Fundamenti

Ujësjellësi i Zhegrës kalon nën menaxhim të KRU “Hidromorava”

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Zhegra bëhet me ujësjellës funksional, falë investimit të qeverisë së Kosovës, Komunës së Gjilanit dhe CDI-së Zvicrane, ku i gjithë projekti kap shumën prej 457 mijë euro. Uji për këtë fshat është siguruar me shpime nëntokësore dhe sasia e ujit është e mjaftueshme për furnizimin e fshatit.

Sot kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, drejtoresha e KRU “Hidromorava”, Mirvete Hoti dhe përfaqësuesit e fshatit Zhegër, kanë nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit për bartjen e projektit nën menaxhimin e Hidromoravës.

Me këtë rast kryetari Haziri ka thënë se Zhegra është bërë me ujë të pijes dhe tash e tutje duhet vetëm një bashkëpunim dhe menaxhim i duhur për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijes atje.

Ai ka thënë se kështu do të vazhdohet bashkërisht të bëhen edhe investime të tjera në shërbim të qytetarëve.

Uji Dea

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Sokol Haziri, ka thënë se sigurimin e ujit të pijes për fshatin Zhegër e kanë bërë përmes shpimit nëntokësor, ndërsa furnizimi bëhet përmes sistemit të pompimit.

Gjithashtu ai ka thënë se të gjitha obligimet e deritanishme si të shpenzimit të ujit por edhe të rrymës i merr komuna për këtë projekt.

E Mirvete Hoti, drejtoreshë e KRU “Hidromorava”, i ka informuar përfaqësuesit e fshatit me hapat të cilët duhet të ndërmarrin në fillim deri në lëshimin e ujit nëpër familje.

Qytetarët kanë afatin një mujor për të bërë kyçjen e ujëmatësve dhe legalizimit në KRU “Hidromorava”. Pas një muaji shpenzimet për harxhimin e ujit do të faturohen nga inkasantët e kompanisë për secilën familje veç e veç./rajonipress/