UEFA shkruan për Zvicrën, golat e Shaqirit ndaj Shqipërisë, dhe përballjen mes Xhakajve

Faqja zyrtare e UEFA-s ka shkruar për përballjet e Zvicrës me rivalët e grupit A, me të cilët do të përballet në Euro 2016.
Franca, Shqipëria dhe Rumania, janë kombëtaret që bëjnë pjesë në grupin e Zvicrës.
UEFA në shkrimin për Zvicrën, më shumë është ndalur te ndeshja me Shqipërinë, ku do të ketë një tjetër përballje mes shqiptarëve, që luajnë në të dy kombëtaret.
Zvicra dhe Shqipëria në të kaluarën janë takuar gjashtë herë, ku helvetikët kanë pesë fitore dhe një barazim.
Hera e fundit që janë takuar këto dy kombëtare, janë kualifikimet për botërorin e Brazilit, ku Zvicrëa i fitoi të dy ndeshjet, ndërsa ceket se Xherdan Shaqiri i cili ka rrënjë shqiptare, ka shënuar në të dy përballjet.
Ceket se disa nga futbollistët shqiptarë aktualisht janë pjesë e kampionatit zviceran të futbollit (Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka dhe Naser Aliji) dhe FC Zürich (Berat Djimsiti, Burim Kukeli dhe Armando Sadiku).
Ndërsa në fund nuk lihet pa u përmendur edhe përballja e vëllezërve Xhaka, të cilët kanë lindur në Zvicër, por sot përfaqësojnë dy kombëtare të ndryshme (Graniti Zvicrën, Taulanti Shqipërinë)./Indeksonline/