RCCOLA

UBT shënoi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

/ 5 minuta lexim

Në ambientet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, në kuadër të Fakultetit Media dhe Komunikim, u zhvillua një debat për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ku morën pjesë profesorë të UBT-së, si dhe gazetarë të mediave në Kosovë.

Tema e cila u diskutua me panelistët ishte: “Liria e shprehjes përballë presioneve, kërcënimeve, shantazheve, apo presionet, kërcënimet dhe shantazhet si mjete të lirisë së shprehjes”, e ku u fol edhe rreth problemeve me të cilat përballen gazetarët në Kosovë dhe se sa janë të lirë ata të ushtrojnë profesionin e tyre pa ndikim nga institucionet, apo akterë të tjerë të jashtëm.

Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, prof. dr. Ferid Selimi, gjatë diskutimit me të pranishmit potencoi angazhimin e gazetarëve në luftën në Ukrainë, të cilën e sheh si të rrezikshme për jetët e tyre.

“Ne kur i shohim shifrat e gazetarëve të vrarë dhe të burgosur nëpër të gjithë botën, është një çështje shqetësuese që na prek edhe neve. Sepse njëmend gazetarët janë më të kërcënuar se edhe vet ata që janë vet në luftë. Vetëm në luftën e fundit në Ukrainë janë vrarë deri tash diku rreth 21 gazetarë dhe kur i shohim të gjitha këto ne do të mund të konkludojmë për funksionet që mediat i kryejnë mbase i kushtojnë edhe me jetë”, tha profesori Selimi.

Gazetarja nga Radio Kosova, Serbeze Haxhiaj, vlerësoi faktin se rrjetet sociale kanë sjellur ndryshime dramatike në të bërit gazetari, duke mos lënë pa përmendur edhe rastet e kërcënimeve dhe shantazheve në vendin tonë.

“Vitet e fundit jo vetëm që është përkeqësuar gazetaria profesionale ose hulumtuese, përshkak të një epoke që po sjell ndryshime dramatike siç janë rrjetet sociale. Gjithashtu, ndër këto vite edhe presioni politik, është sofistikuar shumë”, ka thënë Haxhiaj.

Për kërcënimet dhe shantazhet që iu bëhen gazetarëve, foli edhe profesori Musa Sabedini, i cili theksoi nevojën për të qenë gazetarët në unitet dhe fuqinë e medias për t’u përballur me pushtetin.

“Kërcënimet ndaj mediave nuk është mirë me qenë institucionale, apo të kontrolluara. Gazetari është syri dhe veshi i publikut, atë çfarë e sheh duhet ta transmetoj. Ngacmimi pozitiv i medias është i shëndetshëm. Ajo çka duhet të ndryshojë tek ne është, që gazetarët duhet të jenë unik. I kam rreth 35 kërcënime, të cilat nuk më pengojnë në zhvillimin e profesionit. Mediat nëse janë të dobëta, pushteti i keqpërdor ato”, tha Sabedini.

UBT

Gjithashtu, Mimoza Koprani nga Kohavision kritikoi mënyrën e të qenurit transparent të udhëheqësve insituticional dhe vlerësoi se mos-stabiliteti financiar i mediave ka shumë rëndësi në ngritjen e aspektit profesional të gazetarëve.

“Ka disa faktorë që e bëjnë tregun medial problematik në Kosovë, nuk është e thënë të kesh presion direkt ose shantazhe, kërcënime nga pushteti për të mos u krijuar një klimë e mirë ku gazetarët do të mund ta bënin punën e tyre si duhet. Mos-stabiliteti financiar i mediave ka shumë rëndësi për ngritjen e aspektit profesional të gazetarëve”, është shprehur Koprani.

Në diskutim mori pjesë edhe profesori Safet Zejnullahu, i cili rikujtoi sakrificën e gazetarëve të Kosovës në periudha të vështira dhe guximin e tyre për t’u përballur me pasigurinë dhe vështirësitë që sjell fusha e medias.

“Tregu i vogël i reklamave dhe grupimi i reklamave të mëdha në mediat e kompanive të mëdha e ka goditur median sa nuk ka ku. Në rastin kur flasim për shantazhet ne duhet t’i kujtojmë gazetarët e vrarë në këtë vend, gazetarët e arrestuar e ata të keqtrajtuar, duke u nisur nga periudhat e hershme, statistikat flasin për vrasjen e gazetarëve të nivele të larta në Kosovë”, ka shtuar Zejnullahu.

Ndërsa, profesori Ejup Gojnovci vlerësoi se shantazhi në gazetari nuk është problem personal, por kolektiv, teksa ka kritikuar edhe mënyrën se si një pjesë e gazetarëve zhvillojnë profesionin e tyre.

“Për mua nuk është gazetar ai që shantazhon. Ai fatkeqësisht e ndotë ambientin medial dhe e përbaltosë profesionin kaq fisnik siç është gazetaria. Shantazhuesit në emër të gazetarisë nuk është problem personal. Problem paraqet jo ai që shantazhon në emër të lirisë së medias, por kasta e gazetarëve kur nuk reagojnë për këto tipologji të dëmshme në profesionin e gazetarisë”, u shpreh Gojnovci.

Ky debat i radhës nga Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT, shërbeu për t’i informuar edhe studentët rreth lirisë dhe të drejtave të gazetarëve për të raportuar drejtë dhe saktë.