Udhëtimi i Shqiponjës

‘100 vjet pavarësi’, posteri i realizuar në tipografi nga Afërdin Haxhimurati, që paraqet shqiponjën dykrerëshe, është vendosur nëpër qytete të ndryshme shqiptare dhe qytete tjera të botës. Fotografitë e bëra nëpër këto qytete janë prezantuar në ekspozitën e hapur ditë më parë në Tiranë.
Nëntori i ftohtë i gjeti shqiptarët me flamuj nëpër duar, këngë në buzë e shumë dehje patriotike. Secili në kërkim të kujtimeve, të cilat më pas kthehen në urë lidhëse mes të kaluarës, të tashmes dhe asaj që po vjen. Përveç dalldisë së madhe që solli festa mes turmash e masash, më të ikur nëntori, u harrua.
Dikush, në gjithë këtë kaos, kishte menduar për diçka më të madhe, për një nëntor më të ngrohtë, për një nëntor më ndryshe, përtej busteve, flamujve, këngëve a poezive. Një nëntor që bashkëjeton me historinë e 100 viteve të fundit. Historinë e viteve të dhimbjes, gëzimit, hidhërimit, të fitoreve e humbjeve, të datave më të rëndësishme, bashkë më figurat më të lavdishme të kombit.
Afërdin Haxhimurati apo Agi, siç pëlqen ta quajnë në botën e dizajnit, është një djalë i ri 19 vjeçar nga Rahoveci, por me shpirt të mbushur plot dashuri për artin. Ai prej dy vitesh studion Dizajn Grafik në Universitetin Europian të Tiranës. Para pak kohe, për të parën herë, hapi ekspozitë personale në ambientet e këtij universiteti. Ndërkohë që idetë e tij tashmë janë materializuar me qindra herë nëpër reklama/bluza e klipe të ndryshme. Ekspozita e tij që u hap para pak ditësh, ishte finalizimi i një udhëtimi përmes fotografive nëpër qytetet më të bukura shqiptare. Ndër tjerash, ai solli dhe imazhe simbolike nëpërmjet të cilave, historia e shqiptarëve shkrihej në letër. “Arti më jep luksin e të luajturit me format. Ajo çka unë aktualisht bëj është një orvatje mes shpirtërores dhe komerciales. Tek ekspozita e fundit që hapa, kishte shumë punime që përshfaqnin atë çka unë ndjej, mendoj dhe e them me anë të fotografisë apo punimit, ndërkaq një pjesë tjetër i referohej realitetit që më ka frymëzuar nga të dy anët (Kosovë – Shqipëri)”, thotë Haxhimurati.
Nëntori i Pavarësisë për Agin, nisi me rrugëtimin e punimit të tij, një tipografie e cila fluturoi përmes shtetesh e kontinentesh.
“100 Vjet Pavarësi” ishte poster i stilit Typography (kombinim i shkronjave deri tek formimi i figurës, që në vete ka një kuptim domethënës). Ky punim në brendësi ishte përmbledhje fjalësh, datash, të dhënash të një rëndësie të veçantë për historinë e shqiptarëve. Në majë te gishtave ishin vendosur datat më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, duke i llogaritur si datat që duhen “mbajtur mend”.
Posteri deri tani është vënë në shumicën e qyteteve shqiptare, që nga Prishtina e deri në Vlorë. Ky poster është vënë dhe në Preshevë, Shkup, Kumanove, Tetovë e Kërçovë. Përtej trojeve shqipfolëse, posteri ka vazhduar të publikohet nëpër qendrat më të mëdha europiane si në Londër, Paris, Toulouse, Bruksel e në qytete të tjera europiane. Pas Europës, posteri është vënë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Brooklyn – New York. Posteri me shqiponjën në mes është parë në Doha (Qatar) dhe në Mombai të Afrikës, e më pas edhe në Afganistan (në Kampin Ushtarak Amerikan) si dhe në Australi.
Në këtë mënyrë, ai e ka rikthyer edhe një herë vëmendjen e publikut te festa e nëntorit. E për këtë, Agi thotë se qëllimisht ka dashur që projektin e tij ta promovojë pas festës.
“Projekti është lënë me qellim që të prezantohet pas festave për arsye se deri më 28 nëntor, të gjithë kanë bërë zhurmë, kurse pas 28 nëntorit, kjo festë u harrua. Apo ishte ajo ‘zhurmë’ false vetëm sa për të rënë në sy, kurse unë me këtë projekt të veçantë nga të tjerët dua të kthej sytë e publikut edhe njëherë sa i përket kësaj teme”, u shpreh ai.
Qytetarët (shqiptarë e jo shqiptarë) gjithandej, tregon Afërdini, e kanë përkrahur idenë e tij, promovimin e një shteti relativisht të vogël por të ngjeshur me ngjarje e histori.(express)