U hodh vallja në Roganë për “Flakën e Janarit – 2016”…

Gjilan – Është dita e tretë e shënimit të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2016” në shkollat fillore të Komunës së Kamenicës, ku krijuesit gjilanas, punimet e tyre letrare i lexuan para shkollarëve të disa shkollave të komunës në fjalë. Së pari, krijuesit nga Gjilani e nga Kamenica u gjenden në Shkollën fillore “Kadri Zeka” të fshatit Desivojcë.
Fillimisht, Afërdita Bunjaku, drejtoreshë e kësaj shkolle fshati tha se, mezi kemi pritur që të mbahet ndonjë orë letrare para shkollarëve tanë, të cilët e meritojnë një vizitë të tillë të organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e kësaj komune.
“Po, tha drejtoresha, – më erdhi mirë kur dëgjuam se do të mbahet një orë letrare edhe me shkollarët tanë. Këtë lajm ma konfirmoi Venera Dërmaku – Rexha, e cila na tha se, sot, disa krijues nga Gjilani do të jenë mysafirë të shkollarëve tanë. Siç dihet, kjo shkollë fshati, në një kohë të hershme ka pasur mbi 800 nxënës.
Ndërsa, sot, kjo vatër e dijes ka vetëm 97 nxënës të rregullt. Por, ajo që po më brengose më së shumti është fakti se, kohës së fundit, nga kjo shkollë janë shpërngulur edhe 10 nxënës të kësaj shkolle. Por, vullneti i mësimdhënësve për punë është në nivel të duhur. Në këtë shkollë gravitojnë disa shkollarë nga këto anë të Gollakut, si janë: Poliçkë, Velegllavë, Tërstenë dhe Lajçiq. Shkolla ka 5 dhoma mësimi, ndërsa me shkollarë punojnë 39 mësimdhënës punëtorë”.
Pas kësaj bisede, është mbajtur ora letrare me shkollarët e me letrarët nga Gjilani e nga Kamenica. Andaj, kësaj here, punimet tyre letrare i lexuan disa shkollarë të kësaj vatre shkollore. Pati edhe recitime nga ana e shkollarëve. Në fund të orës letrare, letrarët nga Gjilani, shkollës në fjalë i dhuruan disa nga veprat e tyre.
Karvani i krijuesve gjilanas u gjend edhe në Shkollën fillore “Sadri Misini” të Shipashnicës. Në fillim, Samet Dërmaku, drejtor tha se, kjo shkollë fshati ka traditë të hershme të punës. “Në këtë shkollë amë mësojnë 180 shkollarë, të cilëve u japin mësim 27 mësimdhënës. Me rregull mbahet mësimi, por me rregull punojnë edhe aktivitetet e lira shkollore. Pnimet letrare të kësaj shkolle i lexuan para arsimtarëve e mysafirëve këta shkollarë: Rona Dërmaku, Eriona Dërmaku, Edona Dërmaku, Linda Dërmaku, Qëndresa Dërmaku, Donat Dërmaku etj. Shumica e krijuesve të vegjël lexuan vjersha kushtuar dëshmorëve të kombit, si: Kadri Zekës, Nuhi Berishës, Adem Jasharit e atdhetarëve të tjerë të kombit.
Pas dite, letrarët gjilanas u gjenden, si një, në Shkollë fillore “Metush Krasniqi” në fshatin Roganë të Kamenicës. Ishte një pritje e jashtëzakonshme e stafit të kësaj shkolle fshati. Bajram Kallaba, drejtor shkolle, tha se, shkolla në fjalë e Roganës sivjet kremtoi 70-vjetorin e themelimit të saj. “Pra, viti 1945 është datëlindja e kësaj shkolle fshati. Gurthemeli i këtij tempulli të dijes është vuar në vitin 1943. Ndërsa, mësuesi i parë i kësaj vatre shkollore ishte Xhevat Aliu nga Gjilani.
Prandaj, shkolla e Roganës është njëra nga vatrat e hershme të arsimit shqipe, e cila ka dhënë shumë arsimdashës të vyer të jetës shkollore. Pra, kjo vatër e dijes ishte e mbeti kështjellë e dijes së njerëzve të kësaj ane të Gollakut”. Aty, në orën letrare prezantuan më tepër se 40 shkollarë, të cilët, disa prej tyre, punimet letrare i lexuan këta shkollarë: Mrika Kryeziu, Albin Kryeziu, Xhemile Kryeziu, Ertë Kryeziu, Diana Rudhani, Suela Kryeziu, Fortesa Kryeziu etj.
Ndërsa, Gretë Azizi, shkollare e re, e këndoi këngën “Tumankuqe”. Kurse, grupi i shkollareve prej tetë vetash lozën valle popullore, e cila valle i mahniti të gjithë ta pranishmit e kësaj ore letrare.
Në të gjitha shkollat në fjalë, punimet letrare i lexuan poetët nga Gjilani, si janë: Demir Behluli, Shefik Shkodra, Selvete Abdullahu, Hysen Këqiku, Vese Bojku, Gani Korça, Tefik Selimi, Bajram Kallaba etj, të cilët, në fund, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e kësaj komune, nën udhëheqjen e Venera Dërmaku – Rexha, në shenjë falënderimi, pjesëmarrësve gjilanas, u ndau nga një mirënjohje.
Ndërsa, Bajram Kallaba, drejtor, poetët mysafirë i falënderoi për pjesëmarrje në këtë manifestim kulturor, i cili është organizuar në shenjë të festës së “Flakës së Janarit..” Të shtojmë edhe këtë se, Selvete Abdullahu, poete gjilanase, ishte moderatorja e shkëlqyer e këtyre orëve letrare, e cila bëri prezantimin në mënyrën më të mirë të mundshme të këtij organizimi kulturor në shkollat fillore të Kamenicës. /tefik selimi/rajonipress/