsa në qytetin e Kalkutës
vapa përcëllon
në zemrat tuaja akullsimi shtresohet
si në majat e Pashtrikut tonë
nëpër ndërrim motesh
(f. 64)

Vargjet:

Në zemrat tuaja akullsimi shtresohet
Si në majat e Pashtrikut tonë,

shpërfaqin lidhshmërinë mes vuajtjeve të popullit të Kosovës dhe vuajtjeve në Kalkutë, Pashtriku malet e Kosovës akulli shtresohej, dhuna serbe ndaj popullit liridashës dhe liri bërës shtresohej në forma dhe mënyra të ndryshme.

Rikthimi tek fëmijëria përmes kujtimeve për nënën Drane

Në pamjen e trembëdhjetë të librit “Ujëvarë drite në zemër”, poeti na rikthen te kujtimet për nënën Drane. Pena e tij, hijezon peizazhin lirik e biblik të kujtimeve fisnike të Nënës Tereze , portretin e nënës dhe këshillave të saj. Ajo shpreh falënderimet dhe mirënjohjet më të thella për nënën që i trasoi rrugëtimin e saj në humanizëm, që të jetë sa më afër Hyjit, njerëzve nevojtarë.

Nënë
shembull i besimit në heshtje
etje jetë e pashuar ….
ti me buzëqeshjen hyjnore
i mbledh dhimbjet e lodhura të secilit
dhe i kthen
në gurë të shpresëdhënës
(f. 75)

Pamja e katërmbëdhjetë e këtij vëllimi poetik-biblik, i dedikohet Hyjit, krijuesit të botës, para të cilit përulemi dhe lutemi në rrugën e shpëtimit.

Hyji është kërkimi i lirisë
është liria vetë;
është Zëri
që rilind vijimisht
në zërat tanë;
është krua i dëshirave
dhe i ëndrrave
që s’kanë mbarim.
(f. 78)

Besoni në Hyjin, sepse ai është çdo herë pranë nesh, kur ne i drejtohemi për realizimin e dëshirave ëndrrave tona të cilat s’kanë mbarim, ashtu siç kurrë s’do ketë mbarim Hyji Ynë. Libri ujëvarë drite në zemër, përmbyllet me një poezi që poeti ia dedikon Papa Gjon Palit të II, pas vizitës së tij të parë në Shqipëri në vitin 1993. Shqipëria sapo kishte hyrë në botën e demokracisë, ku feja para kësaj ngjarje ishte një mollë e ndaluar, ishte vendi i vetëm ateist në botë, ku misionarët e feve në Shqipëri ishin persekutuar pa mëshirë nga sistemi monist dhe diktatorial. Ishte ndaluar e drejta themelore e njeriut, e drejta e besimit. Hyjëzimin e vizitës së tij e shohim përmes penës magjike të Antonit.

Atëbotë
shikimi të treti kah Pashtriku i lashtë
dhe të grishën klithjet e fëmijëve të Kosovës
ofshamat e pleqve,
vajet e plakave
që e bartin peshën e jetës
si gjarpri nën gur-
(f. 87)

Portretizimin e vizitës së tij dhe kryqëzimin e ngjarjeve në Kosovë, poeti i skalitur mjeshtërisht në vargjet e cituara më lart, shikimi i humbi kah Pashtriku sepse Papa s’kishte mundësi t’i vizitonte dhe t’u përgjigjej thirrjeve të fëmijëve shqiptarë në Kosovë, për ta parë vuajtjen dhe padrejtësitë e tyre që përjetonin nën okupimin serb. Është grishja e shumë fëmijëve si ajo e Afrim Përbrezës, i cili u masakrua nga serbët, vetëm pse e donte dhe besonte në Liri.

Përfundim

Pamjet katërmbëdhjeta mahnitëse të këtij libri mund ti shohësh vetëm duke lexuar librin “Ujëvarë drite në zemër” të autorit të mirënjohur shqiptar Anton Nikë Berisha , jo jo, nuk është pamje e një lumi apo bjeshke është pamje fisnike e një kujtimi e gdhendur në letrën e bardh nga maestro i vargut biblik Antoni, janë pamjet e besimit në Hyjin, pamje mirësie, humanizmi, paqeje dhe dashurie mes njerëzve që jetojnë në mbarë botën. Këto pamje na vijnë si ylber mahnitës përmes pendës si motiv i kujtimeve të bijës më të madhe që kombi shqiptar pati deri në ditën e sotme, Nënë Tereza. Libri lexohet me një frymë dhe frymëzim fisnik për lexuesit.

Vushtrri, nëntor 2021