Mobi Casa

Udhëheqësia e Bujanocit shpalos potencialet para ministrave të Shqipërisë

/ 4 minuta lexim

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë ka takuar drejtues të ministrive të ndryshme të qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Fillimisht, kryetari Arifi, i cili shoqërohej nga shefi i Kabinetit të tij, Arbër Pajaziti dhe koordinatori i Zyrës Lokale për zhvillim ekonomik, Nexhat Behluli, kanë zhvilluar biseda me ministrin e Ekonomisë, Zhvillimit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, me të cilin janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, e ka njoftuar ministrin Ahmetaj me potencialet dhe resurset ekonomike me të cilat disponon kjo komunë, thuhet në njoftimin e lëshuar nga shërbimi për informim i kabinetit të kryetarit Arifi

Njoftimi thekson se në veçanti, Arifi gjatë këtij takimi ka paraqitur përparësitë gjeo-strategjike që posedon Bujanoci duke u gjendur në një trekëndësh midis Serbisë-Kosovës dhe Maqedonisë, përmes së cilit kalon autostrada dhe hekurudha ndërkombëtare, të njohura si ”Korridori 10-të”.

Segmenti tjetër i bisedës në këtë ministri kishte të bënte me kapacitet ekonomike dhe industriale të komunës së Bujanocit, të cilat ndodhen akoma në pronësi shoqërore.

Në këtë drejtim, mysafirët nga komuna e Bujanocit u shprehën të gatshëm që blerësve potencial të cilët mund të jenë nga Shqipëria t’u ofrojnë benificione të shumta.

Beneficione të ngjashme kjo komunë u premtoi edhe investitorëve tjerë nga Shqipëria, të cilët do të ishin të gatshëm të nisin bizneset e tyre, edhe ate në subvencionimin e disa vendeve të punës, ofrimin e tokës ndërtimore, sjelljen e infrastrukturës komplete, rregullimin e dokumentacionit sipërmarrës, etj.

Poashtu delegacioni nga Bujanoci shfaqi edhe interesimin e gjithë prodhuesve të Luginës për lehtësirat e plasimit të produkteve në Shqipëri.

Uji Dea

“Arifi dhe Ahmetaj u dakorduan që në një të ardhme të afërt në Bujanoc të organizohet një konferencë ekonomike me pjesëmarrjen e sipërmarrësve më eminent nga Republika e Shqipërisë. Gjithashtu, kryetari Arifi i bëri ftesë ministrit Ahmetaj që me bashkëpunëtorët të vizitojnë Bujanocin, ku nga afër do të njoftoheshin me të gjitha resurset e kësaj komune si dhe do të detajizoheshin planet për bashkëpunim të mëtejmë”, thuhet në njoftimin që transmeton Titulli.

Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë, Zhvillimit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ndër të tjera, premtoi se rimëkëmbja ekonomike e Bujanocit dhe në përgjithësi e Luginës, do të jetë edhe pjesë e agjendës së zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë.

Në vazhdën e qëndrimit në Tiranë, kryetari Arifi me bashkëpunëtorë takoi edhe ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliajn.

Në një bisedë miqësore u prekën çështjet konkrete të ndihmave që mund të ofrohen nga Shqipëria për rastet sociale në komunë të Bujanocit, sidomos gjetja e modaliteteve për kategoritë e dala nga lufta.

Arifi e njoftoi ministrin Veliajn për ballafaqimin me këtë problematikë dhe mungesën e fondeve, ngase shteti i Serbisë pamundëson ofrimi e ndihmave për këtë kategori.

Gjithashtu bashkëbiseduesit diskutuan edhe çështjet e preokupimit të organizatave rinore.

Palët u dakorduan të rishikojnë mënyrat dhe format e asistencës konkrete, me ç’rast përparësi do t’i jepej edukimit të gjeneratave të reja, përfshirë edhe njohjen e tyre më për së afërmi me Shqipërinë.

Kryetari Arifi me bashkëpunëtorët e tij, gjatë vizitës dyditëshe në Tiranë kanë zhvilluar edhe takime tjera joformale me profesorë eminent universitar, studentë nga Lugina, menaxhues biznesesh, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike, deputetë të parlamentit, thuhet mes tjerash në njoftim./Titulli.com/